20.10.2023.
Pajtimi i fshehur: Si flasin njerëzit për krimet e luftës
Denisa Kostovicova, KOMRA, pajtim, RECOM, reconciliationRishikim libri: Denisa Kostovicova, Pajtimi i fshehur: Si flasin njerëzit për krimet e luftës (Reconciliation by Stealth: How People Talk about War Crimes, Cornell University Press, 2023)
Jasna Dragović – Soso
Kur bëhet fjalë për Ballkanin pas konfliktit, ka botime të shumta në fushën e drejtësisë tranzicionale. Rajoni ka qenë, siç e theksojmë Eric Gordy dhe unë më shumë se 10 vjet më parë, një “laborator i vërtetë i nismave të drejtësisë tranzicionale”, ndonëse mendoj se do të ishte e drejtë të thuhet se vëmendja më e madhe e publikut është përqendruar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavisë. Në këtë kontekst, vlen të theksohet se në dhjetëvjetëshat e fundit ka pasur disa nisma të komisioneve të së vërtetës, në nivel kombëtar dhe në atë lokal dhe, mbi të gjitha, ka pasur një nismë rajonale të filluar nga Koalicioni për KOMRA-n, i njohur si rrjet i mbi 2000 organizatave dhe individëve të shoqërisë civile. Nga të gjitha këto nisma të ndryshme, KOMRA ka qenë deri më tash projekti më origjinal dhe, në të njëjtën kohë, më i qëndrueshëm – i realizuar në një hark kohor prej më shumë se një dhjetëvjetëshi, duke përfshirë, siç thekson “Pajtimi i fshehur”, vite të tëra konsultimesh me aktorë të ndryshëm anë e kënd rajonit. Prandaj, ka shkaktuar interes të konsiderueshëm dhe kërkime akademike, të cilat kanë prodhuar vlerësime të ndryshme të procesit dhe ndikimit të projektit. Si të pozicionohet libri i Kostovicit në këtë literaturë?
“Pajtimi fshehur “ zbaton një qasje origjinale ndaj KOMRA-s. Nuk fokusohet në politikën e projektit, as në sfidat e tij të brendshme dhe të jashtme që, në fund, çuan në pezullimin e projektit të Komisionit Ndërshtetëror të së Vërtetës në dhjetor të vitit 2019 (megjithëse projektet kërkimore vazhdojnë ende). Libri i përmend ato vetëm në kapitullin e parë. Në vend të kësaj, libri analizon në thellësi konsultimet e iniciuara nga aktivistët e shoqërisë civile në periudhën 2006-2011, të cilat synonin të përcaktonin natyrën dhe fushëveprimin e një komisioni të tillë të së vërtetës dhe që në fund të atij viti kulmin e kanë arritur me hartimin dhe me miratimin e propozimit për Statutin e KOMRA – s.
Ashtu si edhe autorja, edhe unë pata rastin të jem në njëfarë mënyre pjesë e nismës për KOMRA-n gjatë atyre viteve duke marrë pjesë në disa forume ndërkombëtare për drejtësinë tranzicionale. Disa nga momentet më të ndritshme – dhe më prekëse – në ato forume ishin panelet që i mblodhën së bashku viktimat nga pjesë të ndryshme të rajonit post-jugosllav. Në ato rrethana, njerëzit që kanë përjetuar trauma dhe humbje të tmerrshme gjatë luftërave të viteve 1990-të kanë folur për vuajtjet e tyre dhe për luftën e tyre për drejtësi dhe ka pasur shumë momente ku pati shprehje të sinqerta të solidaritetit dhe ofrim të ndihmës dhe mbështetje nga pjesëmarrësit e tjerë. Edhe pse Komisioni Rajonal i së Vërtetës, i kërkuar nga koalicioni i shoqërisë civile, nuk u materializua kurrë, në ato momente jam ndjerë sikur ato forume të KOMRA-s ishin vërtet një lloj komisioni joformal i së vërtetës, i cili u jep viktimave një platformë për të folur publikisht për përvojat e tyre në një mjedis ku ishte mishërimi i dialogut, i respektit dhe i bashkëndjesisë.
