23.11.2020.
Kroacia më në fund do t’u japë pensione viktimave civile të luftës
Branka Vierda, civile të luftës, Hrvatska, Julijana Rosandić, Kroacia, Predrag Matić FredKroacia synon të miratojë legjislacionin që do t’i sigurojë pensione viktimave civile të luftës së viteve 1991-1995, por ekspertët paralajmërojnë se projektligji në formën e tij aktuale mund të mos përfshijë disa njerëz që vuajtën, përfshirë disa serbë të Kroacisë.
Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të luftës në Kroaci, një ligj që do të përcaktojë të drejtat e viktimave civile të konfliktit, prindërit e fëmijëve që u vranë, fëmijët e prindërve të vrarë dhe familjet e personave të zhdukur është hartuar më në fund dhe qeveria kroate pret që ai të miratohet nga parlamenti deri në fund të vitit.
Ligji do të sigurojë kompensim financiar për njerëzit që u bënë të paaftë si rezultat i luftës ose njerëzit që humbën anëtarët e familjes, si dhe financimin e artikujve të veçantë si protezat.
Branka Vierda nga grupi Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut tha se pavarësisht vonesës shumë të gjatë, ky është një lajm i mirë.
“Një zgjidhje e plotë ligjore që rregullon ushtrimin e të drejtave dhe fitimin e statusit për një grup specifik – viktimat civile të luftës – është pritur prej kohësh dhe ia vlen të miratohet edhe 25 vjet pas përfundimit të luftës”, tha Vierda për BIRN.
Debati publik online mbi projekt-legjislacionin përfundoi të shtunën e kaluar dhe shumë organizata të përfshira në këtë çështje e kanë mirëpritur atë, por disa kanë paralajmëruar se mund ai të privojë disa viktima lufte nga të drejtat e tyre për kompensim financiar, ndihmë ortopedike dhe statusin përparësor për punësimin dhe akomodimin në shtëpitë e kujdesit.
Gjymtyrët e civilëve vlejnë po aq sa ato të veteranëve të luftës
Julijana Rosandiç nga Bashkimi i Shoqatave të Viktimave Civile të Atdheut Kroat tha për gazetën kroate Vecernji list në tetor se ajo është e kënaqur me projekt-legjislacionin, duke theksuar se është “e rëndësishme që ai të sigurojë kompensim për humbjen e një anëtari të familjes”.
Sipas ligjit të ri, të afërmit e civilëve që u zhdukën në kohën e luftës, por që ende nuk janë deklaruar zyrtarisht të vdekur, do të jenë në gjendje të kërkojnë përfitime edhe para se të lëshohet një certifikatë vdekje për personin e zhdukur.
“Ka gjithashtu kushte më të mira për personat me aftësi të kufizuara. Pra, ne kemi arritur të pajtohemi që këmba dhe krahu i një veterani lufte vlen po aq sa këmba dhe krahu i një civili”, tha Rosandiç.
Ajo vetë u plagos gjatë luftës së viteve 1990, së bashku me të afërmit e saj në qytetin kroat Slavonski Brod, kur trupat serbe e bombarduan atë nga Bosnja fqinje.
Sipas ligjit të ri, personat me aftësi të kufizuara që u plagosën në luftë, mund të marrin pensione mujore që variojnë nga 114 në 3824 kuna (19 deri në 506 euro), në varësi të aftësisë së kufizuar që ata kanë.
Rosandiç ishte midis atyre që për vite me radhë u kanë kërkuar autoriteteve kroate të miratojnë një ligj të tillë. Thirrje të ngjashme erdhën nga Avokati i Popullit dhe OJQ të tjera, sepse ka ligje që rregullojnë të drejtat e invalidëve ushtarakë dhe civilë dhe viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por jo një ligj unik për të gjitha viktimat civile të luftës.
Vierda argumentoi megjithatë se nevojitet një “strategji gjithëpërfshirëse” që të trajtojë të gjitha çështjet që dalin nga lufta e viteve 1990, jo vetëm një seri ligjesh.
Disa pjesëmarrës në diskutimin publik paralajmëruan gjithashtu se në disa raste do të jetë e vështirë të provohet në letër se viktimat plotësojnë kushtet për të siguruar përfitime sipas ligjit të ri.
Nëse një viktimë kërkon dëmshpërblim bazuar në një sëmundje ose dëmtim të shkaktuar nga lufta, për shkak të një shpërthimi, të shtënash me armë zjarri ose pasojave të mbajtjes në një kamp paraburgimi, ai ose ajo duhet ta provojë atë me dokumentacionin mjekësor të marrë në kohën e dëmtimit ose të lirimit të tyre nga robëria ose 30 ditë më pas.
OJQ-ja me qendër në Zagreb Qendra për Studime të Paqes, theksoi në një diskutim publik se nuk ishte “reale që të gjithë viktimat civile të luftës kishin pasur mundësinë të merrnin dokumentacion mjekësor brenda 30 ditëve nga abuzimi”.
Qendra për Studime të Paqes në vend të kësaj sugjeroi vënien në zbatim të “metodave alternative që tregojnë pa dyshim se si ka ndodhur trauma/dëmtimi, siç janë deklaratat e dëshmitarëve, raportet e mediave, raportet nga organizatat ndërkombëtare dhe jo-qeveritare”.
Vierda vuri në dukje se refugjatët e kohës së luftës, personat e zhvendosur dhe të kthyerit e pasluftës nuk janë përfshirë në projekt-propozimin aktual, por ajo beson se versioni përfundimtar i ligjit do të përfshijë “një numër më të madh viktimash sesa parashikon drafti i propozuar”.
