KOMRA rrjeti i pajtimit

Brenda kampeve të burgimit për robërit e luftës në Serbi
Hartë e kampeve të burgimit në zonën e Vojvodinës të Serbisë. Foto: GJPNJ.

06.11.2020.

Fronti i luftës në atdhe: Brenda kampeve të burgimit për robërit e luftës në Serbi

Goran Hadžić, Hrtkovci, Investigim, Kampeve, Vojislav Šešelj, Vojvodina

Edhe pse në Serbi nuk pati luftime gjatë luftërave të mesit të viteve 1990, mijëra robër nga konflikti kroat u burgosën dhe u abuzuan në qendrat e paraburgimit në provincën veriore të Vojvodinës të vendit.

Pasi qyteti kroat i Vukovarit ra në duart e Ushtrisë Popullore Jugosllave të kontrolluar nga serbët në nëntor 1991, Hicham Malla ishte një nga burrat që u kap dhe u çua me autobus për në Serbi për t’u mbajtur në paraburgim.

“Radioja në autobus ishte e ndezur dhe ne dëgjonim këngë lufte. Dëgjuam një lajmërim se një autokolonë prej 1,200 ustashësh (luftëtarët fashistë kroatë të kohës së Luftës së Dytë Botërore) nga Vukovari do të kalonin nëpër këtë dhe atë vend”, tha Malla për Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ish0Jugosllavinë, GJPNJ.

“Kështu që në zonat e populluara, kur ne po kalonim, kishte turma serbësh që qëllonin me gurë autobusët”, tha ai.

Atë dimër, Malla u mbajt i burgosur në një fermë bujqësore të braktisur e cila ishte kthyer në një kamp famëkeq në fshatin Stajicevo, afër Zrenjanin në provincën veriore të Serbisë, Vojvodinë.

Me origjinë nga Siria, Malla kishte ardhur në Jugosllavi në vitin 1964 si student mjekësie dhe qëndroi për të punuar si mjek. Kur shpërtheu lufta, ai punonte në spitalin në Vukovar dhe u kap së bashku me kolegët e tij.

“Na thanë se Ushtria Jugosllave i lejonte gratë, fëmijët dhe personelin mjekësor të shkonin në Vinkovci, në Kroaci, ndërsa të tjerët i zinte rob”, kujton ai.

“Por kur dolëm, ata filluan të na ndanin – burrat nga njëra anë, gratë dhe fëmijët në anën tjetër. Pa pyetur askënd për emrin, etninë apo ndonjë gjë tjetër, ata filluan të na hipnin nëpër autobusë duke përdorur armë dhe duke na fyer.”

Disa dekada pasi konfliktet që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë përfunduan, çështja nëse Vojvodina ishte në të vërtetë në një gjendje lufte në vitet 1990 ende nuk është përcaktuar në mënyrë gjithëpërfshirëse. Zyrtarët serbë gjithmonë kanë këmbëngulur që konfliktet e viteve 1990 kanë ndodhur vetëm jashtë kufijve të vendit.

Hulumtimi i BIRN në arkivat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ, dhe dëshmitë personale të atyre që mbijetuan, tregojnë megjithatë se në Vojvodinë u kryen një sërë krimesh gjatë viteve të luftës dhe se shumë nga autorët e krimeve nuk janë ndjekur kurrë penalisht. Ndërkohë, vetë krimet po minimizohen ose shpërfillen.

 

“Sa shumë kemi vuajtur”

Në prill 2013, Hicham Malla u shfaq si dëshmitar në GJPNJ në çështjen kundër Goran Hadziç, udhëheqësi serb i kohës së luftës nga Kroacia i cili drejtoi shtetin e vetëshpallur të Republikës së Krajinës Serbe.

Sipas aktakuzave të GJPNJ-së ndaj Hadziçit dhe presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç, qindra kroatë që kishin jetuar në zona të vendit që u morën nga forcat serbe përfunduan në paraburgim në Vojvodinë.

Ata u mbajtën në një burg në qytetin Sremska Mitrovica, në komplekset bujqësore në fshatrat Stajicevo dhe Begejci (që atëherë i quajtur Torak) dhe në ndërtesat ushtarake në qytetet Sid dhe Zrenjanin. Disa ish të burgosur thanë se ata u morën në pyetje edhe në qytetet Novi Sad dhe Sombor.

