KOMRA rrjeti i pajtimit

ntasha

23.02.2015.

balkanweb-Unë jam Natasha Kandiç-23.02.2015.

Ballkani nuk ka shumë personalitete si Natasha Kandiç. Ajo është zë i fuqishëm i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë popujt, por shqiptarët më duket se kanë më shumë arsye se të tjerët të thonë sot me zë të fortë: “Unë jam Natasha Kandiç”.

 

balcan web

 

Nga: PETRIT HALITI
Ndonëse është një modeli stërkonsumuar titulli dhe deklarimesh publike, e zgjodha, sepse është bërë një modë ndërkombëtare komunikimi, që shpreh më emocionalisht thirrjen për solidaritet dhe mbështetje për aktivisten e mirënjohur të të drejtave të njeriut në Serbi, Natasha Kandiç. Në 18 shkurt, në Gjykatën e Faktit në Beograd filloi gjyqi kundër saj, me padinë e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, gjeneralit Lubisha Dikoviç, kundër simbolit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në atë vend. Mëkati i ish-drejtoreshës së Qendrës së Ligjit Humanitar, Natasha Kandiç, është se ajo ka deklaruar publikisht se Qendra disponon dokumente dhe dëshmi, që vërtetojnë se gjenerali Lubisha Dikoviç, aktualisht shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, është pjesëmarrës në krime lufte në Kosovë në vitet 1998-1999. Në 29 janar të këtij viti, Qendra e Ligjit Humanitar i bëri të ditur opinionit publik se disponon dokumente, që provojnë se gjenerali Lubisha Dikoviç ka përgjegjësi për krime lufte në Kosovë. Raporti i kësaj Qendre shkruan se Dikoviç komandonte Brigadën e 37-të të ushtrisë serbe, përgjegjës për sulmet në katër fshatra të zonës së Drenicës në Kosovë në prill 1999, ku u vranë 69 shqiptarë. Natasha Kandiç me guxim i tregon Serbisë, Europës dhe botës se shteti i saj nuk është shkëputur akoma nga kapitulli i krimeve të përgjakshme në ish-Jugosllavi dhe se për më tepër, protagonistët e atyre konflikteve të përgjakshme, që ndërmori regjimi i Sllobodan Millosheviçit kundër popujve joserbë, janë sot në postet e rëndësishme të makinës shtetërore serbe.
Kundër saj u vërsulën jo vetëm gjenerali i akuzuar për krime lufte dhe strukturat ushtarake serbe, por i gjithë aparati shtetëror dhe shteti serb. Një ditë pasi Qendra e Ligjit Humanitar bëri të ditur dosjen e dokumenteve dhe dëshmive për përgjegjësitë e gjeneralit Dikoviç në krimet kundër popullit shqiptar në Kosovë, në shenjë sfide presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, priti në zyrën e tij gjeneralin e akuzuar për krime lufte dhe hapur e mori në mbrojtje, në një veprim të pashembullt proteksioni. Presidenti i cilësoi akuzat ndaj Dikoviçit për krime lufte si sulme ndaj ushtrisë serbe dhe ndaj Serbisë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, e mori edhe ai në mbrojtje gjeneralin e akuzuar për krime lufte dhe i quajti akuzat ndaj tij si sulme ndaj qeverisë dhe ndaj Serbisë, madje absurditeti i ministrit shkoi deri atje sa që i quajti edhe “sulm ndaj stabilitetit të rajonit”. Të njëjtat qëndrime apologjetike për gjeneralin shprehu edhe kryeministri Aleksandër Vuçiç. Dhe në prag të gjyqit të kësaj jave kundër Natasha Kandiçit, në datën 15 shkurt, presidenti i Serbisë e dekori gjeneralin e akuzuar për krime lufte me urdhrin e lartë të shqiponjës së bardhë.
Ushtria, qeveria, presidenca, prokuroria dhe gjithë shteti serb janë ngritur në këmbë kundër Natasha Kandiçit. Kjo ka domethënien e vet të qartë politike, morale dhe filozofike.