Pohimi i librit – me të cilin pajtohem plotësisht – është se konsultimet e nisura nën kujdesin e nismës KOMRA kishin vlerë të konsiderueshme në vetvete, pavarësisht nga rezultati përfundimtar i projektit dhe dështimi i tij për të çuar në krijimin e një mekanizmi formal institucional. Mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme, duke pasur parasysh se hulumtimet ekzistuese akademike për drejtësinë tranzicionale shumë shpesh janë fokusuar në institucionet dhe në vlerësimin e ndikimit të tyre, dhe se KOMRA është parë kryesisht nga ky prizëm. Libri i Kostovicovës kërkon nga ne të fokusohemi në thelbin e asaj që ka bërë KOMRA – d.m.th., të fillojmë biseda të gjera ndëretnike për krimet e luftës dhe vuajtjet e
njerëzve të zakonshëm, si dhe për mirëkuptimin, për dëshirat dhe për të pritmet në lidhje me shprehjen e së vërtetës, drejtësisë dhe reparacioneve. Dhe, përkundër faktit se komisioni nuk është formuar, KOMRA ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe shumë domethënëse në rajon, e cila meriton mirënjohje. Prandaj, fokusi i librit – në konsultime dhe jo në institucione – është një kontribut i rëndësishëm në kërkimin akademik. Kjo është poenta ime e parë.
Së dyti, mendoj se “pajtimi i fshehtë” është i rëndësishëm, sepse e gërsheton procesin e komunikimit ndëretnik me konceptin e “pajtimit” – një koncept që është, natyrisht, në qendër të procesit të drejtësisë tranzicionale dhe të ndërtimit të paqes pas konfliktit. Siç e vëren Kostovicova disa herë gjatë gjithë librit, analistët e Ballkanit, si dhe opinioni i gjerë publik në rajon, shpesh kanë një kuptim kritik të konceptit të “pajtimit” — të cilit unë do t’i shtoja edhe konceptin e vet “drejtësisë tranzicionale”. Në 30 vitet e fundit, “pajtimi” është bërë një fjalë boshe për shumë politikanë të paskrupullt, të cilët pretendojnë se i kanë pranuar vlerat e demokracisë perëndimore, kur në fakt interesi i tyre i vetëm për viktimat është t’i përdorin ato si kapital politik në luftën për pushtet dhe për ndikim, ose kur “pajtimi” barazohet me paratë e donacioneve perëndimore, që përdoren për të pasuruar veten në vend që të përmirësojnë mirëqenien e njerëzve të zakonshëm.
Për dallim nga kritikat e tilla, Kostovicova i kthehet të kuptuarit origjinal normativ dhe emancipues të drejtësisë tranzicionale dhe nocionit të pajtimit si koncept relacional, bazuar “në parimin e reciprocitetit në komunikimet publike” (fq. 8). Fokusi i saj është në shkëmbimet që kanë ndodhur ndërmjet individëve të grupeve të ndryshme etnike gjatë konsultimeve të KOMRA-s dhe ajo vëren se “pajtimi ndodh kur në komunikimin ndëretnik të kujdesshëm e të qëllimshëm mbi krimet e luftës kapërcehet ndikimi përçarës i identiteteve etnike” (f. 68 ) -diçka që ajo e përkufizon si “pajtim i fshehur”. Duke i analizuar shkëmbimet gjatë konsultimeve të KOMRA-së duke përdorur metodologjinë cilësore dhe sasiore, Kostovicova konkludon se njerëzit, në përgjithësi, kanë mundur të komunikojnë me njëri-tjetrin pavarësisht ndarjeve etnike, në një mënyrë e cila tregon respekt reciprok, bashkëndjesi dhe qëllim të përbashkët.