“Ne shpresojmë që anëtarët e parlamentit kroat të përfshihen në diskutim në një mënyrë konstruktive, duke pasur parasysh që grupe të caktuara njerëzish që janë viktima civile të luftës nuk janë përfshirë në këtë projektligj”, shtoi ajo.
Mbulohen të gjitha viktimat, përveç disave prej tyre
Ivica Akmadza, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Veteranëve të Luftës, i shpjegoi Vecernji list në tetor se ligji do të sigurojë të drejta për “të gjitha viktimat”. Ai do të zbatohet për shtetasit kroatë dhe për të huajt që “në kohën e aksidentit kishin leje qëndrimi të përhershëm ose të përkohshëm në territorin e Republikës së Kroacisë” dhe që nuk kanë të drejta të ngjashme në një shtet tjetër.
“Megjithatë, ligji në mënyrë rigoroze thotë se të drejtat nuk mund të ushtrohen nga anëtarët, ndihmësit ose bashkëpunëtorët e njësive ushtarake dhe paraushtarake armike që morën pjesë në agresionin e armatosur kundër Republikës së Kroacisë, si dhe anëtarët e familjeve të tyre (të cilët mund të kërkojnë kompensim ) bazuar në faktin se ata u bënë viktima”, tha Akmadza.
Disa vëzhgues kanë paralajmëruar megjithatë se civilët serbë mund të kenë vështirësi ndërsa vërtetojnë se nuk kanë ndihmuar ose bashkëpunuar me “armikun”.
“Ne e konsiderojmë të domosdoshme të përcaktojmë më saktësisht terminologjinë ‘ndihmës të ose bashkëpunëtore me njësitë ushtarake dhe paraushtarake armike’, si dhe në cilën mënyrë dhe në bazë të çfarë do të përcaktohet se një person ndihmon ose bashkëpunon me ushtrinë armike dhe njësitë paraushtarake që morën pjesë në agresionin e armatosur kundër Kroacisë”, komentoi zyra e Avokatit të Popullit në Kroaci gjatë diskutimit publik në internet.
Ligji gjithashtu përcakton se një invalid civil nga Lufta për Atdhe është, ndër të tjera, “një person trupi i të cilit është dëmtuar të paktën 20 për qind për shkak të një plage ose dëmtimi të marrë si rezultat i ndalimit në një kamp, burg ose objekt tjetër armik nga anëtarët, ndihmësit dhe bashkëpunëtorët e formacioneve ushtarake dhe paraushtarake armike”.
Vierda argumentoi se ky përkufizim do të përjashtonte viktimat “të cilët u arrestuan dhe u torturuan në vende paraburgimi nën kontrollin e forcave kroate”.
Ajo renditi shembujt e kampit të burgut Lora në qytetin bregdetar të Splitit, burgun ushtarak Kerestinec pranë Zagrebit dhe Panairin në Zagreb, ku abuzoheshin kryesisht të burgosur serbë lufte dhe civilë.
Predrag ‘Fred’ Matiç, një anëtar kroat i Parlamentit Europian dhe ish-ministër i veteranëve të luftës, e mirëpriti ligjin sepse “në çdo luftë, viktimat civile janë në të vërtetë viktimat më të mëdha”.
“Kur një ushtar merr një pushkë në dorë, atëherë ai e di se çfarë mund ta presë atë, por civilët janë në të vërtetë viktimat e pafajshme, dëme anësore”, tha Matiç për BIRN.
Ai tha se ai përgatiti një ligj të ngjashëm në 2014, por që ai nuk e pa kurrë dritën e diellit për shkak të një proteste 18-mujore nga veteranët kroatë të luftës, të cilët qëndruan në një çadër të madhe pikërisht përpara të ministrisë së tij, me mbështetjen e politikanëve të djathtë.
Disa grupe veteranësh lufte dhe figurash të krahut të djathtë pohuan se ministria e Matiç, ndërsa përgatiste ligjin, nuk deklaroi qartë se serbët filluan agresionin e armatosur kundër Kroacisë në vitet 1990 dhe pretenduan se disa nga agresorët mund të përfitonin nga legjislacioni i propozuar, pasi Matiç synonte të përfshinte të gjitha viktimat e luftës, përfshirë serbët.
“Ata thanë: ‘Fred, po i barazon viktimat me agresorët’”, kujton Matiç.
Ish-ministri shpjegoi se ai kreu një sondazh me ndihmën e organizatave joqeveritare që zbuloi se numri i viktimave civile të luftës në Kroaci është rreth 10,000.
“Këtu qëndron problemi, sepse, afërsisht, 9,000 viktima janë kroatë, por fatkeqësisht, 1,000 viktima civile janë në mesin e popullatës serbe – e cila ishte një problem për shoqatat e veteranëve të luftës”, tha ai.
Matiç argumentoi se të gjitha viktimat civile duhet të trajtoheshin në mënyrë të barabartë: “Nëse baba Jovo ishte një çetnik (anëtar i një njësie paraushtarake serbe), ai nuk përfiton asnjë të drejtë nga ky shtet, por nëse një granatë i dëmtoi këmbën djalit të tij të vogël, Jovicës, shteti duhet t’i japë atij protezën që i nevojitet”, tha ai si shembull.
“Nëse Jovica vuan për shkak të babait të tij, atëherë ne nuk kemi ecur aspak përpara”, përfundoi ai.
Anja Vladisavljević
Teksti Kroacia më në fund do t’u japë pensione viktimave civile të luftës u botua fillimisht më Balkan Insight/Balkan Transitional Justice