12.10.2016.
Fotografi dokumenton impaktin njerëzor të luftës së Kosovës
MemorializmiPër një ekspozitë të re në Prishtinë, fotografi holandez Willem Poelstra përdori historinë e vetë prindërve të tij si pikënisje për të treguar impaktin afatgjatë të luftës së viteve 1990 te njerëzit e zakonshëm në Kosovë.
Kur Willem Poelstra, i biri i një nëne hebreje dhe një babai holandez, i cili punonte për një kompani gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore, vizitoi për herë të parë Kosovën në vitin 2012, në mendjen e tij ishte historia e vetë familjes së tij.
Pas vdekjes së prindërve të tij, Poelstra gjeti një kuti me dokumente dhe informacione që tregonin se sa të vështirë e kishte pasur familja hebreje e mamasë së tij Hanna të pranonte që ajo kishte zgjedhur të martohej me një njeri që kishte punuar për gjermanët.
Ky zbulim ndihmoi në fotografitë që ai realizoi për ekspozitën e tij të re “Për Hanën”, e cila do të jetë e pranishme në Sheshin Skënderbeu të Prishtinës deri më 17 tetor dhe paraqet portrete të njerëzve nga e gjithë Kosova që i mbijetuan konfliktit, në përpjekje për të kapur imazhet e realitetit të përditshëm të pasluftës në vend.
“E ndiej shumë ndikimin e luftës në Kosovë, pra, ajo është ende e pranishme,” tha Poelstra për BIRN.
Ai tha se prindërit e tij nuk diskutonin kurrë atë që u ndodhi atyre gjatë luftës, por u shpreh se kjo ishte e vetmja mënyrë – edhe në Kosovë po aq sa në Holandë pas Luftës së Dytë Botërore – për t’u përballur me të kaluarën.
“Nëse doni të ecni përpara, duhet të diskutoni për të, të flisni për të. Edhe nëse kjo s’është e këndshme për këdo, por mendoj se kështu shkoni drejt pajtimit,” tha ai.
Poelstra tha se i ishte dukur “sfiduese” të ekspozonte fotografitë në Prishtinë, por shikuesit dukeshin të impresionuar nga mënyra sesi ai dokumentonte njerëzit e zakonshëm në Kosovë.
Nita Zeqiri, një fotografe nga Mitrovica, e cila ka mbetur e ndarë midis shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve që prej luftës, tha se të shikoje punën e Poelstrës ishte një eksperiencë emocionuese për njerëzit që përjetuan konfliktin.
“Ka lidhje me Mitrovicën, e cila vazhdon të ketë ngjashmëri me origjinat e prindërve të fotografit, duke qenë se në Mitrovicë ka më shumë bashkëpunime dhe marrëdhënie midis serbëve dhe shqiptarëve, gjë që është normale, por bashkëpunimi në çështjet politike kritikohet dhe nuk shihet si diçka njerëzore – marrëdhënie të tilla ndoshta shihen si tradhti ndaj kombit,” tha Zeqiri për BIRN.
Kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti gjithashtu e lavdëroi ekspozitën në ambient të hapur.
“Kjo është një përpjekje e suksesshme për të treguar historinë e luftës, shenjat që lë lufta, nëpërmjet fotografive,” tha Ahmeti.
Saranda Bogujevci, një artiste që humbi të gjithë familjen e saj në luftë dhe shkoi të jetonte në Britani në moshën 14-vjeçare, tha se ishte e rëndësishme të flasësh për të kaluarën e trazuar të dikujt në mënyrë që të shërosh plagët psikologjike.
“Është shumë e vështirë të jesh në pozicionin e viktimës, kështu që kur dikush gjen një mënyrë të përshtatshme për të treguar historinë, është shumë e rëndësishme,” tha Bogujevci.
(This article has been published on Balkaninsight 10.10.2016.)