Lajme

Kosovës thirrje t’i mësojë nxënësit për krimet e luftës

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë tha se tekstet shkollore duhet të përmbajnë një kapitull mbi drejtësinë tranzicionale, i cili i mëson nxënësit për gjyqet e krimeve të luftës dhe si të përballen me të kaluarën.

 

Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, tha në një diskutim në një tavolinë të rrumbullakët në Prishtinë të premten se drejtësia tranzicionale duhet të mësohet nëpër shkolla që të rinjtë ta kuptojnë më mirë atë që ndodhi gjatë luftës.

“Nuk ka libër shkollor që i referohet mekanizmave të drejtësisë tranzicionale, kështu që ne besojmë se kur një person bëhet i rritur, ai/ajo duhet të ketë të paktën disa njohuri bazë të drejtësisë tranzicionale,” tha Blakaj.

Ai tha se ishte e rëndësishme që lënda të ishte pjesë e kurrikulës arsimore, në mënyrë që të rinjtë të dinin më shumë rreth mekanizmave të kërkimit të së vërtetës, siç janë komisionet e së vërtetës, dëmshpërblimet për viktimat dhe reformat institucionale.

“Ne besojmë se edukimi qytetar do të ishte lënda më e përshtatshme për të mbuluar drejtësinë tranzicionale, mekanizmat e drejtësisë tranzicionale, të cilat do të mbulonin gjyqet e krimeve të luftës dhe të rinjtë do të informoheshin mbi mënyrën se si organizohen ato, pse ka kaq pak dhe pse nuk ka asnjë mënyrë për të bërë më shumë,” tha Blakaj.

Një dokument i politikës së Fondit për të Drejtën Humanitare i hartuar në vitin 2015, që përkrah përfshirjen e drejtësisë tranzicionale në kurrikulën mësimore në shkollat e mesme, tha se nxënësit në Kosovë kanë një përshtypje të shtrembëruara të asaj që ndodhi gjatë luftës.

“Rinia e Kosovës aktualisht nuk po mësohet për çështje të drejtësisë tranzicionale, që përkthehet në një deficit shqetësues dijeje në rëndësinë e përballjes me të kaluarën,” thuhej në dokument.

Sipas dokumentit të politikës, situata ka pasoja shumë të më gjata për pajtimin, stabilitetin social dhe paqen.

Arber Salihu, themelues i Mësuesve të Historisë të Kosovës dhe koordinator për mësimin e historisë në Ministrinë e Arsimit, tha se në librat e historisë ka pasaktësi për viktimat e luftës sepse librat u shkruan menjëherë pas luftës kur nuk kishte të dhëna të sakta për viktimat.

“Tekstet e historisë u desh të hartoheshin në një periudhë shumë të shkurtër dhe ky ishte një handikap,” tha Salihu.

Ai tha se ka gabime dhe çështje të tjera që duhet të adresohen dhe një nevojë për të aplikuar metoda të reja mësimdhënieje.

“Këshilli i Europës është një promovues kyç për mësimdhënien e historisë dhe flet për një qasje multi-dimensionale, dhe kjo bën thirrje për përdorimin e më shumë burimeve, qofshin këto dokumente, statistika apo harta, që do t’i mundësonin studentëve të përballen direkt me burime të tilla dhe të dalin në përfundime,” tha Salihu.

Që prej vitit 2011, si pjesë e Programit të saj Drejtësia Tranzicionale, Fondi për të Drejtën Humanitare ka organizuar trajnime edukuese në shkollat e mesme në të gjithë Kosovën.

( Publikuar në Balkan Insight, 27.10.2017. )