KOMRA rrjeti i pajtimit

koha

01.03.2017.

Kandiq: Çështja e të zhdukurve nuk duhet t’u lihet qeverive të tanishme

Kosovo, Natasha Kandiq

Fitim Gashi

Prishtinë, shkurt – Themelimi i Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim “nga lartë” pa konsultim gjithëpërfshirës është i destinuar të dështojë, ka thënë themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH), Natasha Kandiq. Në një intervistë për “Kohën Ditore”, ish-drejtoresha e këtij fondi ka rikujtuar se edhe ish-presidenti i Serbisë, Vojisllav Koshtunica e kishte formuar Komisioni Kombëtar, por pas një viti kishte pushuar së funksionuari pa kurrfarë raporti. “Presidenti Thaçi nxiton së tepërmi, mendon se gjithçka nis prej tij, se askush para tij nuk ka pasur kurrfarë ideje. Ai nxiton, sikur do t’i ikën treni”, ka thënë Kandiq. Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës, sipas Kandiqit, kanë identifikuar të gjitha viktimat e luftës, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare. Organizatat e përmendura kanë konstatuar edhe rrethanat e vdekjes së të gjitha 13.500 viktimave. Ajo ka treguar se në proces është hartimi i rrëfimeve për secilën viktimë individualisht. “Kështu që ekziston një hapësirë më e madhe për ndërmarrjen e hapave që i kontribuojnë pajtimit”.

Kandiq po ashtu ka theksuar se çështja e të zhdukurve dhe zbulimi i varrezave masive duhet të jetë në agjendën e dialogut në Bruksel dhe siç ka thënë ajo, “kjo çështje nuk mund tu lihet në duar qeverive aktuale”.

Dyshimet e Kandiqit për komisionin e Thaçit

KD: Znj. Kandiq si e vlerësoni iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për krijimin e një komisioni për të Vërtetën dhe Pajtim?

Kandiq: Ai ishte në krye të Qeverisë së Kosovës, e cila më 4 qershor 2012 ka marrë vendimin për formimin e grupit ndërkombëtar punues për përballjen me të kaluarën dhe pajtimin, i cili, përveç të tjerash, kishte për detyrë që të promovonte pajtimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Në fillim të shkurtit të këtij viti, UNDP-ja dhe Ambasada e Zvicrës organizuan një tubim, në të cilin folën anëtarët e grupit të përmendur ndërministror, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të potenconte asgjë konkrete rreth asaj se çfarë ka bërë ky trup qeveritarë gjatë katër vjetëve e gjysmë.

Që prej ardhjes në pushtet, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur kurora lulesh pranë monumentit të fëmijëve në Gorazhdevc dhe përkujtimores në Staro Gracko, dhe është takuar, për të parën herë, me përfaqësuesit e shoqatës së familjeve të viktimave serbe, të cilët jetojnë në Kosovë, gjë kjo që u vlerësua pozitivisht në shoqërinë civile në Serbi dhe rajon.

Befasisht, paralajmëroi formimin e Komisionit Kombëtar për të vërtetën dhe pajtimin. Ai sikur nuk është i njoftuar se ish-presidenti i Jugosllavisë, Vojislav Koshtunica, e kishte formuar Komisionin Kombëtar dhe se ai pas një viti ka pushuar së funksionuari, pa kurrfarë raporti.

Duhej të ishte i informuar për shkaqet e mossuksesit të këtij Komisioni – një prej tyre gjithsesi ishte se vendimi është marrë “nga lartë”, pa konsultimin me shoqërinë civile. Ideja për Komisionin Kombëtar në Bosnje e Hercegovinë po ashtu nuk është realizuar, edhe pse kishte buruar nga shoqëria civile – njëra prej arsyeve ishte se shtrohej pyetja për pjesëmarrjen e formacioneve ushtarake të Serbisë dhe Kroacisë në luftë dhe krimet e kryera të luftës, kështu që me të drejt është shtruar pyetja për efikasitetin e këtij komisioni pa pjesëmarrjen e Serbisë dhe Kroacisë.

KD: Sipas jush, ky do duhej të jetë një trup rajonal…

Kandiq: Presidentit kosovarë, këshilltarët e tij do të duhej ta njoftonin se viktimat shqiptare, të cilat kanë marrë pjesë në procesin trevjeçar konsultues për përballjen me të kaluarën, në organizatën e Koalicionit për REKOM, si dhe viktimat e kombësive të tjera, konsiderojnë se një trup rajonal ka më shumë fuqi për ta mundësuar pranimin e viktimave nga ana e shtetit përgjegjës se sa ka fuqi ndonjë trup lokal, kombëtar.