Në ditët e sotme, qeveria e Vojvodinës e prezanton provincën veriore serbe, me shumë pakica etnike, si një lloj parajse multikulturore.

Por gjatë konflikteve të viteve 1990, ajo ishte gjithashtu skenë persekutimi dhe krimesh të tjera kundër pakicave etnike, kryesisht kundër kroatëve, por edhe kundër sllovakëve.

Nenad Dimitrijeviç, profesor në Universitetin e Europës Qendrore, theksoi se në historinë e saj moderne, Vojvodina i ka përkitur disa shteteve të ndryshme – Perandorisë Austro-Hungareze, Mbretërisë së Jugosllavisë, Jugosllavisë socialiste dhe Serbisë së sotme.

“Secili prej këtyre regjimeve, në mënyrën e vet, luajti me përbërjen etnike të Vojvodinës, përmes shtypjes, favorizimit, kolonizimit ose dëbimit të grupeve etnike. Ndoshta është e vërtetë që, përkundër gjithë kësaj trazire, në periudha të caktuara ekzistonte një lloj kulture respekti reciprok”, tha Dimitrijeviç.

“Por kam frikë se luftërat e viteve 1990 zbuluan se historia e cilësisë unike multikulturore të rajonit është kryesisht një mit.”

Në zgjedhjet pasuese pasi Sllobodan Millosheviçi erdhi në pushtet në Jugosllavi, një pjesë e konsiderueshme e votuesve serbë në Vojvodinë mbështetnin partitë nacionaliste.

“Pasojat janë të qarta. Nëse shikojmë regjistrimet e popullsisë të viteve 1991, 2002 dhe 2011, do të shohim shifra që zbulojnë një rënie të vazhdueshme të pranisë së pakicave kombëtare, si në numër absolut ashtu edhe në mënyrë proporcionale. Kështu që kushdo që flet për Vojvodinën si një ‘parajsë multikulturore’ është ose injorant ose cinik”, argumentoi Dimitrijeviç.

Krimet e viteve 1990 shpesh neglizhohen. Dhjetorin e kaluar u hap një muze në burgun e Sremska Mitrovicës, por historia që ai dokumenton përfundon papritmas para dekadës së fundit të shekullit XX.

Në vend të kësaj, ai përqendrohet në vuajtjet e viktimave serbe. Kur u hap, një tabloid në Beograd botoi një artikull me titull: “Ekspozitë e frikshme në burgun e Sremska Mitrovicës: Serbë të pafajshëm torturohen, varen dhe digjen të gjallë”.

Artikulli i tabloidit citonte rojën e burgut Aleksandar Alimpiç, i cili tha se serbët “falin shpejt, por ne shpesh gjithashtu edhe harrojmë shumë shpejt. Jam i shqetësuar se fëmijët tanë nuk po mësojnë se sa shumë kemi vuajtur.”

Qindra të burgosur jo-serbë nga Kroacia u mbajtën në burgun Sremska Mitrovica nga 18 nëntori 1991 deri më 22 gusht 1992 dhe iu nënshtruan torturave dhe abuzimit psikologjik. Por të paktën në muze, vuajtjet e tyre duket se janë harruar shpejt.

Goran Hadziç gjatë daljes së tij të parë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në korrik 2011. Foto: EPA/JERRY LAMPEN/POOL.

“Një det me trupa njerëzish”

Dëshmitë nga gjyqet në GJPNJ tregojnë se udhëheqësi serb kroat Goran Hadziç e vizitoi të paktën një herë burgun në Sremska Mitrovica.

“Ai thjesht e vëzhgoi dhe u soll rrotull nëpër të”, kujton ish i burgosuri Vilim Karloviç. “Disa njerëz që e shoqëronin atë i thanë gjëra njerëzve, i tallën ata.”

Një i burgosur tjetër, Ljubo Pribudiç, madje u mor në pyetje nga Hadziç. “Ai u kthye nga unë dhe më tha: ‘Në cilën anë të fytyrës të kanë qëlluar me shuplakë?’ Dhe unë i thashë: ‘Në këtë anë.’ Dhe pastaj ai më qëlloi në anën tjetër. Më tha: ‘Që mos të rrihesh gjithmonë në të njëjtën anë.’”

Dëshmitarët dëshmuan se brutaliteti fillonte me mbërritjen e tyre në burg. “Ata na nxorën në një fushë basketbolli. Ishte një sipërfaqe prej betoni dhe ata na thanë që të qëndronim shtrirë në të. Binte shumë shi. Qëndruam aty për një kohë të gjatë. Pastaj na thanë: ‘Çohuni!’ Dhe na detyruan të kalonim mes dy radhëve dhe ata na qëllonin”, kujton Pribudiç.

