KOMRA rrjeti i pajtimit

Kostovicova-Denisa-Photo

03.06.2015.

BE-ja ka mundur të bëjë më shumë për rajonin

Bashkimi Evropian (BE) është krijuar si një projekt i paqes. Në zemër të këtij projekti është gjendur ideja francezo-gjermane e pajtimit dhe e integrimit, me qëllim që Evropa kurrë më të mos përjetonte një konflikt si ai i Luftës së Dytë Botërore. Ashtu siç është zgjeruar Bashkimi, ky projekt i integrimit është shndërruar para së gjithash në projekt teknik. Ideja mbi BE-në si një projekt paqësor pothuajse ka qenë harruar, deri në vitet nëntëdhjetë kur kanë filluar ngjarjet në Ballkan. Atëherë, menjëherë, procesi i integrimeve evropiane në rajon sërish është bërë projekt paqësor. Për njerëzit e Ballkanit, hyrja në BE nënkupton edhe paqe të qëndrueshme në rajon. Nga ky këndvështrim, vërej se BE-ja nuk ia ka përshkruar detyrimisht të njëjtën recetë, e cila është dëshmuar si efikase në procesin e pajtimit dhe brenda vet BE-së. Instrumenti kryesor i drejtësisë tranzicionale në duart e BE-së, i cili në një mënyrë ka përfaqësuar edhe instrumentin e pajtimit, ka qenë kushtëzimi i bashkëpunimit evro-integrues me Tribunalin e Hagës. BE-ja, në këtë mënyrë, i është qasur procesit të drejtësisë tranzicionale në një mënyrë shumë të ngushtë. Nuk do të doja që në lidhje me ketë të keqkuptohem – unë konsideroj se Tribunali i Hagës ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rajon. Nëse iu kujtohet periudha e të nëntëdhjetave të luftës, do t’iu kujtohet se Tribunali në të vërtetë kishte krijuar hapësirë për debatim mbi krimet e luftës, e kishte parandaluar mosndëshkueshmërinë dhe e ka ndalur procesin e harrimit të krimeve të luftës. Megjithëkëtë, Tribunali ka pasur dhe, edhe sot e kësaj dite, ka probleme me projektimin e mesazhit se njëmend po e realizon drejtësinë. Mbi arsyet e kësaj do të mund të flitej pafundësisht, por dëshiroj të them se vërtet më habit fakti që BE-ja nuk është lëshuar në mënyrë të rëndësishme në nismat në fushën e drejtësisë restorative. Nismat e tilla në thelbin e tyre janë shumë më afër qëllimeve të rimëkëmbjes së marrëdhënieve shoqërore, të cilat qëndrojnë në palcën e pajtimit.

Do ta përfundoj prezantimin tim me atë që fillimisht e kam pasur për qëllim për ta thënë – e kjo është pikëpamja ime lidhur me të arriturat më të rëndësishme të drejtësisë tranzicionale gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Ato shihen në aspektet deliberative dhe participatore të drejtësisë tranzicionale[1] dhe ky Forum [2] i mbështet të dyja këto parime. Deliberacion, në të vërtetë, do të thotë debat. Debatohet nxehtësisht mbi të gjitha elementet e drejtësisë tranzicionale në rajon: mbi faktet e krimeve, kontekstin e tyre, mbi atë nëse drejtësia tranzicionale duhet të jetë rajonale ose kombëtare. Duke mos hyrë në vet çështjet – debati gjithsesi se zhvillohet. Kjo, vetvetiu, është punë e madhe siç është edhe pjesëmarrja në këtë debat. Mendoj se këtu duhet të përqendrohemi edhe në rolin e madh, të cilin shoqëria liberale e ka luajtur në promovimin e idesë së ballafaqimit me të kaluarën. Dëshiroj vetëm edhe të shtoj – si një fusnotë e shkurtër – se nuk i kanë kontribuuar të gjitha segmentet e shoqërisë civile në rajon këtij procesi. Përkundër tyre, ky forum e demonstron edhe dimensionin participator të drejtësisë tranzicionale. Mendoj se mbajtja e një debati të këtillë civil, posaçërisht fakti se në te gjithnjë e më shumë marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të shtetit nga i gjithë rajoni, duhet që të gjithë neve të na inkurajojë. Ai, në të vërtetë, shënjon një ndryshim kyç në kontekstin e gjithë procesit të drejtësisë tranzicionale.

Si ta përkufizojmë pajtimin

Detyra ime gjatë këtij sesioni është që të përkufizoj pajtimin, por prezantimi im i plotë, në të vërtet, do të jetë mbi atë se përse nuk jam në gjendje për ta bërë këtë. (…) Pajtimi është koncept jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse, në të njëjtën kohë, është tregues i suksesit të drejtësisë tranzicionale. Ashtu shpesh mund të quajmë vlerësime mbi Tribunalijn e Hagës dhe ato kryesisht janë të shprehura me anë të kategorive absolute: p.sh., se Tribunali i Hagës në fund nuk ka sjellë deri te pajtimi në rajon. Përkundër kësaj, shumë të tjerë do të pohojnë se Tribunali, megjithëkëtë, ka vendosur një bazë të caktuar për pajtimin, le të themi me anë të konfirmimit të së vërtetës ligjore. Megjithëkëtë, koncepti i pajtimit është shumë më kompleks se sa kjo. Shumë më e lehtë është të thuhet se çka nuk është pajtimi. Mendoj se është shumë interesante edhe fakti se disa përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile këtu kanë shprehur pohimin se pajtimi nuk është politika „e faljes dhe e harrimit “, si dhe as farë lloji i relativizmit të përgjegjësisë ose të barazimit të fajësisë – që reflekton edhe qëndrimet e përmbajtura në pjesën më të madhe të literaturës profesionale të kësaj fushe.