Për viktimat shqiptare me rëndësi është që t’i pranojë Serbia si shtet, që shteti të kërkojë falje për krimet, që opinioni publik në Serbi të tregojë dhembshuri… Në Kosovë tash e 18 vjet flitet për viktimat shqiptare dhe krimet serbe, e vetëm tërthorazi përmendet se ka edhe viktima serbe. A është qëllimi i Komisionit që serbët në Kosovë të përballen me krimet ndaj shqiptarëve? Serbët që kanë mbetur në Kosovë, në veri të Mitrovicës, kanë më së paku lidhje me krimet që kanë kryer forcat serbe. Publiku në Serbi, të cilin tani e përbëjnë edhe serbët e ikur nga Kosova, është ai që duhet të përballet me krimet ndaj shqiptarëve. Nuk duhet harruar se familjet serbe që i kanë të vdekur apo të zhdukur anëtarët e tyre të familjes janë kryesisht në Serbi apo në Mal të Zi. Këto familje nuk do të vijnë në Kosovë për të dëshmuar para Komisionit Kombëtar, siç as Komisioni Kombëtar i Kosovës nuk mund ti thërras viktimat shqiptare që të dëshmojnë në Serbi. Kështu tregohen se në rastin e viktimave të luftës në Kosovë ndonjë trup kombëtar mund të jetë i dobishëm vetëm nëse e merr ndonjë detyrë qartazi më të vogël, por se pranimi i viktimave kërkon një shtrirje rajonale.

Është shumë me rëndësi që të cekë se të gjitha viktimat e luftës në Kosovë dihen me emër dhe mbiemër. Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Fondi për të Drejtën Humanitare të Kosovës kanë identifikuar të gjitha viktimat e luftës, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare. Organizatat e përmendura kanë konstatuar edhe rrethanat e vdekjes së të gjitha 13.500 viktimave. Në proces është hartimi i rrëfimeve për secilën viktimë individualisht. Kështu që ekziston një hapësirë më e madhe për ndërmarrjen e hapave që i kontribuojnë pajtimit. Për shembull, serbët janë tepër të izoluar në Kosovë. Nuk ka mbështetje për ata që duan të kthehen. Për shembull, çdo vit po përsëriten skenat nga Mushtishti dhe Gjakova. Nuk besoj se banorët e Mushtishtit po e bllokojnë rrugën, nuk i lejojnë serbët që të kthehen në fshat, nuk besoj se zotërinjtë nga Gjakova i godasin me gurë serbët që shkojnë aty me rastin e ndonjë feste fetare. Këto janë ngjarje që kërkojnë angazhimin e presidentit të Kosovës, bashkësisë lokale dhe jo i shteteve të rajonit.

Mirëpo për pranimin e viktimave, për hapjen e arkivave, dokumenteve dhe varrezave sekrete nevojitet qasja rajonale, një trup rajonal. Për vite me radhë tanimë flasim për REKOM-in, KOMRI-in dhe përnjëherë puna dhjetëvjeçare e shoqërisë civile rajonale për dokumentimin e viktimave, për ndërtimin e besimit dhe solidaritetit me të tjetër, nuk ka rëndësi, presidenti i Kosovës ka një ide të re. Hashim Thaçi nuk është presidenti i parë i Kosovës. Para tij, presidentja Jahjaga ka provuar t’i përafrojë viktimat kosovare me viktimat e tjera në rajon. Sikurse edhe presidentët e tjerë në rajon, në vitin 2014, ajo emëroi të dërguarin e saj personal për REKOM, i cili ishte anëtar i barabartë i Grupit të Ekspertëve, i cili punoi për një vit resht në analizimin e propozimit të Statutit të REKOM-it dhe ka prodhuar një dokument të mirë për mandatin e Komisionit Rajonal. Presidenti Thaçi nxiton së tepërmi, mendon se gjithçka nis prej tij, se askush para tij nuk ka pasur kurrfarë ideje. Nuk është kështu, ai duhet të thërrasë përfaqësuesin e Koalicionit për REKOM, Selim Selimin, ish-këshilltarin e presidentes Jahjaga dhe të bisedojë për përvojat e mira të iniciativave kombëtare dhe për përparësitë e qasjes rajonale. Në takim me të, më 17 dhjetor 2016, e pyetja për idenë e Komisionit Kombëtar, sepse atëbotë kishte nisur të flitej për atë se presidenti i Kosovës po e themelon Komisionin Kombëtar, por nuk e kuptova argumentimin dhe vizionin e tij. Ai nxiton, sikur do ti ikën treni.