“U rrëzova, por arrita të ngrihesha de të vrapoja deri në fund. Pastaj arritëm në një pjesë me bar. Ata na thaanë se duhet të uleshim dhe të hiqnim këpucët. Pastaj filluan të na rrihnin duke na qëlluar te shputat e këmbëve dhe vazhduan të na godisnin deri lart në trup.”

Në gjyqin e Hadziç, një dëshmitar i mbrojtur i koduar GH-080 përshkroi kushtet në burg si “thjesht të tmerrshme, veçanërisht për ata që ishin të plagosur… Kishte njerëz pa duar dhe këmbë. Vetëm pamja e tyre ishte e tmerrshme.”

Pribudiç kujton njerëzit “të shtrirë përtokë, si sardele… Nëse ndonjë natë të duhej të shkoje në banjë, duhej të shkelje ndonjë dhe pastaj do të bije mbi ta. Ishte një det me trupa njerëzish.”

I burgosuri Zeljko Sandor përshkroi se si dezertorët kroatë nga Ushtria Popullore Jugosllave mbaheshin në qelitë e izolimit dhe iu nënshtruan një ndëshkimi edhe më të ashpër fizik dhe mendor.

“Përveç rrahjeve, ata detyroheshin të këndonin këngë çetnike (nacionaliste serbe). Ata duhej të lehnin si qentë dhe të thoshin gjëra të tilla si ‘Rroftë Serbia’”, tha Sandor.

BIRN kontaktoi Administratën Serbe për Zbatimin e Sanksioneve Penale për të pyetur nëse ajo ka dokumente ose objekte nga kjo periudhë dhe nëse ato mund të jenë në dispozicion të publikut. BIRN gjithashtu pyeti pse muzeu i burgut nuk përmend atë që ndodhi atje në vitet 1990. Nuk pati asnjë përgjigje.

 

“Zoti e mallkoftë çdo tradhtar”

Ambiente të tjera paraburgimi në Vojvodinë karakterizoheshin gjithashtu nga trajtimi çnjerëzor, mbipopullimi, puna e detyruar, kujdesi i papërshtatshëm mjekësor dhe abuzimi i vazhdueshëm fizik dhe psikologjik.

OJQ-ja Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut ka raportuar se vendimi për krijimin e kampeve të paraburgimit në Stajicevo dhe Begejci u nënshkrua nga gjenerali Veljko Kadijeviç i Ushtrisë Popullore Jugosllave. Kadijeviç vdiq në Moskë në vitin 2014 pa u gjykuar kurrë. Kroacia e paditi atë për krime lufte dhe lëshoi një urdhër arresti, por Rusia nuk e ekstradoi kurrë atë.

Kur mjeku i zënë rob Hicham Mala mbërriti në Stajicevo me “karvanin e tij prej 1,200 ustashësh”, gjëja e parë që pa ishte një hambar i pistë që ngjante sikur ishte përdorur për 15 vjet. Nuk kishte energji elektrike, drita ose dritare. Të burgosurit ishin mbyllur në stalla të ndërtuara për bagëtinë.

“Kur hymë, na bërtitën, na rrahën dhe na udhëzuan të shtriheshim në dysheme dhe na thanë se s’duhej ta ngrinim kokën”, tha Mala. “Kishte trazira dhe kaos. Atje kishte edhe qen. Ishte tamam di në ndonjë film.”

Çdo mëngjes, rreth 1,000 të burgosur zgjoheshin në orën 05:00 të mëngjesit dhe detyroheshin të këndonin himnin kombëtar jugosllav.

“Është një pjesë e himnit që thotë: ‘Zoti e mallkoftë çdo tradhtar’, dhe ata supozohej ta përsërisnin atë pjesë të paktën 100 herë sepse ishin tradhtarë dhe të gjithë ata që nuk këndonin, dënoheshin me rrahje”, kujton Mala.

Ndërsa Mala ishte mbyllur në fermën në Stajicevo, një mjek tjetër, Mladen Loncar, po mbahej i burgosur 34 kilometra më larg, në një fermë tjetër në fshatin serb Begejci, afër qytetit Zrenjanin.