Nëse do të shikonim sinonimet në fjalor për nocionin e pajtimit, ato do të na zbulonin kompleksitetin e njëmendët të këtij koncepti. Pajtimi ka të bëjë me përtëritjen e marrëdhënieve miqësore, me afrimin e pikëpamjeve dhe të qëndrimeve personale dhe me vendosjen e konsistencës. Por, pikërisht këto aspekte, pas krimeve masive imponohen si posaçërisht të rënda dhe problematike. Si mund të jemi të sigurt se përtëritja e marrëdhënieve miqësore është diçka që duhet ta synojmë – nëse ato marrëdhënie në fund kanë sjellë deri te konfliktet dhe vuajtja? Atëherë, çka është thelbi i pajtimit? Në thelbin e tij janë marrëdhëniet dhe qasja profesionale këtë e trajton përmes marrëdhënieve njerëzore horizontale, të grupeve dhe të individëve dhe marrëdhënieve vertikale, të cilat ekzistojnë midis bashkësive dhe institucioneve. Këtë kemi mundur për ta parë edhe në shembullin e Irlandës Veriore. Së këndejmi është e nevojshme të ndërtohet besimi, jo vetëm midis bashkësive – por edhe midis njerëzve dhe institucioneve. Ato janë dy arena të pajtimit – ajo shoqërore dhe ajo institucionale. Por, si të arrihet deri te pajtimi? Nëse pajtimi është i bazuar në marrëdhëniet e rrënjësuara në besim, atëherë cila është rruga, që na çon nga mosbesimi e vuajtja – drejt besimit dhe pajtimit? Gjurmimi pas përgjigjeve në literaturën profesionale këtu bëhet shumë më problematik. Pasi që nuk kemi shumë kohë, do të dëshiroja të fokusohem në një ide konkrete nga literatura profesionale , e cila më duket shumë interesante. Është fjala për rëndësinë që të vërtetat dhe faktet kanë në procesin e pajtimit. Si na ndihmojnë ato që të arrijmë deri te ndonjë aspekt i pajtimit? Autorë të shumtë flasin mbi krijimin e disonancës kognitive, j e cila e zbut dogmatizmin kognitiv. Si transformohet ky koncept në të kuptuarit e procesit të pajtimit në kontekstin post-konfliktual? Në kontekst të trashëgimisë kriminale, disonanca kognitive nënkupton që proceset e të treguarit të së vërtetës dhe të vërtetimit të fakteve mund të sjellin derri tek një pasiguri dhe dyshim i caktuar ndaj korrektësisë së qëllimeve ose idealeve të dikujt (tonave). Çka do të thotë kjo në praktikë? Nëse përqendrohemi në rrugën, të cilën e kemi kaluar në ish Jugosllavi, do të vërejmë një përparim të caktuar në heqjen e vellos së mohimit të plotë ideologjik, që e ka karakterizuar periudhën e pasluftës të viteve nëntëdhjetë. Kontestet në lidhje me faktet e krimeve të kryera, me fjalë të tjera, hulumtimi i “korrektësisë” së njërës palë, sjellin deri te dyshime të caktuara ndaj të gjitha pretendimeve, të cilat ndodhen në themelin e disonancës kognitive. Këtu duhet të theksohet se supozimi i pafajësisë së palës “vetjake” ka qenë një nga pengesat më të mëdha në proceset e pajtimit dhe të pranimit të viktimave të palës “tjetër”. Edhe pse për viktimat në rajon është folur shumë, grupet e ndryshme etnike kryesisht janë marrë me viktimat e veta. Pos kësaj, ajo që konceptin e pajtimit e bënë të vështirë për pajtim është edhe zgjerimi i debatit publik në lidhje me çështjet, të cilat i tejkalojnë kufijtë e fakteve mbi krimet e kryera dhe të cilat inkuadrojnë shqyrtimin e motiveve, të dinamikës politike dhe ngjashëm.