KD: Sa ka vullnet dhe dëshirë për pajtim? Sa mund të jetë i qëndrueshëm ky pajtim nëse bëhet pjesë e politikës ditore?

Kandiq: Ka qenë e paparashikueshme që një politikan shqiptar të vendos lule për fëmijët e vdekur serbë. Ky ishte një veprim shumë i mirë. Nga ana tjetër, e kam fjalën për politikanët në Serbi, asnjë prej tyre nuk ka shkuar në Batajnicë apo Petrovo Selo dhe të vendos lule në vendin ku kanë qenë të varrosura viktimat shqiptare, në mesin e të cilëve edhe fëmijë.

Pyetjes nëse ekziston vullneti për pajtim vështirë mund ti jepet përgjigje. Të gjithë politikanët në rajon veprojë bazuar në interesat partiake dhe jo në interesat e shtetit dhe gjeneratave të ardhshme. Viktimat shqiptare janë të pranuara në nivel ndërkombëtar, kjo gjë u siguron hapësirë politikanëve kosovarë që të tregojnë empati të fortë ndaj viktimave serbe dhe rome, sepse këto viktima janë pesëfish më të pakta. Nuk mund të shpjegoj se çfarë ka ndodhur në bashkësinë shqiptare, e kam fjalën për bashkësinë politike dhe shoqërinë civile, e që gjatë këtyre viteve i është kushtuar më pak vëmendje krimeve të papritura të pas qershorit të vitit 1999 – krimet kryesisht janë heshtur apo janë përkufizuar në një apo dy incidente.

Pajtimi duhet të jetë i qëndisur edhe në politikat ditore. Unë nuk mund të shpjegoj se çfarë po ndodh me vijën e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Ky shtet gjatë luftës ka pranuar rreth 100.000 shqiptarë që janë dëbuar nga ana e forcave serbe, ndërsa opozita kosovare po sillet me armiqësi ndaj fqinjit që ua ka zgjatur duart njerëzve në telashe. Do të doja të shoh se si Parlamenti i Kosovës ia kushton një seancë veprimeve të mira të fqinjit, Malit të Zi.

Çështja e të zhdukurve, duhet të jetë në agjendën e dialogut

KD: Në lista ende vazhdojnë të figurojnë shumë persona të zhdukur, ku familjarët e tyre ende nuk dinë për fatin e tyre. A mund të arrihet pajtimi pa e gjetur të vërtetën e këtyre personave?

Kandiq: Çështja e të zhdukurve dhe zbulimi i varrezave masive duhet të jetë në agjendë të dialogut në Bruksel. Kjo çështje nuk mund tu lihet në duar qeverive aktuale. Problemi qëndron në faktin se Qeveria e Serbisë nuk është e gatshme që të mundësojë qasjen në dokumente dhe arkivat e formacioneve ushtarake dhe policore, të cilat padyshim se përmbajnë edhe të dhënat për aksionet në të cilat janë vrarë një numër i madh civilësh dhe për atë se çfarë ka ndodhur me ta, ku janë dërguar dhe fshehur trupat e tyre. Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës duhet të bind ish-komandantët e UÇK-së që të dorëzojnë informata për fatin e serbëve dhe romëve të zhdukur. Politikanët kosovarë nuk mund të arsyetohen me faktin se nuk kanë pasur kompetenca për ndërmarrjen e hetimeve dhe se UNMIK-u dhe KFOR-i janë adresat ku duhet adresuar kërkesën për sigurimin e informatave për të zhdukurit.

KD: Ju po ashtu keni publikuar edhe raporte të shumta që flasin për krimet e ndodhura në Kosovë, dhe po ashtu keni ngritur padi. Sa janë adresuar nga organet kompetente faktet që ju keni ofruar?

Kandiq: Fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar raporte të shumta dhe dosje për krimet e kryera të luftës në Kosovë. Ka ngritur po ashtu edhe padi të shumta penale kundër oficerëve të Ushtrisë së Serbisë. Kur u themelua Prokuroria për krime luftë më 2003, dukej sikur prokuroria do të kryente punën e vet dhe të padiste para së gjithash komandantët, dhënësit e urdhrave, të rangut të mesëm.

