Lajme

Filmi si zë i viktimave

Lazar Stojanoviq

Përdorimi i fakteve mbi luftërat në territorin e ish Jugosllavisë në film

Forumi i X-të për Drejtësi Tranzicionale në shtetet e ish Jugosllavisë

Tregimet mbi luftërat në Ballkan gjatë dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit njëzetë ende janë të shpeshta, jo vetëm në kulturat lokale, por edhe në mediat kryesore. Kjo nënkupton se ngjarjet e luftës nuk zbehen as edhe pas dy dhjetëvjetëshave. As pas shtatë ose tetë dhjetëvjetëshash kur është fjala për luftërat botërore. Megjithëkëtë, diçka në lidhje me hulumtimin e këtyre luftërave tona ka ndodhur shumë më herët dhe krejt në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të planifikuar: shihet synimi që për luftën të flitet nga shumë këndvështrime relevante, që të dëgjohet zëri i të gjitha palëve në ato luftëra. Kjo është më e lehtë përderisa fitimtar zyrtar nuk ka dhe, së këndejmi, është e pranueshme që për fatet e njerëzve, komuniteti dhe shoqëria, mbi viktimat dhe kryerësit e krimeve, posaçërisht atyre nga kategoritë më të rrezikuara, të flitet pa ndërhyrjen e vlerësimeve politike dhe të paragjykimeve ideologjike. Mbi Luftën e Dytë Botërore ende shumë rrallë flasim në një mënyrë të tillë të lirë. Këtu, natyrisht, është fjala për ato më pak se dhjetë për qind të produkteve mediatike të hulumtimit gazetaresk dhe artistik, të cilat nuk përfshihen në propagandën e përditshme politike të pranishme në tërë rajonin, e cila i karakterizon më shumë se njëzet për qind të produkteve mediatike me tematikë të luftës.
Mundësia e një qasjeje të këtillë të pangarkuar e ka sugjeruar strukturën dhe përmbajtjen e sesionit mbi përdorimin e fakteve mbi luftërat në periudhën 1991-2001 në filmat e krijuar në rajon. Nuk është marrë parasysh vërshimi i produkteve televizive dhe filmike, të cilat në një diapazon të gjerë zhanror, nga fiksioni e deri te biseda në studio, e trajtojnë luftën si kontekst politik, e përdorin në mënyrë propagandistike ose synojnë që ta analizojë në mënyrë të përgjithësuar verbale. Janë zgjedhur shembujt e luftës, të cilëve lufta në mënyrë dramatike ua ka ndryshuar jetën, krahas ndërgjegjes së plotë se i ka ndryshuar jetët e të gjithë neve. Filmat e zgjedhur janë bazuar në fakte, të cilat përgjithësisht janë të pranueshme, në disa raste edhe të vërtetuara para gjykatës – por nuk janë gjerësisht të njohura ose shtypen nga qendra e vëmendjes publike. Duke pasur parasysh orientimin themelor të Nismës për KOMRA, është theksuar këndi i viktimës. Objektivi ka qenë që të hulumtohet dhe komentohet roli i filmit si mjet i mishërimit të atij këndi dhe instrument i hulumtimit të personalitetit dhe kontekstit në raport me këtë problem specifik dhe të lënë anash.

Filmi Tri dritare dhe një varje, autor i të cilit është Isa Qosja, flet mbi një shqiptare të dhunuar, e cila nga viktima shndërrohet në fajtore, sepse historinë e saj ua ka përcjellë mediave.

Regjisori Janko Baljak ka folur mbi hulumtimin e themeltë, mbi të cilin është bazuar filmi i tij Vukovari – prerja e fundit dhe mbi përvojën unikale të punës në ko-produksionin e parë të Kroacisë dhe të Serbisë në këtë lloj të filmit.

Ivana Laliq, autorja e filmit Dëshmitarët, ka paraqitur pjesë të xhirimeve të deklaratave të dëshmitarëve kyç në proceset gjyqësore për dhunë ndaj civilëve në Kosovë. Pranimi i rolit të dëshmitarit të mbrojtur në mënyrë drastike ndryshon edhe jetën e mëtejme në bashkësi dhe botëkuptimin e dëshmitarit për ngjarjet, mbi të cilat ai dëshmon, ndonjëherë edhe të gjithë pjesën e mbetur të jetës së atij personaliteti, duke përfshirë këtu edhe identitetin.

Fëmijë si të gjithë të tjerët, film i Pjer Zhalicës, është një vështrim në fëmijët, të cilët kanë dalë nga lufta të dëmtuar, shpirtërisht dhe trupërisht. Duke zbuluar botën e tyre të brendshme, Zhalica ka theksuar se në B dhe H nuk ka fëmijë të padëmtuar nga lufta.

Filmi Pjesërisht serbë

Sesionin e ka moderuar autori i këtij teksti.