02.04.2013.
Kandiq: KOMRA është aty, në majë të gishtave
BEOGRAD, 31 mars (Tanjug) – Koordinatorja rajonale e procesit KOMRA, Natasha Kandiqi, si parakusht të pajtimit në rajon e sheh kthimin e identitetit të të gjitha viktimave të krimeve të luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë dhe thotë se kjo nismë, pas pothuajse pesë viteve, nga niveli civil është bartur në nivelin politik.
“KOMRA është aty, në majë të gishtave. Kanë kaluar shumë vite të cilat tregojnë se sa e vështirë është që një nismë civile të arrijë në duart e politikanëve. Mund të jemi të kënaqur dhe të themi se ia kemi dalë që nga niveli civil ta bartim në atë politik”, i ka thënë bashkëbiseduesja Tanjugut.
Në vendet e krijuara nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë edhe më tutje mbizotëron politika e ndarjes, për çka edhe nga faktorët politik të rajonit përfundimisht është njohur rëndësia e themelimit të Komisionit Rajonal për vërtetimin dhe komunikimin e fakteve mbi viktimat dhe krimet e luftës (KOMRA).
Kandiqi e përkujton rëndësinë e “instrumenteve”, të cilët do të sjellin këtë dimension të ri – respektimin e të gjitha viktimave në rajon pavarësisht nga kombësia.
Përkrahja publike për nismën nuk ka munguar dhe në muajin qershor të vitit 2011 e kanë nënshkruar peticionin për themelimin e KOMRA-s 543.000 qytetarë dhe tash, siç e thotë drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka ardhur koha për vendim politik, rëndësinë e të cilit kohët e fundit e kanë theksuar edhe delegacionet e Parlamentit Evropian dhe të Komitetit për Integrime Evropiane të Republikës së Serbisë.
Delegacionet, të vetëdijshme për rëndësinë e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore midis vendeve në rrugën drejt integrimeve evropiane, i kanë ftuar kryetarët e shteteve të rajonit të fillojnë me themelimin formal të KOMRA-s.
“Është treguar se përkrahja publike një kohë të gjatë nuk ka korresponduar me atë politike. Më nuk kanë zgjedhje tjetër… duhet ta konkretizojnë përkrahjen verbale”, konsideron Kandiqi.
Kryetarëve të shteteve të rajonit, siç na e përkujton ajo, në muajin shtator iu janë dërguar kartolina , me të cilat kërkohet fillimi i procedurave zyrtare për hulumtimin e mundësive juridike dhe kushtetuese për themelimin e KOMRA-s.
“Kemi dalë në rrugë për të biseduar, për të bërë qartësime. E kemi edhe ekipin e avokuesve publik të nismës, të cilin e përbëjnë personalitete të njohura nga të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë. Dhe, në fund, e kemi këtë rezultat – e kemi afirmuar nismën si qasje pa të cilën nuk ka pajtim”, shprehet e kënaqur Kandiqi.
Ajo e ka përkujtuar rëndësinë e ekzistimit të Librit të Kujtimit të Kosovës, që ka të bëjë me viktimat e vitit ’98, zbatimin e procesit të regjistrimit të të gjithë atyre që kanë pësuar në luftën në Kroaci në vitet ’90-të, se në muajin janar të këtij viti janë botuar katër libra boshnjak të të vdekurve…
“Do të thotë, ngadalë, detyra e KOMRA-s po bëhet diçka që është e realizueshme. Prioritet i të gjithë neve, që punojmë në dokumentimin e viktimave, është që të mos lejojmë të harrohet e kaluara – ky është një borxh ndaj atyre që nuk janë”, ka thënë koordinatorja rajonale.
Si “një gjë të madhe” ajo e përjeton faktin se Koalicioni për KOMRA, që tubon më shumë se 1.800 organizata të shoqërisë civile, ia ka dalë që kryetarët e shteteve i kanë emëruar të dërguarit e tyre personal në grupin, i cili do të fillojë me shqyrtimin e propozimit nga fusha e procesit rajonal.
E ka lëvduar kryetarin kroat Ivo Josipoviqin, i cili, thotë ajo, i pari e ka emëruar të dërguarin e tij personal në grupin e ekspertëve rajonal për KOMRA-n, shembullin e të cilit e kanë ndjekur edhe kryetarët e shteteve të tjera nga hapësira e Jugosllavisë, pos Serbisë.
“Ajo që më duket tash është se do të ishte mirë që edhe Serbia të jetë e inkuadruar, që kryetari i Republikës së Serbisë të kuptojë se sa e rëndësishme është kjo edhe për shkak të viktimave tona. Porosia jonë është se KOMRA është shans që Serbia ta marrë vendin në atë bashkëpunim rajonal, kurse viktimat serbe pranimin, që iu takon si edhe viktimave të tjera”, ka theksuar Kandiqi.
Në pritje të reaksionit edhe nga kryetari i Serbisë, koordinatorja rajonale e procesit KOMRA e ka paralajmëruar takimin e të dërguarve të kryetarëve të shteteve të rajonit gjatë muajit prill në Zagreb, që do të jetë paraprijës i Forumit për drejtësinë tranzicionale në datën 17 dhe 18 maj në Sarajevë në temën e pajtimit në Ballkan.