Midis rreth 750 të burgosurve që u mbajtën në Begejci, ishte një grup grash të burgosura, disa prej të cilave u morën nga kampi dhe u sulmuan seksualisht.

Pasi u lirua në një shkëmbim të burgosurish, Loncar tha se ai filloi të ofronte ndihmë psikosociale për ish të burgosurat dhe foli me disa nga gratë që mbijetuan.

“Ato vërtetuan dyshimin tim dhe më treguan histori të tmerrshme. Disa gra ishin çuar jo vetëm në konviktet e rojeve, por edhe në hotelet në Zrenjanin. Ato ndiheshin si prostituta personale”, tha ai.

Një dëshmitare e mbrojtur në gjyqin Hadziç e koduar me emrin GH-085 ishte dy muajshe e gjysmë shtatzënë kur ushtarët hynë në fshatin e saj në Sllavoninë Lindore në Kroaci. Ajo u dërgua në institucionin e paraburgimit në Begejci, ku kaloi dy muaj.

Në kamp, ajo humbi shumë peshë, kështu që rojet as që e dinin se ajo ishte shtatzënë. Përfundimisht ajo lindi një djalë të shëndetshëm.

“Kur u ktheva në Vukovar, më pyetën: ‘Është e mundur që i mbijetove kampit, rrahjeve dhe keqtrajtimit?’ sepse ata kishin dëgjuar nga të burgosurit e tjerë të kampit se çfarë po ndodhte athe”, tha ajo në GJPNJ.

“Dhe unë thashë: ‘Po, mbijetova. Njeriu është më i fortë se çeliku.’”

Në vitin 2008, shoqata e avokatëve “Vukovar 1991” paraqiti një kallëzim penal në Prokurorinë Serbe të Krimeve të Luftës në Beograd në lidhje me krimet e kryera në pesë kampe paraburgimi në Serbi.

“Për sa i përket kampeve, vrasjeve në kampe, përdhunimeve të grave, rrahjeve të të paraburgosurve, përgjegjësia i takon lidershipit të atëhershëm të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë, zinxhirit komandues të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe, natyrisht, lidershipit të atëhershëm të Vojvodinës,” tha Pero Kovaceviç, nënkryetar i “Vukovari 1991”.

Nuk ka pasur ndonjë progres të dukshëm në trajtimin e kallëzimit të avokatëve këto 12 vjet që kur ai u paraqit.

Pesë vjet më parë, një delegacion nga “Vukovar 1991” u takua me Aleksandër Vuçiç – në atë kohë kryeministër, tani president i Serbisë – dhe u ra dakord që Serbia do t’u mundësonte ish të burgosurve një vizitë përkujtimore nga Kroacia në vendin e ish-kampit në Stajicevo.

“Për fat të keq, Vuçiç nuk e mbajti fjalën e tij dhe nuk na lejoi të shkonim në Stajicevo, të ndiznim qirinj dhe të vendosnim kurora dhe lule në kujtim të atyre që u vranë në kampe në Serbi”, tha Kovaceviç.

 

“Nuk ka vend për kroatët”

Deri më 6 maj 1992, ambientet e paraburgimit në Stajicevo dhe Begejci ishin mbyllur tashmë, megjithëse shumë njerëz ende mbaheshin në burgun në Sremska Mitrovica. Në atë ditë, udhëheqësi i Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Shesheli, mbajti një tubim famëkeq në fshatin Hrtkovci.

I vetëshpalluri “duka çetnike” iu drejtua njerëzve që ai i quajti “vëllezërit dhe motrat e tij serbe”, duke deklaruar se “nuk ka vend për kroatët në Hrtkovci”.

Shesheli premtoi “t’i dëbonte ata deri në kufi të territorit serb dhe ata mund të vazhdonin në këmbë që aty, nëse nuk largohen paraprakisht me dëshirën e tyre”.

Ai iu drejtua serbëve në tubim: “Unë besoj fort se edhe ju, serbët nga Hrtkovci dhe fshatrat e tjerë përreth, gjithashtu dini të ruani harmoninë dhe unitetin tuaj, dhe se do t’i hiqni qafe shpejt kroatët e mbetur në fshatin tuaj”.

Katica Pauliç, një kroate vendase që përfundimisht u zhvendos në Zagreb, ndoqi tubimin e Sheshelit atë ditë.

“Epo, isha kureshtare doja të shikoja se çfarë donte ky njeri. Nuk e di nëse mund ta kuptoni këtë”, tha Pauliç.