Do ta përmbyll këtë sesion mbi pajtimin me një citat të Michael Ignatieffit: „E vërteta dhe faktet i shërbejnë ngushtimit të suazave të gënjeshtrave të lejueshme mbi të kaluarën“. Në përputhje me këtë, nëse flasim për gjithçka që është e domosdoshme për pajtimin, do të vëreja se ka ardhur deri te një ndryshim i caktuar kongnitiv, deri te ndryshimi në mënyrën se si mendojnë njerëzit mbi krimet, posaçërisht mbi krimet e grupit të vet etnik, të kryera në emër të tyre. Në fund, çështja e pajtimit është jashtëzakonisht kontekstuale. Parakushtet e pajtimit të suksesshëm sigurisht se do të dallohen nga njëra deri te fusha tjetër post-konfliktuale. (…) Këtu do ta citoj Alex Borrainean, i cili ka thënë:„Pajtimi nuk mund të jetë koncept i cili, ngjashëm me pikturën, varet në mur.“ Me fjalë të tjera, pajtimi nuk është diçka statike, por një proces i tërë. Hulumtimi im sugjeron se në ambientet komplekse post-konfliktuale, pajtimi nuk përfshin vetëm palët në konflikt nga periudha e konfliktit, por është e nevojshme që të zhvillohet në mënyrë paralele, brenda secilës prej palëve. Në këtë proces, ballafaqimi me trashëgiminë kriminale brenda vet grupit është kyç. Kur ekspertët flasin mbi konceptin e pajtimit, ata, në të vërtetë, flasin mbi pranimin dhe faljen. Stanley Cohen, një nga autorët më të cituar të literaturës mbi çështjet e së vërtetës, të pranimit dhe pajtimit, konsideron se, sidoqoftë, ai “është një mënyrë radikale e ballafaqimit me të kaluarën“. Disa autorë shprehin qëndrime më të matura, duke pohuar se pajtimi kurrë nuk mund të jetë i plotë. Megjithëkëtë, edhe qasja e tillë e reflekton faktin se pajtimi është proces. Ai kurrë nuk është i plotë, dhe kurrë nuk përfshin të gjithë pjesëtarët e palëve kundërshtare. Gjithnjë do të ketë individë, të cilët fort qëndrojnë pas qëndrimeve të tyre thellë të rrënjosura. Gjithë ai proces kurrë nuk i përfshin të gjitha dimensionet e pajtimit, e pakta jo plotësisht, dhe me gjasë nuk mund të jetë kurrë plotësisht simetrik dhe reciprok nga këndi i secilës prej palëve. Por, pajtimin duhet përkufizuar edhe përmes procesit të qëndrueshëm të tejkalimit të të gjitha pengesave, që i përbënë kultura, rasa, besimi dhe përcaktimi politik. Do të shtoja edhe se procesi i pajtimit në mënyrë primare zhvillohet përmes komunikimit dhe më herët kam folur për rëndësinë e komunikimit dhe të deliberacionit. Në të vërtetë, vetëm mund të them se nuk ka përgjigje të thjeshta në pyetjen „çka është pajtimi “, dhe do të thosha edhe se kur është fjala për çështjen e „pajtimit të mirë “ – atëherë është edhe më e vështirë të gjendet përgjigjja. Zhvillimi i situatës në Ballkan na flet se përgjigjja fare qartazi nuk mund të shprehet me anë të kategorive absolute. Këtu do të thirrem në Galtungun, i cili konsideron se e gjithë kjo çështje në të vërtetë ka të bëjë me bashkekzistencën. Njerëzit mund të jetojnë njëri me tjetrin e gjatë kësaj të mos kenë kurrfarë marrëdhëniesh. Së këndejmi është e qartë se secili aspekt i pajtimit kërkon edhe diçka më shumë në pikëpamje të bashkëpunimit, i cili i kapërcen ndarjet etnike, përkatësisht kufijtë e tërhequr me anë të vuajtjes kolektive. Tubimet, siç është ky i joni, janë në gjendje për të na ndihmuar që më mirë të kuptojmë se si do të mund të dukej pajtimi në këtë rajon dhe, e pakta pjesërisht, këtu shihet rëndësia e kontributit të tij ndaj gjithë procesit. Profesioni, në këtë drejtim, është unanim – bashkësitë e veçanta ose individuale e “përkthejnë“ konceptin e pajtimit në realitetin e tyre në mënyra krejtësisht të ndryshme. Për shembull, në Kili, për përfundimin e suksesshëm të procesit të pajtimit ka qenë me rëndësi të tregohen emrat e viktimave në semaforin e një stadiumi, si gjest i pranimit publik të vuajtjes së tyre – dhe atë pikërisht në vendin ku ajo iu është shkaktuar. Nuk mund t’iu jap përgjigje të qartë në lidhje me atë se çfarë do të mund të nënkuptonte pajtimi në Ballkanin Perëndimor, por do të doja të sugjeroj se edhe vet rëndësia e pajtimit është diçka me të cilën ia vlen të merret, si nga këndvështrimi i sfidave momentale politike dhe i të tjerave, ashtu edhe në kontekstin e trashëgimisë së krimeve të shumta, të cilat këtu janë bërë.

 

 Dr. Denisa Kostovicova është ligjëruese e lartë në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (The London School of Economics and Political Science), Britania e Madhe

 [1] Paper A deliberative and participatory aspect of transitional justice of Denisa Kostovicova is part of forthcoming publication and is available in English only.
[2] Speech at The Ninth International Forum for Transitional Justice in Post-Yugoslav Countries, May 17-18, 2013, Jahorina, Bosnia and Herzegovina.

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.