Ajo që është domethënëse këtu është se ka pasur një “pajtim të fshehtë” – jo kur individët ishin të angazhuar në fusha të pakontestueshme të komunikimit – por kur ata kanë qenë në procesin e diskutimit të temave më të vështira që lidhen me luftërat e viteve 1990, për të cilat ata nuk ishin dakord si dhe për humbjet dhe vuajtjet e tyre personale. Me fjalë të tjera, biseda për të kaluarën dhe duke folur për krimet e luftës ka bërë që të arrihet të krijohet ndjenja e reciprocitetit dhe e respektit dhe, në këtë mënyrë, të zvogëlohet distanca etnike, duke mos e rritur atë – edhe kur të folurit në mënyrë të pashmangshme nënvizon identitetet etnike, gjë që ndodh kur flitet për krime që janë kryer për shkak të përkatësisë etnike të bashkëbiseduesit. Ky është një konstatim i rëndësishëm, i cili me siguri do të nxis diskutime.
Gjetjet e librit kanë gjithashtu implikime të rëndësishme për politikat publike dhe për qasjet në fushën e ndërtimit të paqes, siç u përmend në fund. Siç e thotë Kostovicova, pyetja për politikëbërësit dhe aktivistët, si në rajon dhe më gjerë, është “si të gjenden … mundësitë [për dialog] në shoqëritë pas-konfliktuale, që janë të segmentuara institucionalisht dhe shoqërisht përgjatë vijave të identitetit, duke pasur parasysh se jo çdo kontakt ndërmjet kundërshtarëve do të jetë i dobishëm’ (f. 140). Në këtë kuptim, KOMRA ishte e rëndësishme në lidhje me atë që ka krijuar një hapësirë civile, në të cilën dialogu mund të zhvillohej në kontekstin e diversitetit, duke çuar në pozicione dhe në platforma politike për shqiptimin e së vërtetës dhe
të drejtësisë (siç është marrëveshja për Statutin), që, përkundër ndarjeve etnike, ishin reciprokisht të pranueshme.
“Pajtimi i fshehur” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm dhe origjinal në fushën e drejtësisë tranzicionale, në fushën e ndërtimit të paqes pas konfliktit dhe të studimit të rajonit post-jugosllav. Dhe, si çdo kërkim akademik i rëndësishëm dhe i shquar, libri na lë me pyetje të reja, dy prej të cilave do të doja t’i theksoja. Pyetja e parë ka të bëjë me qëndrueshmërinë e “pajtimit të fshehtë” me kalimin e kohës. Kostovicova me të drejtë fokusohet në procesin dialogues, i cili qëndron në themel të nocionit të pajtimit, por sa mund të zgjasë një proces i tillë duke pasur parasysh mungesën e strukturave shoqërore dhe institucionale, që do të mbështesnin solidaritetin e krijuar gjatë një projekti si KOMRA? Me fjalë të tjera, a mund të mbijetojnë mikro-solidaritetet e krijuara nga këto konsultime përtej vazhdimit të takimeve të vazhdueshme që e kanë karakterizuar periudhën e analizuar? Dhe, në përgjithësi dhe ndoshta edhe më provokuese, a është pajtimi njëmend pajtim vetëm nëse zgjat me kalimin e kohës?
Së dyti, në libër përmendet fakti i rëndësishëm që individët i moderojnë dhe i kanalizojnë diskutimet mes njerëzve, veçanërisht mes viktimave të përfshira në procesin e KOMRA-s. Megjithatë, mënyra se si njerëzit flasin për krimet e luftës në mënyrë të pashmangshme varet në një masë të madhe nga ajo se kush i nis, drejton dhe moderon bisedat. Libri aludon për këtë, por ende nuk i kushton shumë hapësirë analizës së rolit të lidershipit dhe aktorëve në fillimin e procesit të vendimmarrjes dhe rrjedhës së tij pasuese – si në nivel të mikro konsultimeve individuale, ashtu edhe në makro nivelin e krijimit të një vizioni të projektit në tërësi dhe grumbullimin e mbështetjes për nismën.
“Pajtimi i Fshehur” na ofron njohuri dhe argumente të rëndësishme, si dhe ushqim për reflektim të mëtejshëm lidhur me atë se si funksionojnë proceset e pajtimit dhe se si ato mund të përkthehen në agjenda të reja politike.