Të premten, në datën 06.09.2013, në Zagreb, është mbajtur takimi i parë i grupit zyrtar rajonal të ekspertëve për KOMRA, në përbërje të: prof. dr. Zlata Gjurgjeviq, e dërguar e kryetarit të Kroacisë; prof. dr. Sonja Tomoviq-Shundiq, e dërguar e kryetarit të Malit të Zi; këshilltarit për çështje ligjore Selim Selimi, i dërguar i presidentes së Kosovës; zëvendëskryetari i Sarajevës, Aljosha Çampara, i dërguar i anëtarit të Presidencës së B dhe H; zyrtari i ndërlidhjes me Tribunalin e Hagës, Goran Mihaljeviq, i dërguar i anëtarit të Presidencës së B dhe H, dhe gjyqtari Sinisha Vazhiq, i dërguar i kryetarit të Serbisë.

Para Koalicionit për KOMRA, në takim kanë marrë pjesë avokuesit publik të Nismës KOMRA: prof.dr. Zdravko Grebo, regjisori i filmit dhe i teatrit Dino Mustafiq, gazetarja, Xhenana Karup – Drushko (B dhe H), prof. dr. Zharko Puhovski, Vesna Tersheliq, Sven Milekiq (Kroaci), gazetari, Adriatik Kelmendi (Kosovë); Natasha Kandiqi (koordinatore e  projektit KOMRA, Serbi); gazetari, Dragoljub Dushko Vukoviq (Mali i Zi); gazetari, Igor Mekina (Slloveni), dhe Midhat Izmirlija (anëtar i Grupit të Punës për Statutin e KOMRA-s, Koalicioni për KOMRA).

Takimi është zhvilluar në frymën e përgatitjeve profesionale të takimit, i cili do të pasojë nga fundi i muajit të dhjetë të vitit 2013 dhe do t’i kushtohet analizës së hollësishme juridike të neneve të Statutit të KOMRA-s, që i propozon Koalicioni për KOMRA.

Të dërguarit e kryetarëve të shteteve të rajonit dhe avokuesit publik janë pajtuar se Propozim Statuti i KOMRA-s, të cilin Koalicioni për KOMRA e ka miratuar në datën 26.03.2011, është dokument nismëtar në ndërtimin e konsensusit minimal për debatin në nivel zyrtar.

Avokuesit publik të Nismës për KOMRA e kanë vënë në pah se Propozim Statuti i KOMRA-s pasqyron imazhin e gjendjes së drejtësisë tranzicionale, ashtu siç e kanë vlerësuar pjesëmarrësit e procesit konsultativ trevjeçar e gjysmë në kontekstin e kufizimeve të gjykimeve penale dhe të pasojave të luftës – të vdekurit, të pagjeturit dhe, në kuptimin simbolik, vlerat për të cilat shumë njerëz kanë vdekur e të cilat, sot, ndryshojnë dhe po shpërbëhen.

Të dërguarit zyrtar për KOMRA-n kanë vlerësuar se Nisma për KOMRA është unike në procedurat gjyqësore ndërkombëtare dhe në kërkimin e paqes, sepse kërkohet që më shumë shtete, të cilat kanë qenë në konflikt, së bashku të gjejnë zgjidhjen, të cilën do ta pranojnë dhe me të cilën do t’i korrigjojnë padrejtësitë e luftës.

Të dërguarit zyrtar ua kanë dhënë përkrahjen e plotë neneve 13 dhe 14 të Propozim Statutit të KOMRA-s, që kanë të bëjnë me qëllimet dhe me detyrat e komisionit. Sipas mendimit të tyre, ekzistojnë çështje, siç është ajo e fatit të personave të pagjetur, e reparacioneve, të cilat nuk mund të zgjidhen brenda një shteti. Komisioni rajonal është një kornizë më e mirë, ka një potencial më të madh – konsiderojnë ata. Posaçërisht e kanë theksuar pavarësinë e komisionit,  të cilën e mundëson karakteri i tij rajonal, gjë që e bënë atë një instrument më të fortë në raport me mekanizmat lokal në zbulimin e të vërtetës lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Të dërguarit e kanë vënë në pah se objekt i analizës serioze duhet të jetë përkufizimi i rolit të komisionit në raport me organet e gjyqësorit dhe faktin se si potenciali, të cilin e ofron komisioni rajonal, do të përputhet në mekanizmat specifik kombëtar shtetëror, që tregojnë se ato juridike nuk janë të mjaftueshme.