“Gjithçka ishte e mrekullueshme dhe paqësore, dhe tani dikush dëshiron ta shkatërrojë këtë. Pse? Epo, le të shohim përse, le të dëgjojmë se cila është arsyeja për këtë.”

Sipas Pauliç, trupat e Sheshelit u shfaqën në fshat të veshur me kapele tradicionale fshatare me kokada. Ajo e dinte që ata ishin ushtarë jo të rregullt dhe i përshkroi ata si “të frikshëm”.

“Ata ishin njerëzit e tij, trupat e tij, të gjithë me të zeza”, tha ajo. “Ata kishin rripa me municione në gjoks, varur nga njëra shpatull te tjera. Ata kishin pushkë.”

Shesheli madje lexoi një listë me emrat e kroatëve që ai tha se duhej të largoheshin. “Ishte një sulm konkret dhe i qartë ndaj njerëzve specifik, me një kërcënim të qartë se çfarë do t’u ndodhte atyre nëse nuk largoheshin”, tha Branisalava Kostiç, një aktiviste civile nga zona e Vojvodinës.

Jo shumë kohë më vonë, Kostiç mori pjesë në një event anti-luftë në Hrtkovci, parulla e së cilit ishte: “Ne nuk do të ndahemi! Ne nuk do të lëvizim! Vojvodina është atdheu im!”

Ajo kujton një atmosferë stresuese atë ditë, në prag të konfrontimit fizik, dhe kur disa serbë lokalë i thanë se duke qenë se edhe ajo vetë ishte serbe, duhet t’i vinte turp.

Kostiç gjithashtu se asaj i thanë se ishte shumë e re dhe se nuk e dinte të vërtetën për atë që ndodhi në zonë gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjë të cilës ajo iu përgjigj: “Kroatët nga Hrtkovci nuk mund të fajësohen për vdekjen e gjyshit tim në Luftën e Dytë Botërore.”

Ajo tha se e vetmja gjë që u arrit ishte se njerëzit atë ditë u ndanë paqësisht. “Ne ishim naivë dhe besonim se mund të ndryshonim diçka me fjalë.”

Pas fjalimit të Sheshelit, mbështetësit dhe bashkëpunëtorët e tij filluan një fushatë kanosjeje hde ngacmimi që synonte të frikësonte kroatët që të largoheshin nga Hrtkovci.

Dëshmitarja e GJPNJ-së Aleksa Ejiç deklaroi se bashkëpunëtorët e Sheshelit zhvilluan takime në të cilat ata këshilluan refugjatët serbë nga Kroacia që të “hynin në shtëpitë” në Hrtkovci dhe të bënin kontrata të rreme që sugjeronin se ata kishin të drejtë të rrinin atje.

“Pas këtij fjalimi që mbajti Shesheli dhe atij tubimi, një zonjë erdhi të na vizitonte bashkë me djalin e saj 16-vjeçar. Ajo kaloi dhjetë ditë në shtëpinë tonë”, tha Pauliç. “Unë duhej t’i jepja asaj dhomën time të re bashkë me mobiliet e reja që babai na i kishte blerë si dhuratë për shtëpinë.

Ajo thirri policinë, por ata ndihmuan gruan e panjohur e cila u zhvendos në shtëpinë e saj.

Mes kësaj atmosfere, shumë kroatë vendas, përfshirë Katica Pauliç, u larguan nga Hrtkovci duke shkëmbyer shtëpitë me refugjatët serbë nga Kroacia.

Një raport ekspert për jo-serbët që u larguan nga Hrtkovci në 1992, i realizuar për GJPNJ-në nga studiuesja Ewa Tabeau, tregoi se popullsia e përgjithshme e kroatëve etnikë ra me 76.3 për qind.

Në total u larguan më shumë se 700, sipas vendimit të gjykatës së Hagës në gjyqin e Sheshelit. Kreu i Partisë Radikale Serbe u dënua në vitin 2018 për nxitje të deportimit, persekutimit në baza politike, racore ose fetare dhe veprime të tjera çnjerëzore si krime kundër njerëzimit për shkak të fjalës së tij në Hrtkovci në maj 1992.

 

“Detyrim që të njohin krimet”

Pavarësisht dënimit të Sheshelit nga gjykata e Kombeve të Bashkuara, çështja nëse në Vojvodinë kishte apo jo një gjendje lufte mbetet e pazgjidhur.

