31.08.2020.
BIRN – “Ai ishte zhdukur”: Kujtime të të zhdukurve të luftërave në Ballkan
Balkan Insight, Balkan Transitional Justice, BIRN, Budimir Maslar, Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve, Hatidža Mehmedić, ICMP, Međunarodni dan nestalih, Misrete Asllani, Missing persons, Novica Buha, Personat e zhdukur, Višnja StamenkovićFamiljarët e personave të zhdukur nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia shënuan Ditën Ndërkombëtare të Të Zhdukurve duke dhënë dëshmi emocionuese me video për të njerëzit e tyre të dashur që nuk janë gjetur ende që kur u zhdukën gjatë luftërave të viteve 1990.
Si pjesë e fushatës së BIRN “Po të ishe këtu” për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me çështjen e personave të zhdukur të luftës të cilët nuk janë gjetur më kurrë, pesë persona nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia folën rreth mënyrës se si të afërmit e tyre u zhdukën gjatë konflikteve të viteve 1990 dhe se si përpjekjet për t’i gjetur ata deri më tani nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Intervistat me video, të publikuara për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve të dielën, pasojnë intervistat e mëparshme me familjarë të personave të zhdukur që u publikuan me rastin e ditës së Shën Valentinit, Ditës së Babait dhe me rastin e 25-vjetorit të Srebrenicës.
Sipas Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, rreth 40,000 njerëz u renditën si të zhdukur menjëherë pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi. Mbi 70 për qind e tyre janë gjetur që atëherë, por më shumë se 11,000 individë mbeten ende të zhdukur.
Familjarët e personave të zhdukur thonë se qeveritë në në rajonin e ish-Jugosllavisë nuk kanë bërë sa duhet për të ofruar drejtësi dhe për të përcaktuar vendndodhjet e eshtrave të të dashurve të tyre, kryesisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis vendeve fqinje.
Hatidza Mehmediç
Hatidza Mehmediç nga Bosnja dhe Hercegovina ka që në vitin 1992 që pret lajme për vëllezërit e saj Suvad dhe Midhat Hrgiç, kur ata u morën nga shtëpia e familjes në fshatin Kucice. Një vëlla “donte të na mblidhte dhe të na argëtonte”, ndërsa tjetrit “i pëlqente t’i ndihmonte të gjithë”, kujton ajo. Pasi u burgosën në një kazermë ushtarake në Hadzici, të dy vëllezërit u morën dhe u zhdukën plotësisht. “Humbëm çdo gjurmë të tyre”, tha Mehmediç.
Budimir Maslar
Budimir Maslar ishte ndër serbët që u larguan nga Kosova në vitin 1999 pas përfundimit të luftës. Ai është ende në kërkim të motrës së tij, Natalija Maslar, e cila këmbënguli të qëndronte në shtëpinë e saj në fshatin Treboviq në vend që të largohej, dhe nuk u pa më kurrë. “Ky është misteri im i përjetshëm, është dhimbja më e madhe që përjetoj sepse nuk e di se ku janë eshtrat e saj, të paktën ta varros”, tha ai.
Misrete Asllani
Misrete Asllani e mban mend akoma momentin kur ajo pa për herë të fundit burrin e saj, Feimin, më 26 mars 1999, ndërkohë që disa burra të armatosur e morën atë. “E pashë për herë të fundit fytyrën e tij kur vajza jonë në atë kohë katërvjeçare nuk dëshironte ta lëshonte dorën e tij”, kujton ajo. Burri i Asllanit dhe 118 burra dhe djem të tjerë, përfshirë dy vëllezërit e tij, u mbyllën në një shtëpi në fshatin Krushë e Vogël. Ata më pas u qëlluan me armë dhe shtëpisë iu vu zjarri. Trupi i tij nuk është gjetur ende.
Novica Buha
Novica Buha nga Sarajeva është ende në kërkim të vëllait të tij Janko Buha dhe dhëndrit Dusan Petroviç. Ata të dy u morën në qershor 1992 dhe ai nuk i ka parë më kurrë që nga ajo kohë. “Kërkova kudo ku mund të zbuloja ndonjë gjë. Shkova dhe pyeta nëse ndokush e dinte se ku ishin ata”, tha Buha.
Visnja Stamenkoviç
Ishte mëngjes herët më 28 qershor 1999, menjëherë pasi lufta e Kosovës përfundoi zyrtarisht, kur Visnja Stamenkoviç piu për herë të fundit kafe me burrin e saj Zarkon. Ai më pas e çoi atë të punonte në spitalin e Prishtinës, por më vonë atë ditë ai nuk u kthye më në shtëpi nga puna. “Unë prita e prita… Pastaj kuptova se ai ishte rrëmbyer dhe ishte zhdukur”, tha ajo. “Ai ishte zhdukur.”
Raporti “Ai ishte zhdukur”: Kujtime të të zhdukurve të luftërave në Ballkan u botua fillimisht në faqen e Balkan Insight në Balkan Transitional Justice page. Video: YouTube/BIRN