Lajme

Proceset para TNPJ tregojnë hendekun mes drejtësisë penale individuale dhe shkrimit të historisë

IJT

 

„Më në fund, lajme të mira nga Haga!“ është dëgjuar tashmë klithma e famshme e kryeministrit serb Ivica Daçiq pasi që Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavinë në procedurën penale e ka liruar nga fajësia ish Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Momçilo Perishiqin.  Për te dhe për qeverinë, të cilën e ka përfaqësuar, me këtë janë përligjur edhe veprimet e Beogradit zyrtar gjatë luftës. Fakti se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë paraprakisht ka konfirmuar përgjegjësinë e pjesshme të shtetit të Serbisë pikërisht për krimet, për të cilat është gjykuar edhe Perishiqi, është fshehur nën tepih. [IJT-63].

 

Shkruar nga: Joost van Egmond, The International Justice Tribune (IJT)

 

Pamjet e këtilla janë fenomen i shpeshtë anë e kënd ish Jugosllavisë. Pasi që është liruar në Hagë, ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është pritur në Prishtinë si hero [IJT-141], tamam si edhe gjenerali kroat Ante Gotovina, i cili është kthyer në shtëpi kur i është hequr aktgjykimi në procedurën ankimore. Ato flasin mbi mentalitetin, i cili i ndan njerëzit në „tanët dhe të atyre“, dhe shpesh e formëson mënyrën në të cilën GJNPJ perceptohet në rajon.  Aktgjykimi fajësues kundër „tanëve“ konsiderohet humbje kombëtare, kurse ai lirues si fitore.  Faktet fajësuese, të cilat i trajton aktgjykimi si të dëshmuara aty nuk janë më fare të rëndësishme. Vet hulumtimi i njëmendët, i cili do të përbënte një hap drejt pranimit të fakteve, pothuajse as që ekziston.  „Nëse Gotovina nuk ka qenë përgjegjës për vrasjen e civilëve gjatë operacionit Stuhia (1995), me të cilin ka komanduar personalisht, kush është atëherë?“ e shtron pyetjen Mario Mazhiq, aktivist për të drejtat e njeriut në Kroaci, duke theksuar se vendi i tij e ka lëshuar rastin e madh për të hetuar tërë atë çështje pasi që është liruar Gotovina.  Edhe njerëz të tjerë flasin mbi vendet e tyre në atë mënyrë. Por të gjithë duhet të luftojnë që dikush, e pakta, t’i dëgjoj.

A mundet TNPJ për ta realizuar pajtimin?

Derisa pohon se puna e tij i „ka kontribuuar hapjes së rrugës drejt pajtimit “ të palëve dikur të kundërvëna, TNPJ në të njëjtën kohë nuk është i pajisur për një detyrë të tillë. I okupuar me vërtetimin e përgjegjësisë penale individuale, Tribunali ka tendencën që të fokusohet në çështjet juridike, të cilat ndoshta janë shumë relevante për vet gjykimin, por nuk do t’i kënaq viktimat, të cilat kërkojnë pranim, si dhe as që do t’i hap sytë e të gjithë atyre, të cilët janë përcaktuar për të mos parë.

Megjithëkëtë, në ato raste në të cilat në fund janë shqiptuar aktgjykime fajësuese, Tribunali, prapë, e ka udhëhequr procesin e vërtetimit të fakteve, të cilat mund të shfrytëzohen si themel i narrativit historik. Por, aktgjykimet liruese të kohëve të fundit i komplikojnë përpjekjet e tilla. Lirimi i të akuzuarit nuk do të thotë se nuk është kryer krimi, por as kryerësit e krimeve, as viktimat, nuk i dallojnë nuancat e tyre. Kur lideri serb i luftës në Bosnjë Radovan Karaxhiqi kohët e fundit është shpallur fajtor për vrasje masive, përkatësisht krime kundër njerëzimit në shtatë komuna anë e kënd Bosnjës, por në të njëjtën kohë është liruar nga akuzat për gjenocid në ato vende, së paku njëqind viktima dhe anëtarë të familjeve të tyre, të cilët kanë qenë të tubuar para ndërtesës së gjykatës, këtë e kanë karakterizuar si turp të vërtetë [IJT-192].  Për ta kjo ka përbërë mosndëshkim.

„TNPJ e trajton përgjegjësinë penale individuale, ai nuk mund të na e shkruaj historinë dhe as që duhet ta kërkojmë këtë“, thotë Mazhiq.  „Këtë duhet ta bëjmë vet.“  Aktivistët lokal nga i tërë rajoni e kanë bërë pikërisht këtë kur e kanë krijuar KOMRA-n – nismën për krijimin e një komisioni të pavarur rajonal, i cili do të hulumtojë se çka në të vërtetë ka ndodhur gjatë luftës. Komisioni do të qëndronte larg kornizave ligjore, të cilat lidhen me TNPJ dhe, në vend të kësaj, është fokusuar në vërtetimin e fakteve mbi atë se çfarë ka ndodhur në terren. „Puna jonë bazohet në faktet, në atë që njerëzve iu ka ndodhur drejtpërdrejtë. Vendimet ligjore nuk janë relevante për këtë“, thotë Natasha Kandiq, luftëtare për të drejtat e njeriut nga Serbia dhe anëtare e Koalicionit për KOMRA-n.