Dhoma e apelit e GJPNJ-së në çështjen kundër Sheshelit tha se duke folur në mënyrë procedurale, “është e parëndësishme nëse ka pasur një sulm të përhapur ose sistematik posaçërisht në Vojvodina”.
Gjykata e Hagës vuri në dukje, megjithatë, se krimet e kryera në Vojvodinë “ishin pjesë e sulmit më të madh duke përfshirë gjithashtu zona në Kroaci dhe Bosnjë dhe Hercegovinë”.

Sllobodan Millosheviçi dhe Goran Hadziç u akuzuan, ndër krime të tjera, për tortura dhe trajtim mizor si shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës në një sërë vendesh në Vojvodinë. Por procedurat kundër Millosheviçit dhe Hadziçit u përfunduan pas vdekjeve të tyre përkatësisht në vitin 2005 dhe 2016.

Gjykatat në Serbi dhe Kroaci i kanë trajtuar abuzimet në burgun në Sremska Mitrovica si krime të kryera gjatë një konflikti të armatosur. Në dy raste të veçanta, gjykata e qarkut në Vukovar gjeti që ish-rojet Slobodan Gojkoviç dhe Zarko Amidziç ishin përgjegjës për keqtrajtimin e të burgosurve në shkurt 1992. Gjykata e Lartë në Beograd dënoi gjithashtu ish-rojën Marko Crevar për të njëjtën vepër.

Në çështjen e GJPNJ-së kundër oficerëve të Ushtrisë Popullore Jugosllave Mile Mrksiç, Miroslav Radiç dhe Veselin Sljivancanin, gjykata e Hagës konfirmoi që në Serbi ekzistonin kampe burgimi.

Sipas Komisionit të Kroacisë për Personat e Zhdukur dhe të Burgosur, 7,666 njerëz u liruan në shkëmbimet e të burgosurve nga kampe në Serbi. Nga ai numër, 219 ishin nën 18 vjeç, 932 ishin gra dhe 424 ishin mbi 60. Pothuajse gjysma e të burgosurve ishin civilë, 46 për qind, ndërsa 52 për qind ishin luftëtarë (statusi i të tjerëve nuk është përcaktuar).

Autoritetet kroate në Osijek filluan një gjykim në mungesë të Aleksandar Vasiljeviçit, ish-shefi i shërbimit ushtarak të kundër inteligjencës jugosllave, duke e akuzuar atë, si oficer i lartë, për mbajtjen e përgjegjësisë për vdekjen e shtatë njerëzve në burgun e Sremska Mitrovicës dhe pesë të tjerëve në Stajicevo dhe Begejci.

Profesori i Universitetit të Evropës Qendrore Dimitrijeviç tha se ekziston “një detyrim për të njohur publikisht krimet” në Vojvodinë, gjë e cila nuk është bërë deri më sot.

“Mund të ketë lloje të ndryshme njohjeje. Mund të mendojmë për një deklaratë publike e cila do të thoshte se krimet kanë ndodhur, se ato ishin të gabuara juridikisht, politikisht dhe moralisht dhe se ato nuk mund të justifikohen. Mund të mendojmë për një ndjesë publike për viktimat dhe komunitetet e tyre. Mund të mendojmë për dëmshpërblime materiale dhe kompensime. Mund të mendojmë për ndonjë përkujtimore”, tha ai.

Vendet e krimeve janë ende të pa shënuara. Burgu në Sremska Mitrovica ende shërben si burgu më i madh në vend, ferma në Stajicevo ku mbaheshin të ndaluarit tani është braktisur, ndërsa ferma në Begejci u shkatërrua në 1992.

Ka pak njohje publike të faktit se në këtë provincë të Serbisë janë kryer krime lufte, qytetarët e së cilës përgjithësisht besojnë se në vendin e tyre në vitet 1990 nuk kishte luftë.

Kur Seselj u kthye në Beograd nga Haga pasi u la i lirë, ai mori përsëri drejtimin aktiv të Partisë Radikale Serbe dhe shërbeu si deputet për disa vjet.

Në një referencë të dukshme me krimet për të cilat ai u dënua, ai bleu gjithashtu një shtëpi në Hrtkovci.

 

Danijel Apro


Teksti Fronti i luftës në atdhe: Brenda kampeve të burgimit për robërit e luftës në Serbi u botua fillimisht më Balkan Insight/Balkan Transitional Justice

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.