Së pari, tregon se shteti serb, presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm, Shtabi i Përgjithshëm etj., i dërgojnë një mesazh të qartë gjykatës dhe drejtësisë serbe se cilën anë duhet të mbajë. Ata ndërhyjnë dhe ushtrojnë presion të hapur mbi drejtësinë dhe vulosin paraprakisht se gjyqi duhet të shpallë Natasha Kandiçin të pandehur dhe kriminelin e luftës të pafajshëm. Mesazhi presidencial dhe qeveritar për gjyqtarët është i qartë dhe i prerë për të goditur dhe dënuar Natasha Kandiçin, sepse akuzat e lëshuara kundër saj nga presidenti, kryeministri dhe ministri i Jashtëm janë tepër të rënda, përderisa ata e akuzojnë aktivisten e të drejtave të njeriut se ka synuar të godasë ushtrinë serbe, qeverinë serbe dhe shtetin serb.
Së dyti, tregon se presidenca serbe, qeveria serbe dhe shteti serb, janë sot në përkrahje të kriminelëve të luftës dhe të politikës kriminale, që ka zbatuar në Kosovë dhe në republikat e tjera joserbe regjimi diktatorial i Sllobodan Millosheviçit, i cili vdiq në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në ish-Jugosllavi. Arsyet janë të lexueshme. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Ivica Daçiç, kanë qenë që të tre pjesë e qeverisë së Sllobodan Millosheviçit, në kohën që forcat e armatosura serbe si Brigada e 37-të e komanduar nga Lubisha Dikoviç bënte kërdinë, duke vrarë e masakruar popullin shqiptar në Kosovë. Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë dhe qeveria e Serbisë nuk janë distancuar asnjëherë nga politika kriminale e spastrimit etnik dhe e gjenocidit, që forcat policore e ushtarake serbe kryen në Kosovë në vitet 1998-1999. Ishin këto krime masive kundër njerëzimit, që e detyruan NATO-n të ndërmerrte ndërhyrjen e saj humanitare në vitin 1999, duke bombarduar objekte ushtarake dhe forcat ushtarake të Serbisë. Udhëheqja e tanishme e Serbisë, jo vetëm nuk janë distancuar dhe as nuk kanë kërkuar falje për krimet e ushtrisë serbe në Kosovë, por kanë promovuar pikërisht ushtarakët, të cilët i kanë duart të lara me gjak. Në paradën ushtarake, që organizoi qeveria dhe ushtria serbe në tetor të vitit të kaluar për nder të presidentit rus, Vladimir Putin, presidenti serb kishte ftuar në tribunën e nderit tre kriminelë të njohur serbë, të shpallur kriminelë ndërkombëtarë lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi. Dhe paradën e udhëhiqte gjenerali Lubisha Dikoviç, i akuzuar gjithashtu për krime lufte.
Rasti i fushatës histerike të qeverisë, presidentit dhe ushtrisë serbe kundër aktivistes me reputacion ndërkombëtar të të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç, është tepër sinjifikativ për të kuptuar realitetin e situatës politike sot në Serbi, sistemin e përmbysur të vlerave në Serbi, ku kriminelët glorifikohen dhe mbrojtësit e lirisë dhe të së drejtës inkriminohen, për të kuptuar rrugën joeuropiane në të cilën po ecën shteti serb. Është e pakonceptueshme që Serbia vazhdon sot e kësaj dite të mbrojë dhe të mburret me kriminelët dhe me krimet, që ka bërë kundër popujve të tjerë. Njerëzit, që kanë në ndërgjegjen e tyre politikën e krimeve ndaj popujve joserbë në ish-Jugosllavi, udhëheqin institucionet më të rëndësishme të shtetit serb. Kursi politik nacionalist dhe filozofia radikale dhe etnocentriste serbe vazhdojnë të jenë motorët lëvizës të politikës së sotme të shtetit serb.
