26.03.2021.
Deputetët evropianë thirrje Serbisë, Kosovës të intensifikojnë kërkimin për varre masive
Kosovo, Kosovo, RECOM, REOCM, varre masiveParlamentarët evropianë miratuan raporte që i bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës të bëjnë më shumë për të hetuar vendet e dyshuara të varreve të luftës dhe për të zgjidhur qindra raste të personave që vazhdojnë rë rezultojnë të zhdukur nga lufta e Kosovës 1998-1999.
Deputetët në Parlamentin Evropian miratuan dy raporte të veçanta të enjten në mbrëmje duke kërkuar që Serbia dhe Kosova të jenë më efikase në hetimin e rasteve të personave që vazhdojnë të rezultojnë ende si të zhdukur nga lufta e Kosovës 1998-1999.
Raporti për Kosovën u bën thirrje autoriteteve të Prishtinës të bëjnë “përpjekje më të mëdha në trajtimin e kërkesave të anëtarëve të familjeve së personave të zhdukur” dhe kërkon “hapjen e të gjitha arkivave të kohës së luftës”.
Rezoluta gjithashtu i bën thirrje Serbisë të “hetojë mbetjet mortore të tre trupave të zhvarrosur deri më tani gjatë kërkimeve në një varr masiv në fshatin Kizevak”. Vendvarrimi në Kizevak në Serbinë jugore u gjet në nëntor 2020 dhe besohet se përmban eshtrat e viktimave të luftës të shqiptarëve të Kosovës.
Mbi 1,600 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, por edhe serbë, mbeten të zhdukur nga lufta e Kosovës.
Raporti për Serbinë, që u miratua nga eurodeputetët, thekson “rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për krimet e luftës dhe hetimin e rasteve të personave të zhdukur”.
Ai gjithashtu i bën thirrje Serbisë që të bëjë më shumë përpjekje në “refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mbështetjen e prokurorëve vendas në sjelljen e autorëve të krimit para drejtësisë”.
Raporti bën disa përmendje të gjuhës së urrejtjes dhe mohimit të gjenocidit të Srebrenicës në Serbi dhe e nxit vendin të trajtojë “falsifikimin e fakteve të përcaktuara nga GJPNJ-ja”.
Raporti i Parlamentit Evropian mbi Bosnjën dhe Hercegovinën nuk është miratuar ende, por drafti i tij i bën thirrje vendit të “përshpejtojë ndjekjen penale efektive të krimeve të luftës sipas Strategjisë Kombëtare të Përpunimit të Krimeve të Luftës”.
Drafti i raportit mbi Bosnjën dhe Hercegovinën gjithashtu dënon “çdo lloj revizionizmi historik, retorikë shkëputëse dhe akte të lidhura me të, mohim ose glorifikim i krimeve të luftës të kryera gjatë luftës së viteve 1990”.
Përveç raporteve mbi Serbinë dhe Kosovën, Parlamenti Evropian miratoi gjithashtu një raport mbi Maqedoninë e Veriut të enjten. Të gjitha raportet mbi vendet e ish-Jugosllavisë u bëjnë thirrje liderëve politikë të mbështesin krijimin e KOMRA-së, një komision për të vërtetuar faktet në lidhje me të gjitha krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të të drejtave të njeriut të kryera në rajon.
Milica Stojanović
Teksti Deputetët evropianë thirrje Serbisë, Kosovës të intensifikojnë kërkimin për varre masive u botua fillimisht më Balkan Insight/Balkan Transitional Justice