Të dërguarit e kryetarëve të shteteve iu bëjnë thirrje anëtarëve të Presidencës së B dhe H, Nebojsha Radmanoviqit, dhe kryetarit të Sllovenisë, Borut Pahorit, që të bashkohen në ndërtimin e mekanizmit zyrtar rajonal për konstatimin e fakteve lidhur me atë që ka ndodhur në luftërat në territorin e dikurshëm të RSFJ-së.

 

Neni 13

Qëllimet

Komisioni ka këto qëllime:

a)      të vërtetojë fakte për krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave të njeriut, të kryera në hapësirat e RSFJ-së së dikurshme, në periudhën nga 1 Janari i vitit 1991 deri më 31 Dhjetor të vitit 2001, rrethanat politike dhe shoqërore, të cilat kanë ndikuar në kryerjen e këtyre veprave dhe pasojat të cilat janë rrjedhojë e këtyre krimeve dhe shkeljeve të të drejtave;

b)      të pranojë padrejtësitë që u janë shkaktuar viktimave, me qëllim të ndërtimit të kulturës së solidaritetit dhe bashkëndjenjës për viktimat;

c)      të kontribuojë në realizimin e të drejtës së viktimave;

d)     të kontribuojë që elitat politike dhe shoqëritë në palët kontraktuese të pranojnë faktet për krimet e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut;

e)      të kontribuojë në ndriçimin e fatit të të pagjeturve;

f)       të kontribuojë në pengimin e përsëritjes së krimeve dhe të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut.

 

Neni 14.

Detyrat

Komisioni ka këto detyra:

  1. të grumbulloj të dhëna për rastet e krimeve të luftës dhe shkeljeve tjera të rënda të të drejtave të njeriut, të ofrojë përshkrim të detajuar për to, dhe të pasqyrojë mostrat e shkeljeve të të drejtave dhe pasojat e tyre;
  1. të grumbulloj të dhëna për fatin e të pagjeturve dhe të bashkëpunojë me trupat kompetente, të cilat, në palët kontraktuese, merren me hulumtimin për të pagjeturit;
  1. Të bëjë inventarizimin e humbjeve në njerëz në lidhje me luftën ose formën tjetër të konfliktit të armatosur:

i.     Civilët, të cilët kanë humbur jetën ose kanë humbur në ndërlidhje me luftën ose me forma tjera të konfliktit të armatosur; dhe

ii.   luftëtarët të cilët kanë humbur jetën, ose kanë humbur në ndërlidhje me luftën ose me format e tjera të konfliktit të armatosur;

  1. të grumbulloj të dhëna mbi vendet e burgosjes, të ndërlidhura me luftën, ose me format e tjera të konfliktit të armatosur, të personave të cilët janë burgosur në mënyrë joligjore, u janë nënshtruar torturave dhe sjelljeve ç’njerëzore, dhe të hartoj një regjistrim gjithëpërfshirës, duke mbrojtur identitetin e tyre, në rastet kur është e nevojshme;

e.       të hulumtoj rrethanat politike dhe shoqërore, të cilat në mënyrë vendimtare kanë ndikuar në shpërthimin e luftërave ose formave të tjera të konfliktit të armatosur, si dhe kryerjen e krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut;

  1.  të mbaj dëgjime publike, të viktimave dhe personave të tjerë, për krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut;
  1. të rekomandoj masat, të cilat kanë të bëjnë me parandalimin e përsëritjes së shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe reparacionin për viktimat; dhe
  1. të hartoj, të publikoj dhe të prezantoj raportin përfundimtar, në mënyrën që ai të mund të depërtojë deri tek një numër sa më i madh i njerëzve në shtetet e territorit të RSFJ-së së dikurshme.