21.06.2012.
Avokuesit publik të Nismës KOMRA në takim me ambasadorët e vendeve të BE-së
Beograd, 21.06.2012.
Avokuesit e Nismës KOMRA kanë informuar dje ambasadorët e vendeve të BE-së në Serbi mbi rezultatet dhe sfidat në procesin e arritjes së përkrahjes së institucioneve shtetërore për të marrë përgjegjësinë për themelimin e KOMRA-së. Në takim, të cilin në Beograd e ka organizuar delegacioni i Komisionit Evropian në Serbi, shefi i delegacionit, ambasadori Vincent Degert ua ka përkujtuar pjesëmarrësve se institucionet e Be-së e përkrahin Nismën për themelimin e KOMRA-s , sepse ajo i kontribuon përforcimit të bashkëpunimit rajonal në ballafaqimin me të kaluarën.
Avokuesit publik e kanë kërkuar përkrahjen e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në komunikimin me politikanët vendës, me qëllim që procesi i KOMRA-s të bëhet projekt ndërshtetëror, i cili e ofron rrugëdaljen nga e kaluara dhe garancinë se krimet nuk do të përsëriten. Avokuesit ua kanë prezantuar pjesëmarrësve të takimit “Librin e kujtimit të Kosovës”, që i përmban emrat e viktimave të konfliktit në Kosovë në vitin 1998, si dëshmi të vendosmërisë së organizatave të të drejtave të njeriut që të ndihmojnë në realizimin e detyrës më të rëndësishme të KOMRA-s: emërimin e viktimave, të vrara dhe të zhdukura në luftërat e viteve nëntëdhjetë.
Ambasadorët kanë shprehur përkrahjen për procesin e pajtimit në rajon përmes tregimit të së vërtetës nga këndvështrimi i viktimave, të cilin e ofron Nisma KOMRA. Ata kanë theksuar se procesi i ballafaqimit me të kaluarën jo të largët ka një rëndësi të madhe për rajonin.
Në krye të Koalicionit për KOMRA-n, në takim kanë marrë pjesë avokuesit publik Natasha Kandiq e Dinko Gruhonjiq, dhe anëtarja e Koalicionit, Maja Miqiq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.