KOMRA rrjeti i pajtimit

Romeo_and_Juliet

04.05.2015.

Rreth Romeo dhe Zhulieta

kosovo 2.0

 

DRONË TË TJERË DO TË FLUTUROJNË MBI KOKAT TONA

Në vitin 2008, Qendra Multimedia nga Kosova dhe Kulturanova nga Serbia inicuan dhe realizuar një projekt ambicioz që në fazën e tij finale kulmoi me shfaqjen teatrore “Patriotic Hypermarket”, e cila u dha si premier në tetor të vitit 2011 në Teatrin Bitef të Beogradit. Aktorët e kësaj shfaqjeje ishin shqiptarë dhe serb, kurse regjisori ishte nga Bosnja e Hercegovina. Cinikët do t’thoshin: në këtë mes, paska munguar vetëm edhe një kroat.

NGA JETON NEZIRAJ – MAJ 04, 2015

 

Teatri ku luhej shfaqja në gjuhën shqipe e serbe ruhej nga policia, natyrisht. Në premierën e shumëpritur pati duartrokitje të gjata, ndoshta më të gjatat që një aktor mund t’i ëndërroj ndonjëherë. Ishin vërtetë duartrokitje emocionale. Publiku po i duartrokiste shfaqjes dhe aktorëve, por para së gjithash, besoj unë, po i duartrokiste faktit që, më në fund, mbas kaq shumë vitesh, ishte bërë e mundur realizimi i një projekti të tillë artistik, ku në skenë, bashkarisht, mund të luanin aktorë serb e shqiptarë.

Realizimi i shfaqjes natyrisht i ka pasur sfidat e veta. Presioni tek aktorët dhe të tjerëve të përfshirë në projekt ka qenë i madh dhe ai presion ka ardhur nga të gjitha drejtimet, sa nga politika, sa nga publiku, e po aq edhe nga një pjesë e vet komunitetit artistik. Që para premierës shfaqja në Serbi pati nisur të quhej si “antiserbe” e në Kosovë, ndërsa, ajo quhej si “antishqiptare”. Më kujtohet njëherë gjatë atyre ditëve kur po punonim në Beograd, kishim vendosur të ktheheshim me aeroplan nga Beogradi në Shkup. Aeroplani i vjetër serb i JAT-it me të cilin fluturuam dridhej duke u përplasur me erën dhe shiun që binte. Gjatë asaj kohe të shkurtër të fluturimit, njëri nga aktorët shqiptar që ishte me mua në aeroplan po më thoshte me humor: “po u rrëzua ky aeroplan, do të vdesim si tradhëtar. Shpresoj që mbetemi gjallë edhe kësaj radhe, në mënyrë që t’kemi kohë të bëjmë edhe ndonjë vepër patriotike”.

Përgjithësisht, në Ballkan, kjo puna e bashkëpunimit kulturor ndëretnik i ka gjasuar asaj punës së  deminuesve që, me kujdes duhet të vendosin se ku do të vejnë shputën e radhës. Sepse mina është aty dikund, nën këmbët e tyre.

Por ato duartorikitje të gjata në Beograd, në të vërtetë, unë i pata kuptuar si një mesazh triumfi që ai publik po përcillte për atë anën tjetër të publikut, që shfaqjen dhe krejt bashkëpunimin me “këta shqiptarët” e patë parë me rezervë dhe me përçmim.

Njerëzit që kanë qenë dhe që sot akoma janë aktiv në këso lloj bashkëpunimesh kulturore serbo-shqiptare jan cak etiketimesh e stigmatizimesh. Megjithatë, rrethi i atyre artistëve të përfshirë në këto shkëmbime kulturore është zgjeruar dukshëm në krahasim me, ta zëmë, disa vite më parë. Më shumë artist serb sot janë të gatshëm të vijnë në Kosovë dhe të bashkëpunojnë me artistë shqiptar dhe anasjelltas. Shumë nga artistët kosovar që dje derdhnin mllef dhe jargaviteshin kundër bashkëpunimeve të kësaj natyre, sot janë përfshirë edhe vet në bashkëpunime të këtilla. Dhe kjo është e kuptueshme, natyrisht.

Shkëmbimet dhe bashkëpunimet e këtilla, sado të pakëta, kanë pasur ndikim fundamental në relaksimin e raporteve serbo-shqiptare. Ky ka qenë një proces i rëndësishëm dhe i cili,  në të ardhmen, duhet të intensifikohet edhe më shumë. Pasi që dy kulturat, ajo shqiptare dhe ajo serbe, ndër shekuj, janë ndërtuar mbi parimin e përjashtimit të njëra-tjetrës, të mohimit, denigrimit dhe përbuzjes.

Mund të tingëlloj superambicioze, por le ta bëjmë një pyetje të thjeshtë: pa këtë lloj bashkëpunimi kulturor të filluar, a do t’kishte qenë i mundur ky dialogu politik i nisur mes dy qeverive, serbe dhe kosovare? Unë them se jo. Para së gjithash, sepse bashkëpunimi kulturor mes artistëve nga Kosova dhe Serbia ka absorbuar nga opinioni një pjesë të mirë të asaj energjie së përbuzjes dhe urrejtjes të akumuluar tash e sa vite, ka shterrur atë frustrimin e nacionalistëve të të dyja taborreve, duke trasuar kështu një rrugë mbi të cilën, pastaj ka mundur të ecë dhe veproj edhe politika.

