22.07.2020.
Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë – Raport
Besart Lumi, BIRN, Gëzim Visoka, Integra, Nisma e Re Sociale, PAX, War victimsKosova bllokohet në rrugën e drejtësisë tranzicionale
Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës që synon normalizimin e marrëdhënieve ka rifilluar, por Kosovës i nevojitet ende një strategji gjithëpërfshirëse për t’u marrë me trashëgiminë e konfliktit të viteve 1998-1999, thuhet në një raport të ri hulumtues.
Një raport hulumtues i publikuar këtë muaj, me titull “Demokratizimi i Drejtësisë Tranzicionale në Kosovë” thotë se vendi duhet të përqendrohet në trajtimin gjithëpërfshirës të trashëgimisë së luftës 1998-1999 me forcat serbe në mënyrë që të shkojë drejt një të ardhme të qetë e paqësore.
“Kanë kaluar njëzet e një vjet nga përfundimi i konfliktit të dhunshëm në Kosovë dhe vendi nuk ka arritur ende të hartojë një strategji kombëtare për drejtësinë tranzicionale për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe angazhimit midis palëve të interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare për t’u angazhuar si duhet me trashëgimitë e së kaluarës”, thotë raporti, i cili u shkrua nga Gëzim Visoka dhe Besart Lumi dhe u botua nga PAX, Integra dhe Nisma e Re Sociale.
Ajo që vijoi ishin nismat krah për krah nga institucionet shtetërore dhe organizatat joqeveritare (OJQ) që kanë qenë kryesisht nisma nga lart-poshtë dhe të bazuara në projekte, pa bashkërendim të mjaftueshëm dhe përfshirje të komuniteteve të prekura. Këto nisma karakterizohen nga: 1) interesimi i pamjaftueshëm nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për t’i përfshirë çështjet e drejtësisë tranzicionale në thelbin e bisedimeve për paqe dhe dialog; 2) përpjekjet jo të plota, të politizuara dhe të personalizuara nga liderët politikë kombëtarë; ndërhyrjet afatshkurtra nga OJQ-të me depërtim dhe përfshirje të kufizuar të komuniteteve të prekura; 3) njohuri të pamjaftueshme për punën dhe ndikimin e nismave ekzistuese; dhe më e rëndësishmja 4) kanë anashkaluar rëndësinë e qasjeve të TsK nga poshtë-lart dhe me fokus tek viktimat. Si rrjedhojë e këtyre nismave paralele, të copëzuara dhe shpesh të mbivendosura, tani rrezikojmë të anashkalojmë aspekte të rëndësishme të kohës së luftës dhe padashtazi të promovojmë një kulturë të pandëshkueshmërisë, të injorancës dhe të mosnjohjes, duke dëmtuar kështu komunitetet e prekura dhe duke rrënuar në planin afatgjatë paqen e pajtimin e qëndrueshëm në Kosovë.
Për t’i korrigjuar këto të meta, ne pohojmë se Kosovës i duhet një infrastrukturë e integruar dhe diskutuese për drejtësinë tranzicionale, që promovon legjitimitetin demokratik dhe efikasitetin
e përpjekjeve për TsK në Kosovë. Në këtë kontekst, koncepti i shqyrtimit përfshin procese të vendimmarrjes mbi TsK, bazuar në diskutimin demokratik, konsultimin e gjerë dhe përfshirjen e
komuniteteve të prekura. Duke u mbështetur në informatat e dhëna nga të anketuarit dhe analizat krahasuese nga vendet e tjera, parashikojmë se demokratizimi i përpjekjeve për TsK në Kosovë
duhet të kalojë në katër faza. Së pari, propozojmë që Kosova të krijojë një mirëkuptim kombëtar të informuar nga qytetarët mbi parimet dhe etikën për TsK në Kosovë. Këto parime dhe kjo etikë duhet të udhëheqin punën e të gjitha palëve të interesuara kombëtare dhe ndërkombëtare që punojnë me TsK në Kosovë. Ato duhet të promovojnë të drejtat, nevojat dhe interesat e komuniteteve të prekura; të sigurojnë ekuilibrin gjinor; dhe të promovojnë de-etnizimin, depolitizimin dhe depersonalizimin e nismave të TsK. Së dyti, propozojmë krijimin e një baze të integruar të njohurive dhe të depozitimit të strategjive, iniciativave dhe mekanizmave ekzistues specifikë për sektorin, për të siguruar transparencë, për të mundësuar dialog dhe për të promovuar vendimmarrjen e bazuar në prova. Së treti, propozojmë zhvillimin e një strategjie kombëtare për TsK, e cila informohet nga diskutimet me qytetarë dhe pjesëmarrje të komuniteteve të prekura, për të siguruar legjitimitetin demokratik dhe saktësinë e veprimeve për TsK. Në fund, për të siguruar që të implementohen kuptimi kombëtar, shpërndarja e njohurive dhe korniza strategjike, duhet të ekzistojë një infrastrukturë institucionale e integruar, përgjegjëse për t’i mbështetur nismat ekzistuese dhe të ardhshme për TsK në Kosovë.