Fillimi ishte i mirë, por sot ky institucion tashmë një vit e gjysmë nuk e ka kryeprokurorin për krime luftë. Gjykimet ekzistuese po zhvillohen ngadalë, viktimat më nuk u besojnë institucioneve të Serbisë, si në kohën kur gjykoheshin policët për vrasjen e familjes Berisha. Presidenti i Serbisë ka dekoruar shefin shtabit të përgjithshëm ushtarak në zonën e përgjegjësisë së të cilit, gjatë luftës në Kosovë, janë vrarë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë.

KD: A mendoni se fati i këtyre personave po mbahet peng nga politika. Në këtë drejtim, a është i mundur pajtimi pa drejtësi?

Kandiq: Pajtimi është proces i vazhdueshëm. Gjermanët edhe më tutje kontribuojnë në pajtimin me të kaluarën e tyre, prej këtu edhe burim kultura kaq e madhe e kujtimit të keqbërjeve dhe shprehja e dhembshurisë për jetët e humbura. Çdo vit mund të shohim një formë të reja bashkëndjesie. Iniciativat lokale janë goxha të pasura dhe në to marrin pjesë intelektualët, shkollat, qytetarët. Kjo është kultura, të cilën, ne nga Ballkani, duhet ta mësojmë.

Gjykimet për krime të luftës po që se janë të rëndësishme, para së gjithash për shkak të fakteve që gjykata do t’i mbledh dhe vërtetojë, për shkak të fuqisë që kanë faktet gjyqësore. Problemi qëndron në faktin se gjykimet janë të kthyera kah kryerësit, ndërsa viktimat shërbejnë në funksion të dëshmive. Përveç kësaj, kapacitetet e gjykatave janë të vogla, gjykimet zgjasin shumë, kështu që me mijëra e mijëra kryerës do të mbesin të padënuar. Kombinimi i gjykimeve dhe i Komisionit Rajonal për pajtim është opsioni më i mirë për përballjen me të kaluarën. Ballkani ndodhet në një situatë të tillë, ka gjykime por ka edhe nevojë për një trup të përbashkët (rajonal), i cili do të merret me pranimin e viktimave.

KD: Më herët ju keni iniciuar një iniciativë rajonale për pajtim. Cili është efekti që ka dhënë kjo iniciativë?

Kandiq: REKOM është iniciativa që ka më së shumti gjasa që të shndërrohet në një projekt ndërshtetëror. Koalicioni për REKOM gjatë ekzistimit të vetë nëntëvjeçar ka arritur të dokumentojë rreth 23.000 viktima të luftës dhe rrethanat e vdekjes së këtyre viktimave, si dhe rreth 600 llogore në Bosnje e Hercegovinë. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faktin se Tribunali i Hagës ka përcaktuar identitetin e rreth 12.000 viktimave të krimeve të luftës, atëherë mund të themi se kemi rezultate të lakmueshme për krijimin e kornizës për pajtim në rajon. Ideja e REKOM-it (KOMRA) është shumë e vlefshme sepse ky komision nuk do të niste nga zeroja por nga të dhënat e bazuara për 35.000 viktima të luftës që në krahasim me 130.000 viktima të luftës, në periudhën prej janarit të vitit 1991 deri në fund të dhjetorit të vitit 2000, nuk është aspak e parëndësishme, por për më tepër është garanci se pajtimi duhet të shkojë në këtë drejtim – së pari, të dihen emrat dhe rrethanat e vrasjes së të gjitha viktimave.

KD: A  është i mundur arritja e pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve, pa u përmbyllë çështja e Kosovës, ku Serbia vazhdo të mos e njoh shtetin e Kosovës?

Kandiq: Serbia dhe institucionet e saj do të duhet të bashkëpunojnë me Gjykatën Speciale për krime të luftës të cilat i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së. Kjo gjë do të nënkuptonte njohjen e institucionit të Kosovës, i cili do ta hap rrugën për bashkëpunimin me Prokurorinë kosovare për krime të luftës. Gjykata Speciale do të gjykojë bazuar në ligjet kosovare, pasi është gjyq kosovar. A mund të njihet gjykata e një shteti, i cili nuk njihet? Shumë shpejt do ta shohim reagimin e Qeverisë së Serbisë.

KD: Presidenti Hashim Thaçi më herët pati thënë se do ta padisë Serbinë për gjenocid. A do duhej Kosova ta bëjë këtë? 

Kandiq: Kjo deklaratë e presidentit Thaçi është politike dhe e panevojshme. Tribunali i Hagës nuk e ka marrë asnjë vendim lidhur me gjenocidin në Kosovë.

(Published on Koha Ditore, 26. 02. 2017. )

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.