KOMRA rrjeti i pajtimit

family

14.01.2016.

Festimet provokuese të ‘Ditës së Republikës’ sollën ndarje jo të mirëpritura në qytetin me Prijedorit

“Çfarë e mire mund të vijë nga kjo?”

Amela, një banore e Prijedorit në entitetin serb të Bosnjës, Republika Srska, ishte e shqetësuar për fjalimet nacionaliste, ceremonitë dhe pjesën tjetër të zhurmës rreth festimit më të madh të parë ndonjëherë të 9 janarit – Ditën e Republikës të serbeve te Bosnjës.

“Thjesht po mendoj se si të largoj fëmijët e mi që këtu. Pas të gjithë kësaj, jam edhe më e bindur se ata duhet të largohen sa më larg që këtu të jetë e mundur,” tha Amela për BIRN.

 

Një nga rrugët kryesore të Prijedorit zbukuruar me flamuj më 9 janar. Foto: BIRN

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Katarina Panic, BIRN, Prijedor

 

Për vite me radhë, boshnjakët, kroatët dhe serbët që jetojnë krah për krah në qytetin e Prijedorit në veriperëndim të Republikës Srpska janë përpjekur të anashkalojnë tensionet etnike që zakonisht shoqërojnë ngjarjet e tilla.

Por kjo detyrë këtë vit u vërtetua që ishte shumë e vështirë, duke qenë se Republika Srpska po sfidonte haptazi Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, e cila kishte vendosur se kjo festë ishte diskriminuese ndaj jo-serbëve dhe për këtë arsye ishte antikushtetuese.

Qeveria e entitetit vendosi të vazhdojë para me spektaklin gjithsesi, duke rritur ndjenjat nacionaliste serbe në të gjithë Republikën Srpska, duke shkaktuar zemërim dhe dënimin e kësaj gjëje nga ana boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin, dhe duke vënë në provë bashkëjetesën e brishtë në disa zona të mbetura me etni të përzierë, siç është edhe Prijedori .

Qeverisë vendase të Prijedorit iu kërkua rë varte flamujt e Republikës Srpska dhe dekorime të tjera në të gjitha rrugët kryesore dhe ndërtesat publike.

Këtë vit shumë banorë serbë vendosën të ndjekin shembullin dhe të vendosnin flamuj në shtëpitë dhe apartamentit e tyre, por dyqanet vendase – të pamësuar me kërkesa të tilla – përdorën vetëm një numër të kufizuar famujsh.

Shumë vendas erdhën në një dyqan dhuratash në Prijedor me shpresën për të blerë flamuj të mëdhenj, por nuk kishte asnjë të tillë.

“Për fat të keq, ne nuk kemi flamuj të mëdhenj, vetëm të vegjël. Ata i mbaj për dasma, sepse njerëzit i blejnë për t’i vendosur në makinat e tyre,” u tha shitësja klientëve të saj duke u kërkuar ndjesë.

“Kjo duhet të bëhet traditë për çdo 9 janar në të ardhmen. Është bukur të shikojmë flamujt tanë herë pas here. Nuk e kuptoj se si dikush mund të na ndalojë të festojmë ditën tonë,” shtoi ajo.

Një familje kalon pranë një bari ku valëviten flamuj në Prijedor. Foto: BIRN

Qeveria e Republikës Srpska, si edhe partitë politike nga blloku qeverisës serb i Bosnjës, organizuan një sërë eventesh të premten dhe të shtunën, në Banja Luka, qendrën administrative të vendit, por gjithashtu edhe në të gjitha qytetet e tjera të mëdha.

Në qendër të Prijedorit, aktivistë të rinj nga një nga partitë qeverisëse serbe shpërndanë kartolina me karikatura tallëse të Përfaqësuesit të Lartë Valentin Inzko, zyrtari më i lartë ndërkombëtar në Bosnjë dhe Hercegovinë, i cili është kritikuar vazhdimisht nga politikanët serbë.

Vullnetarë firmosin kartolina më 9 janar në Prijedor. Foto: BIRN.

Ata i kërkonin vendasve të firmosnin kartolinat dhe t’ia postonit ato direkt Inzkos.

Një kartolinë dërguar për Përfaqësuesin e Lartë Valentin Inzko. Foto: BIRN.

“Çfarë duhet të shkruaj?” pyeti një grua.

“Shkruaji të kthehet në shtëpi,” u përgjigjën aktivistët e rinj.

Në një tjetër shesh, dy vajza të reja, të dyja të mbështjella me flamurin e Republikës Srpska, shpërndanin kalendarë xhepi, flamuj të vegjël prej letre dhe bluza me sloganin “Festojmë Republikën”.

