KOMRA rrjeti i pajtimit

11162015-rekom-10-

17.11.2015.

Politikanët e Ballkanit ‘nuk e marrin seriozisht pajtimin’

Vetë-viktimizimi i vazhdueshëm po zgjat ndarjet që nxitën konfliktet në ish-Jugosllavi në vitet 1990, paralajmëruan ekspertët gjatë një diskutimi në Beograd.

 

Marija Ristic, BIRN, Beograd

 

Politikanët nuk po arrijnë të trajtojnë si duhet çështjen e pajtimit të pasluftës, thanë ekspertët në një panel diskutimi të hënën të organizuar nga një koalicion i OJQ-ve të përfshira në një fushatë për një komision rajonal për të vërtetën për ish-Jugosllavinë, RECOM.

“Ka një tendencë nga politikanët vendas dhe ata ndërkombëtarë për të reduktuar procesin e pajtimit në ngjarjet formale siç janë nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh, vizita zyrtare, etj,” tha Eric Gprdy, një lektor i lartë nga University College në Londër.

“Është gjithashtu problematike fakti që vetëm politikanët që po bëjnë këto vizita dhe deklarata janë të përfshirë në proces, ndërsa nuk ka pajtim në thellësi, midis institucioneve dhe qytetarëve,” shtoi Gordy.

Diskutimi në Beograd ishte pjesë e 15 debateve të planifikuara në gjashtë vende të ish-Jugosllavisë të organizuara nga OJQ të mbledhura nën ombrellën “Për RECOM”.

“Për RECOM” dëshiron një komision rajonal për të vërtetën, i cili do të prodhonte një listë përfundimtare për ata që u vranë dhe u zhdukën së bashku me një listë kampesh dhe vendesh burgimi gjatë konflikteve të armatosura nga viti 1999 deri në vitin 2001 në ish-Jugosllavi.

Natasa Kandiç, e cila koordinon iniciativën “Për RECOM”, tha se ishte e rëndësishme përcaktimi i fakteve në nivel shtetëror, por në të gjithë rajonin.

“Ne besojmë se për shkak të karakterit rajonal të këtij komisioni, mund të parandalojmë mizori në të ardhme,” tha Kandiç.

Iniciativa e RECOM deri tani ka marrë mbështetjen nga krerët e shteteve në Serbi, Kosovë, Slloveni, Kroaci, Maqedoni. Edhe anëtarët boshnjakë dhe kroatë të presidencës trepalëshe të Bosnjës e kanë mbështetur atë, por anëtari serb jo.

Ratko Bozoviç, një profesor serb sociologjie i dalë në pension, tha në diskutimin në Beograd se problemi në vendet post-jugosllave është se njerëzit nuk janë të gatshëm të falin.

“Nuk ka kulturë pajtimi dhe ky është një problem shumë i madh. Nuk do të ketë pajtim nëse nuk ka falje. Dhe nuk ka falje pa përcaktim të së vërtetës,” tha ai.

Sima Spasiç, kryetarja e Shoqatës së Familjeve të të Rrëmbyerve dhe Vrarëve në Kosovë dhe Matohi, e cila është e përfshirë në procesin RECOM, tha se familjet e viktimave e kanë të vështirë të pranojnë deklaratat nga politikanët sepse disa prej tyre më parë kanë punuar për institucione shtetërore që kryen krime lufte.

“Për aq kohë sa ata që kryen krime lufte janë të lirë dhe nuk shpallen përgjegjës, nuk do të ketë pajtim,” tha Spasiç.

 

Fjalë të hidhura: politikanët në të kaluarën

“Për RECOM” prodhoi një raport mbi deklaratat e politikanëve në lidhje me pajtimin duke u fokusuar në ngjarjet kryesore këtë vit, përfshirë 20 vjetorin e masakrave në Srebrenicë, dialogun Serbi-Kosovë dhe 20 vjetorin e Operacionit Stuhia të Kroacisë. Këto citime janë nxjerrë nga raporti:

“Besoja se të gjithë njerëzit duan të mendojnë për të ardhmen, por tani kam parë se disa prej tyre e shohin pajtimin si një nevojë për të poshtëruar serbët.” Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç pas përkujtimores me rastin e 20 vjetorit të masakrave të Srebrenicës.

“Serbët janë populli që vuajti shumë më tepër se çdo popull tjetër gjatë dy luftërave botërore dhe që vuajti gjithashtu gjatë luftës në Bosnje.” Presidenti serb Tomislav Nikoliç para votimit të OKB-së për rezolutën mbi Srebrenicën.

“Krimet ndaj serbëve nuk mund të krahasohen me përpjekjen për të dëbuar boshnjakët.” Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe.

“Boshnjakët nuk duan pajtim, ata duan të ndëshkojnë kolektivisht të gjithë popullin serb, duan t’i dëbojnë nga kjo zonë. Ata e duan Bosnjën dhe Hercegovinën vetëm për vete.” Milorad Dodik, president i entitetit serb të Republikës Srpska në Bosnje.

“Ne në Kroaci nuk duam t’i rikthehemi të kaluarës. Ne po zgjasim dorën e pajtimit dhe tolerancës. Ne nuk duam të fajësojmë serbët për agresionin kundër shtetit tonë. Por ne nuk do të lejojmë kurrë që agresori të barazohet me viktimën.” Presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç para përkujtimores së Operacionit Stuhia.

“Serbia duhet të pranoëj fajin dhe vetëm atëherë ne mund të flasim për pajtim midis Kosovës, Serbisë dhe shqiptarëve.”Ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi.

(BIRN, 17. Nov 2015)

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.