KOMRA rrjeti i pajtimit

24.05.2018.

KOMRA planifikon të fillojë punën në vitin 2022

Procesi Berlinit

Një koalicion që po bën fushatë për krijimi e komisionit KORMA për gjetjen e fakteve mbi luftërat e viteve 1990 tha se ai planifikon të fillojë punën në vitin 2022.

Koalicioni për KOMRA paraqiti të mërkurën një plan veprimi i cili deklaron se komisioni ballkanik i së vërtetës duhet të formohet deri në vitin 2021 dhe të fillojë punën më 16 prill 2022.

“Kjo do të bëjë të mundur përfundimin e misionit të tij deri në fund të vitit 2025,” sipas dokumentit të udhërrëfyesit që shoqëron planin e veprimit.

Koordinatorja e Koalicionit për KOMRA, Natasa Kandiç, tha për mediat në Beograd se viti 2025 është një pikë kthese e mundshme në marrëdhëniet midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

“Plani i veprimit për vënien në zbatim të strategjisë së re të Ballkanit Perëndimor në mënyrë eksplicite përmend krijimin e KOMRA-së si një masë të domosdoshme,” tha Kandiç, sipas agjencisë së lajmeve Beta.

KOMRA synon të krijojë një listë me emra të të gjithë njerëzve të vrarë, të zhdukur, të burgosur dhe të torturuar në të gjitha konfliktet në ish-Jugosllavi.

Plani i veprimit parashikon që Serbia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, të cilët tashmë kanë premtuar mbështetje për KOMRA-n, duhet të nënshkruajnë një Deklaratë mbi KOMRA-n në korrik të këtij viti gjatë samitit të Londrës të Procesit të Berlinit, një nismë diplomatike e lidhur me zgjerimin e BE-së.

Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia duhet t’i bashkohen Deklaratës deri më 10 korrik 2019, dhe hapat e nevojshëm drejt krijimit të KOMRA-së deri në qershor 2020 duhet të ndërmerren nga të gjitha vendet e përfshira, sipas planit të veprimit.

Deri në fund të majit 2021, presidentët e ish-shteteve jugosllave duhet të nënshkruajnë statutin e KOMRA-së, i cili duhet të hyjë në fuqi deri në fund të atij viti.

Themeluesja e OJQ-së kroate Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën, Vesna Terseliç, tha për kanalin televiziv rajonal N1 se ajo nuk e kupton mungesën e mbështetjes për nismën nga Kroacia dhe Bosnja.

“Ne kemi nevojë për mbështetje nga Kroacia, Bosnja dhe Sllovenia. Ka probleme në lidhje me çështje të thjeshta humanitare, siç janë fati i personave të zhdukur dhe intensifikimi i bashkëpunimit në përpunimin e krimeve të luftës,” tha Terseliç.

Koalicioni për KORMA filloi të mblidhte firma në mbështetje të nismës në vitin 2011 në të gjitha kryeqytetet e republikave të ish-Jugosllavisë, si edhe në internet.

Ai vuri si qëllim të mblidhte një milionë firma dhe deri më tani ka mbledhur më shumë se 600,000.

(Publikuar në balkaninsight, 23.5.2018.)

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.