“E njëjta gjë po organizohet në të gjithë Republikën Srpska dhe është sponsorizuar nga qeveria,” shpjegoi njeri prej tyre për BIRN.

“Qeveria pagoi agjencinë, agjencia na angazhoi ne dhe RTRS-ja (stacioni kryesor radio-televiziv i Republikës Srpska) do ta transmetojë atë nesër,” tha ajo.

Një serb i moshuar foli duke i aprovuar festimet e Ditës së Republikës, e cila e përkujton themelimin e Republikës Srpska në vitin 1992 – një prej ngjarjeve që kumtoi shpërthimin e luftës në Bosnjë më vonë atë vit.

“Ne duhet të vazhdojmë të ruajmë traditën. Në fund, luftuam për krijimin e Republikës Srpska dhe duhet ta mbajmë fortë atë,” tha ai.

Një burrë blen një bluzë festive të Ditës së Republikës në Prijedor. Foto: BIRN

“Humba djalin dhe dy vëllezërit gjatë luftës, kështu që shpresoj që kjo të mos ketë shkuar më kotë,” shtoi ai.

Por shumë jo-serbë në Prijedor ishin të shqetësuar në lidhje me një shfaqje të tillë të hapur të ndjenjave nacionaliste.

Deri kur filloi lufta, Prijedor ishte një qytet i begatë industrial me rreth 110, 000 banorë, nga të cilët boshnjakët dhe serbët përbënin rreth 43 për qind secili, dhe pjesa tjetër që ngelej ishin kroatë dhe pakica të tjera etnike.

Por në fillim të konfliktit, njësitë paraushtarake serbe kryen spastrime entike në të gjithë rajonin e jo-serbëve, duke vrarë një total prej 3,173 boshnjakësh dhe kroatësh gjatë të gjithë procesit.

Nga rreth 50,000 jo-serbë që u larguan nga zona gjatë luftës, rreth 23,000 janë rikthyer që atëherë. Të tjerët kanë krijuar jetë të reja jashtë shtetit, por shumë prej tyre i mbajtën shtëpitë dhe apartamentet e tyre në Prijedor dhe i vizitojnë ende ato, sidomos gjatë verës.

Kjo bashkëjetesë e brishtë i ka bërë grupet e ndryshme etnike në Prijedor më të vetëdijshëm dhe të ndjeshëm ndaj pikëpamjeve dhe frikave të njëri-tjetrit.

Si rezultat, administrata e qytetit dhe banorët vendas zakonisht përpiqen qetësisht, por edhe me kujdes t’i anashkalojnë festa të mëdha dhe përçarëse etnike – siç është edhe dita e Republikës Srpska apo Dita e Pavarësisë së Bosnjës – në përpjekje për të shmangur nxitjen e ndjenjave nacionaliste.

Megjithatë, rrëmuja e shkaktuar nga ceremonia në gjithë entitetin më 9 janar ishte pothuajse e pamundur të shmangej këtë herë, madje edhe në Prijedor.

Megjithatë, përfaqësuesit e komunitetit islamik të Bosnjës heshtën në lidhje me festimet dhe refuzuan të jepnin ndonjë koment.

Përfaqësues të Kishës Katolike vendase, e cila përfaqëson shumicën e kroatëve të mbetur në zonën e Prijedorit, gjithashtu e minimizuan ngjarjen.

“Kjo datë nuk nënkupton asgjë për mua,” tha një prift katolik vendas, Marko Vidoviç, tha për BIRN.

“Nuk më interesojnë festat shtetërore dhe kjo është thjesht një e tillë. Nëse do të më pyesnit për Krishtlindjen dhe Pashkët, atëherë po që do të isha i interesuar,” tha ai.

Një nga zyrtarët e pakët boshnjakë në Prijedor që foli haptazi në lidhje me festimet ishte Mirsad Duratoviç, kreu i shoqatës vendase të të mbijetuarve të kampeve të përqendrimit dhe deputet në asamblenë komunale.

“Kushdo që feston Ditën e Republikës Srpska, mbjell ligësi dhe urrejtje,” shkroi Duratoviç në një letër të hapur dërguar kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili erdhi të festonte Ditën e Republikës në Banja Luka bashkë me zyrtarët e tjerë të Republikës Srpska.

Dita e Republikës feston Republikën Srpska si një etnitet politik, tha Duratoviç, por jo si një shtëpi për këdo që jeton atje.

 

(BIRN, 13.01.2016.)

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.