Statusi i shtetit kandidat në BE po përdoret nga udhëheqja serbe si një gjethe fiku për të mbuluar kursin joeuropian, shkeljen e të drejtave të njeriut brenda vendit dhe orientimin strategjik drejt Rusisë. BE po gabon me indulgjencat e saj ndaj Tomislav Nikoliçit, Aleksandër Vuçiçit dhe Ivica Daçiçit, njësoj siç u gabua dhe u pendua për ish-kryeministrin dhe ish-presidentin nacionalist serb, Vojislav Koshtunica. Duan apo nuk duan ta shohin burokratët në Bruksel këtë realitet, është përgjegjësia e tyre. Gjatë një viti Brukseli ka pasur mjaft dëshmi për të mësuar se shpirti dhe politika e Serbisë rrahin me ritmin e Rusisë dhe jo me të BE-së. Paradat ushtarake për nder të Putinit dhe armatimi i Serbisë me armë të sofistikuara ruse, refuzimi i Beogradit për t’u bashkuar me sanksionet e BE ndaj Rusisë dhe mosdënimi nga ana e Serbisë i aneksimit të dhunshëm rus të Krimesë dhe i ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, mjaftojnë për të kuptuar thelbin e politikës dhe të strategjisë joperëndimore të udhëheqjes së sotme serbe. Mbi të gjitha: toleranca, glorifikimi dhe promovimi në hierarkinë shtetërore të Serbisë i politikanëve dhe i ushtarakëve të regjimit të Millosheviçit, duhej të kishte shkundur kujtesën dhe veprimin ballkanik të diplomacisë së BE.
Është vërtet e pakuptueshme heshtja olimpike, që mbahet në Bruksel, për apologjinë e krimeve dhe të kriminelëve të luftës nga ana e udhëheqjes së Serbisë. Ky realitet e bën vërtet absurd pretendimin që të ngrihen gjykata speciale për një popull viktimë e gjenocidit si populli shqiptar i Kosovës dhe të tolerohet që garnitura qeveritare dhe ushtarake e Serbisë të drejtohet nga njerëzit e Millosheviçit, të cilët do ta çokan Serbinë në Europë. Është vështirë të pajtohesh me faktin se si institucionet e BE apo të NATO-s mund të pranojnë të ulen në një tavolinë me gjeneralin Lubisha Dikoviç dhe të diskutojnë bashkëpunimin ushtarak me të, kur ai është i akuzuar për krime lufte. Dhe nuk mund të mos shkaktojë një ngritje supesh fakti i pakuptueshëm që zëdhënësit e panumërt të shtypit në Bruksel nuk gjejnë disa minuta kohë për të shprehur me rastin e këtij gjyqi të turpshëm përkrahjen për aktivisten e mirënjohur europiane dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç, të cilën po e linçojnë verbalisht presidenti, kryeministri, ministri i Jashtëm, ushtria dhe gjithë isteblishmenti zyrtar serb.
Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe dënimi i kriminelëve të luftës dhe i shtypësve të lirive nuk mund të jetë selektive. Mund të flasësh sa të duash për kriminelë dhe krime në Siri apo Irak, por nëse hesht për kriminelët me uniformë dhe me poste shtetërore në Serbi, në mes të Ballkanit dhe të Europës, nuk dëshmon konsekuencë në dënimin e së keqes. Rasti i Natasha Kandiçit është gjithashtu një test edhe për levantinët e ekraneve të Tiranës, të cilët tregohen ultrasensibël për episode në Afganistan, Pakistan apo Siri, dhe rrinë e numërojnë përditë si doganierë nëse ka 49 apo 50 shqiptarë që luftojnë në Siri, dhe heshtin e nuk kanë thënë një fjalë dhe nuk kanë shkruar një radhë për krimet e Serbisë në Kosovë dhe as për rrezikun serb në Kosovë. E keqja dënohet kudo që të ndodhë dhe aq më tepër në oborrin tënd ballkanik. Ndaj meriton mbështetje dhe solidaritet veprimtarja e shquar e të drejtave të njeriut, Natasha Kandiç, të cilën revista amerikane “Time” e ka shpallur “heroinë europiane”. Të drejtat e njeriut dhe liria e shprehjes nuk janë as domen dhe as ekskluzivitet i një grupi social apo nacional apo vetëm i një shteti. E drejta e njeriut është universale dhe jo vetëm kur njësohet me shijet, lidhjet okulte apo me sponsorizimet personale. Luftëtarët e të drejtave të njeriut kanë më shumë nevojë të mbrohen kur janë gjallë.
Ballkani nuk ka shumë personalitete si Natasha Kandiç. Ajo është zë i fuqishëm i mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë popujt, por shqiptarët më duket se kanë më shumë arsye se të tjerët të thonë sot me zë të fortë: “Unë jam Natasha Kandiç”.

 

 

 

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.