KOMRA rrjeti i pajtimit

23.09.2011.

Bekim Blakaj: Kosova, pro dhe kundër KOMRA-s – zeri.info – 17.05.2011.

  • Kosova, pro dhe kundër KOMRA-s  Nisma për krijimin e një komisioni rajonal të quajtur “KOMRA”, që konstaton dhe bën publike faktet për të gjitha viktimat e luftërave të viteve 1991-2001, për të cilën ka kohë që kanë nisur të mblidhen nënshkrime edhe në Kosovë, shihet me dyshime nga shoqatat e familjarëve të të zhdukurve.  

    Derisa përfaqësues të Fondit për të Drejtën Humanitare (FDH) insistojnë se formimi i këtij komisioni ka për qëllim nxjerrjen e fakteve për krime lufte, publikimin e tyre në të gjitha shtetet e dala prej ish-Jugosllavisë, si dhe pranimin e tyre prej institucioneve të të gjitha këtyre shteteve, përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Pagjeturve të Kosovës (KKAFPK) konstatojnë se qëllimi real i kësaj nisme është pajtimi në mes serbëve dhe popujve joserbë, që kanë pësuar nga luftërat e zhvilluara në ish-Jugosllavi.  

    “Nxjerrja e së vërtetës është hapi i parë në drejtim të qetësimit të situatës në ish-shtetet jugosllave. Një ndër qëllimet përfundimtare të komisionit është relaksimi i marrëdhënieve”, thotë Bekim Blakaj, shef i zyrës së Fondit për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.  

    Ndërkaq, avokati Sheremet Ademi, ish-udhëheqës i KKAFPK-së, qëllimi final i kësaj nisme thotë se është pajtimi i shteteve dhe qytetarëve të ish-Jugosllavisë.  

    “Logjika e krijimit të një komisioni të tillë është më shumë politike sesa praktike. Është përpjekje në mënyrë indirekte të ndihmojë Serbinë për shlyerjen e tragjedive të shkaktuara në Ballkan”, vlerëson Ademi. Si qëllim i dytë i kësaj nisme, sipas tij, është që kriminelët e luftës përmes rrëfimeve të tyre të kërkojnë falje, të cilët pretendohet të amnistohen eventualisht përmes procesit të kërkimit të faljes.  

    Nga ana tjetër Blakaj nuk e përjashton mundësinë që si hap i fundit i këtij komisioni të jetë pajtimi. 

    “Ne në fakt gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kemi folur për pajtimin”, thotë ai, duke e arsyetuar këtë me atë se pajtimi nuk mund të bëhet derisa nuk nxirren fakte për krime lufte, të dënohen ata që kanë kryer krime dhe përderisa nuk jepet reparacion familjeve të viktimave. Ai mendon se pajtimi mund të vije dikur më vonë natyrshëm.  

    “Si do të pajtohemi ne me dikë që nuk ka shprehur gatishmëri për të dhënë informata për vendndodhjen e të zhdukurve”, thotë nga ana tjetër Ademi. 

    Ndërkaq, Haki Kasumi, udhëheqës i KKAFPK-së, thotë se e kanë kundërshtuar këtë iniciativë, për faktin se rrjedh nga shteti, që ka bërë krime.  

    “Nuk ka të drejtë morale një shtet dhe shtetasit e tij, që janë përgjegjës dhe nuk ndjehen fajtorë të dalin me ide fantome”, thotë Kasumi i bindur se kjo iniciativë është mbështetur nga ata që nuk janë prekur nga krimet e luftës. Ai thotë se janë për krijimin e Komisionit nacional për evidentimin dhe hulumtimin e krimeve të luftës dhe se nuk kanë nevojë për krijimin e “repartit të FH-së”.  

    “Kjo është ide e nostalgjikëve të federatës jugosllave”, konstaton Kasumi, duke e konsideruar këtë edhe si luftë për pastrimin e fytyrave nga krimet e luftës.  

    Duke i cilësuar këto komente si manipulime, Blakaj thotë se nuk mund të shfajësohet dikush duke nxjerrë faktet kundër tij, ndërsa komentin për nostalgjikët e federatës e cilëson si një “take” të mirë.  

    Si praktikë rajonale, për Sheremet Ademin kjo nismë është e dështuar, pasi që është kundërshtuar edhe nga shoqatat e ish-republikave jugosllave.  

    “Kjo nismë po mbështetet nga disa të paditur ose mendjeshitur”, thotë Ademi i bindur se FDH ka mjete të mjaftueshme për të paguar argatët për të manipuluar me familjet e të zhdukurve dhe të të vrarëve. Sikur ata ta dinin qëllimin real të kësaj nisme, ai mendon se nuk do të nënshkruanin për formimin e “KOMRA”-s. 

    Pasi ka sqaruar se deri më tani për nismën për “KOMRA” vetëm në Kosovë janë grumbulluar 81 mijë nënshkrime, ndërsa kanë mbetur për t’u siguruar edhe 9 mijë të tjera, Bekim Blakaj thotë se të gjithë presidentëve të vendeve të dala prej luftës, përfshirë presidenten Jahjaga, në qershor do t’iu dorëzohet kërkesa për krijimin e Komisionit rajonal, të cilin duhet ta formojnë shtetet.  

    Por, Prenkë Gjetaj udhëheqës i Komisionit qeveritar për të pagjeturit mendon se pa fuqinë ligjore një komision i tillë rajonal është vështirë të formohet. Pavarësisht kundërshtimit, që kësaj nisme i është bërë nga KKAFPK-ja, ai thotë se nismën për “KOMRA” as nuk e mbështesin as nuk e pengojnë.  

    Pa një qëndrim të qartë rreth kësaj nisme, Gjetaj thotë se Qeveria duhet të marrë një qëndrim rreth kësaj çështjeje. “Për këtë çështje institucionet do të marrin një qëndrim të caktuar, të cilin unë do ta respektoj”, thekson ai.

    Bekim Blakaj Kosova, pro dhe kundër KOMRA-s – zeri.info – 17.05.2011.

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.