Çështja është nëse ajo që ka ndodhur në qytetin boshnjak Prijedor [IJT-157] ka mundur të karakterizohet në pikëpamje ligjore si gjenocid ose jo, dhe kjo është vetëm një nga temat e debateve të nxehta në rajon. TNPJ ka vërtetuar se me mijëra jo-serb kanë qenë të arrestuar dhe janë mbyllur në kushte të tmerrshme, përkatësisht shumë prej tyre janë vrarë. Komisioni i pavarur do të mund t’iu ndihmonte të gjitha palëve që saktësisht të vërtetojnë se kush është vrarë gjatë luftës dhe kush ka qenë përgjegjës për këtë. Në një regjistër të tillë historik do të mund të mbështeteshin edhe tekstet mësimore shkollore. Hulumtimet e kryera, përndryshe, sugjerojnë se ndërgjegjja mbi krimet e kryera të luftës tek gjeneratat e reja gjithnjë e më shumë po bie, në vend se së bashku me ta të rritet ajo ndërgjegje.

Nga fillimi i Nismës për KOMRA-n kanë kaluar pothuajse dhjetë vite, por duket se themelimi i komisionit edhe më tutje është shumë larg.

KOMRA ka tubuar një mbështetje të rëndësishme – më shumë se 500,000 nënshkrime për themelimin e komisionit, madje edhe mbështetjen tentative të disa figura kyçe politike, siç është kryeministri aktual serb Aleksandër Vuçiq. Por, nga fillimi i kësaj nisme kanë kaluar pothuajse dhjetë vjet. Komisioni rajonal, të cilin do ta mbështesnin të gjitha ish palët e luftës, ende nuk është themeluar dhe të paktë janë ata, të cilët presin se kjo do të ndodh së shpejti.

Edhe pse vendimet kontraverze të kohëve të fundit të Tribunalit e kanë theksuar nevojën për një komision, i cili do të punonte në vërtetimin e fakteve pa shkaktuar tensione të reja, problemi qëndron në faktin se aktgjykimet e tilla në të njëjtën kohë i thellojnë pikërisht ato ndasi, të cilat e vështirësojnë  mobilizimin për përkrahje të KOMRA-s. Deri sa të ketë dominuar ai mentalitet i “tanëve” dhe i të “tyrëve”, shoqëritë, të cilat konsiderojnë se kanë pësuar “humbje” para Tribunalit, do të jenë të prira që edhe më tutje të vërtetojnë pozicionet e tyre dhe të fokusohen vetëm në versionin e tyre të ngjarjeve.

Fushata e tubimit të nënshkrimeve për KOMRA-n në këtë pikëpamje ka qenë një shembull indikativ. E filluar jo moti pas aktgjykimit dënues të shkallës së parë për gjeneralin kroat Ante Gotovina (2011), ajo së shpejti i është ekspozuar akteve të shumta të frikësimit të aktivistëve të saj, para së gjithash në Kroaci, aty ku incidente të tilla ka pasur shumë më shumë se sa në vendet e tjera të rajonit. Peticionin për themelimin e KOMRA-s në fund e kanë nënshkruar 20,000 qytetar kroat, gjë që është në mënyrë spektakulare një numër i vogël krahasuar me Bosnjën (120,000) ose Serbinë (250,000).  Kjo, natyrisht, është vetëm përshtypja e parë dhe vet aktivistët këto incidente në masën më të madhe i shpjegojnë me tajmingun  e keq. Rezultati ndoshta do të ishte tjetër sikur fushata të fillonte pas lirimit të tij në procedurën ankimore. Deri sa të ketë dominuar ai mentalitet i “tanëve” dhe i të “tyrëve”, shoqëritë të cilat konsiderojnë se kanë pësuar “humbje” para Tribunalit do të jenë të prira që edhe më tutje të vërtetojnë pozicionet e tyre dhe të fokusohen vetëm në versionin e tyre të ngjarjeve.

Për këtë arsye edhe më tutje është e vështirë për të arritur deri tek ata, narrativët e të cilëve për luftën dallojnë nga narrativët tanë. „Shumë njerëz sot thonë se, nëse tashmë gjyqtarët e Tribunalit nuk mund të merren vesh, atëherë këtë duhet ta bëjmë në vet“, thotë Mazhiq.  „Në njëfarë mënyre, kjo njëmend është kështu, por është i nevojshëm një vështrim kritik, i cili i përfshin perspektivat e ndryshme, kurse ai krijohet me anë të dialogut. Por, nuk e shoh se kjo është e mundshme në këtë moment. “

– Ky është rrëfimi i dytë në serinë prej katër artikujsh të  TND (Tribuna Ndërkombëtar e Drejtësisë (International Justice Tribunal), që e trajtojnë trashëgiminë e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavi para debatit të planifikuar „Përfundimi – gjykimet dhe vuajtjet e Tribunalit  për Krime të Luftës në ish Jugosllavi “, të cilin e organizojnë së bashku NIOD-i holandez, Instituti për studime mbi luftën, Holokaust dhe gjenocid dhe portali i internetit TND (Tribuna Ndërkombëtar e Drejtësisë) (IJT International Justice Tribune).  Debati do të organizohet në Amsterdam në datën 31 maj.  Regjistrimi dhe informatat shtesë mbi debatin dhe pjesëmarrësit:click here.–

 

(Vërejtje lidhur me të drejtën autoriale: „Ky tekst fillimisht është botuar në portalin International Justice Tribune, 24 maj, 2016. Vizitojeni faqen tonë të internetit www.justicetribune.com për kontribute të tjera ose na përcillni në rrjetet shoqërore Facebook ose në Twitter (@Justicetribune)“)