07.12.2016.
Aktivistët i bëjnë thirrje Malit të Zi të ndëshkojë sulmuesit e Dubrovnikut
Dubrovnik, Mali i ZiDuke shënuar 25-vjetorin e sulmit të Ushtrisë Popullore Jugosllave në qytetin portual kroat të Dubrovnikut, grupet e të drejtave të njeriut i bënë thirrje autoriteteve të ndjekin penalisht malazezët që morën pjesë me të.
Tre OJQ i thanë prokurorisë shtetërore në Podgoricë të hënën se ndjekja penale e personave përgjegjës për krimet e kryera gjatë sulmit në qytetin kroat të lashtë portual të Dubrovnikut më 6 dhjetor 1991 ishin vonuar shumë.
Tre organizatat Veprimi për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Edukim Qytetar dhe Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën me bazë në Zagreb vunë në dukje se në Mal të Zi s’ka pasur kurrë asnjë dënim në lidhje me bombardimin e Dubrovnikut nga Ushtria Popullore Jugosllave, JNA, gjatë të cilit 19 persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën.
Ata i bënë thirrje prokurorisë të përpiqet më shumë për të hetuar krimet e luftës të kryera nga shtetasit malazezë që luftonin si ushtarë të JNA-së në territorin kroat në vitin 1991.
OJQ-të i bënë gjithashtu thirrje prokurorisë të rishqyrtojë provat ekzistuese të arkivuara.
Në vitin 2012, u ngritën padi kundër disa rezervistëve pa emër të Ushtrisë Popullore Jugosllave nga Mali i Zi, të cilët dyshoheshin për vrasjen e civilëve në fshatin Zekovica, pranë aeroportit të Dubrovnikut, por deri më tani nuk është hapur asnjë çështje e lidhur me bombardimin.
“Dënimi për krimet siguron që të përballemi me ndershmëri me të kaluarën dhe kësisoj kjo gjë mund të parandalojë kryerjen e krimeve të reja. Gjithashtu, i bëjmë thirrje të transmetuesit publik RTCG të hapë një dialog brenda programacionit të tij në lidhje me këtë pjesë shumë të rëndësishme të historisë së Malit të Zi dhe pasojat e ndjekjes joadekuat të krimeve,” thanë OJQ-të në një deklaratë të përbashkët.
Sulmi në Dubrovnik, i cili është pranë kufirit të Malit të Zi, dhe në rajonin Konavles që e rrethon atë, filloi më 1 tetor 1991.
Ushtria Popullore Jugosllave, përfshirë një numër të madh ushtarësh dhe rezervistësh malazezë, e rrethuan qytetin për nëntë muaj.
Qyteti i vjetër i Dubrovnikut, i cili është një vend i shpallur trashëgimi botërore nga UNESCO, pësoi dëme të mëdha gjatë bombardimit.
Në vitin 2008, Pavle Strugar, i cili komandonte forcat e Ushtrisë Popullore Jugosllave gjatë sulmit në Dubrovnik, u dënua me shtatë vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Hagës.
Ai u lirua para kohe në vitin 2009, pasi kishte kryer dy të tretat e dënimit të tij.
Në vitin 2000, Milo Djukanoviç, në atë kohë kryeministër i Malit të zi, i kërkoi ndjesë zyrtarisht Kroacisë për vuajtjet dhe humbjet që kishin shkaktuar ushtarët malazezë, sidomos në zonën e Dubrovnikut.
(Publikuar në BalkanInsight 6. 12. 2016.)