Rreth katër vite mbas realizimit të “Patriotic Hympermarket”-it, sivjet është realizuar një projekt edhe më ambicioz shqiptaro-serb. Por tani, në rrethana dhe kushte krejt të reja, jo domosdoshmërisht më të favorshme.

“Romeo dhe Zhulieta” një shfaqje tjetër me aktorë shqiptarë dhe serb, në regji të artistit të mirënjohur serb Miki Manojlovic, e prodhuar nga Qendra Multimedia nga Prishtina dhe Radionicai Integracija nga Beogradi u dha para disa ditësh premierë në Beograd, kurse me 15 maj do të ketë premierën Kosovare. Sërish para Teatrit Kombëtar të Serbisë ku u dha shfaqja pati forca policore, dhe njëjtë do të jetë edhe në Prishtinë. Dhe megjithë këtyre barrierave, kjo shfaqje e ka zhvendosë bashkëpunimin shqiptaro-serb në një nivel tjetër, më ambicioz.

Vëmendja e publikut ka qenë e jashtëzakonshme, ashtu siçka qenë edhe vëmendja e mediave lokale e ndërkombëtare. Impakti i tërësishëm i këtij projekti akoma ngelet për t’u parë, megjithatë, as s’është trimërues fakti që, për realizimin e tij, për herë të parë, kanë kontribuar dy qeveritë, ajo serbe dhe kosovare? A s’është inkurajues fakti që, shfaqja, në Beograd, u dha në Teatrin Kombëtar të Serbisë kurse në Prishtinë do të jepet në Teatrin Kombëtar të Kosovës? Dhe, një ndryshim tjetër, po aq i rëndësishëm: për “Patriotic Hypermarket” shumë pak aktorë ishin të gatshëm të përfshiheshin, ndërsa që për “Romeo dhe Zhulieta” interesimi ka qenë tejet i madh. Rreth 80 aktorë kanë kaluar nëpër audicionet që janë mbajtur në Prishtinë për këtë shfaqje. Këto që mund të duken hapa të vegjël, në të vërtetë, janë hapa gjigant.

Por ky lloj ‘triumfi i artit’ nuk guxon të na ‘dehë’. Sepse, mbi qiejt e Sërbisë a të Kosovës një ditë sërish mund të fluturoj një dron i marrë, si ai i tetorit të vitit të shkuar, mbi stadiumin e futbollit në Beograd. Dhe atëherë, sërish, shpatat do t’nxjerren nga këllefet dhe, nëse jo gjaku, do t’derdhet mllefi racist i të dyja palëve. Dhe sërish, ne artistët do ta gjejmë vehten duke belbëzuar për rolin e artit për t’i ofruar njerëzit, sërish do t’lexojmë nëpër media për këtë apo atë shfaqje a ekspozitë që bëhet e para që udhëton në Beograd (apo në Prishtinë), mbas këtij apo atij “droni”. Fatkeqësisht, dronët do t’i kemi mbi kokat tona edhe për një kohë.

Gjithashtu është ndoshta naive të presim që kastat politike në Kosovë e në Serbi, në të ardhmen, do të vazhdojnë të mbështesin shkëmbimet kulturore mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk jam shumë optimist në atë drejtim, sepse, para së gjithash, ata nuk besojnë në procesin politik të normalizimit të raporteve, e aq më pak mund të besojnë në ndonjëfarë përfitimi nga shkëmbimet kulturore mes këtyre dy shteteve.

Pavarësisht krejt këtij pejsazhi jo-dashamirës, jam i sigurt se, mbas disa vitesh bashkëpunimi kulturor kosovaro – serb do të jetë i natyrshëm,  dhe thuaja tërësisht i zhveshur nga konteksti politik. Me fjalë të tjera, ardhja e një trupe teatri nga Beogradi nuk do të përbëj lajm. Lajmin do ta bëj cilësia ose moscilësia e saj. Dhe njejtë do të jetë me krijimet artistike të artistëve Kosovar që do të prezentohen në Beograd.

Shumë vite më përpara (atëherë kur Kosova akoma nuk kishte zyre të saj në Beograd), Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Beograd – CZKD (që drejtohet nga dramaturgia legjendare Borka Pavicevic), me humor, e pata quajtur si “Ambasada kulturore e Republikës së Kosovës në Beograd”. Njerëzit patën qeshur dhe nuk më kujtohet të kem parë ndonjë fytyrë të mvrenjtur mes atij publiku beogradas. Dhe vërtetë, hapësirat si CZKD e kanë bërë historinë kulturore të këtij regjioni. Ato kanë qenë vendet e ‘çliruara’ nga fashizmi, racizmi, nacionalizmi e nga shumë ‘izma’ të tjerë të cilët, në hapçsirat tona ballkanike, këto dy dekada, i kemi pasur si me shumicë.

Por, këto lloj ‘ambasadash kulturore’ nuk mund t’i krijojnë qeveritë, ato i bëjnë njerëzit, artistët para së gjithash, artistët e lirë…

 

 Kosovo 2.0

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.