17.04.2012.
Hedhin poshtë idenë e kryeministrit
Idenë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një komisioni për pajtim rajonal, për të vërtetën dhe për pajtim për Kosovën, që do të shëronte plagët e konflikteve në rajon, opozita e quan një hap të ngutshëm, të pamatur dhe në një kohë jo të duhur. Për opozitën, kjo po ashtu është një fasadë që i jepet politikës së dështuar të udhëhequr nga kjo Qeveri dhe nga kryeministri dhe është mashtrim optik në sytë e opinionit vendor dhe ndërkombëtar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, vlerëson se nuk ka qenë momenti dhe mënyra e duhur, për një iniciativë të tillë nga kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
Ernest Luma, zëdhënës i AAK-së, idenë e kryeministrit e quan iniciativë të ngutur dhe të pamatur. Sipas tij para së të flitet për pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, Serbia e cila ka kryer krime të rënda dhe gjenocid në Kosovë, duhet të kërkoi falje, gjë të cilën se ka bërë deri më tani, transmeton Kosovapress.
“Është një iniciativë e ngutshme e kryeministrit të Kosovës. Çdo iniciativë e tillë është e mirë, mirëpo në rrethana të caktuara dhe nga pala e duhur. Në këtë rast ftesa për pajtim, do të duhej të vijë pas një kërkim falje drejtpërdrejtë nga Serbia dhe nga përfaqësuesit e saj më të lartë shtetëror. Është hap i ngutshëm i kryeministrit Thaçi. Është hap i pamatur dhe ndoshta i pa duhur, dhe në një moment jo të duhur. Çdo pajtim është i mirë në rajon midis popujve dhe midis fqinjëve pas luftërave dhe zhvillimeve jo të mira mes tyre. Mirëpo gjithë duhet ta dimë se në Kosovë, ka ndodhur një luftë jashtëzakonisht e rëndë, një krim dhe gjenocid që ka ushtruar Serbia, regjimi i Serbisë, shteti i Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Në këtë rast përfaqësues të atij regjimi, pra përfaqësues të Beogradit zyrtar, do të duhej të kërkonin paraprakisht falje dhe të fillonin nismat e tilla”, tha Luma.
Ndërsa Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se bazamenti i çfarëdo pajtimi është drejtësia. Pa drejtësi, sipas tij askund në botë dhe në asnjë konflikt nuk ka pasur pajtim. Ai tha se Kosova përbrenda ende i ka plagët e pashëruara dhe se ende janë mbi 1800 trupa të pagjetur dhe se nuk mund të ketë pajtim pa u realizuar drejtësia, për atë që Serbia ka bërë në Kosovë.
“Në momentin kur Serbia, është po sikur Serbia e Miloseviqit, e cila jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por aq më tepër as nuk ka kërkuar falje dhe nuk ndjenë pendesë për atë që ka bërë. Madje figura të ndryshme që i ka atje edhe në Qeveri Serbia, si puna e Dacicit, i cili tani po kandidon edhe për president të Serbisë, me gjestet e tij po na tregon që po të ishte kthyer koha edhe njëherë ai të njëjtën do të ia bënte shqiptarëve, të njëjtat masakra dhe atë gjenocid. Atëherë kjo tregon se nuk mund të ketë pajtim. Për pajtim Serbia duhet të pendohet për atë që ka bërë në Kosovë. Të gjithë kriminelët e luftës duhet të dënohen, viktimat të zhdëmtohen, e pastaj ne mund të flasim për pajtim. Pajtim sa për sy e faqe, nuk na duhet. Madje pajtimi sa për sy e faqe, vetëm të themi se krijuam një institucion të pajtimit, mund të jetë i dëmshëm bile, pa u realizuar drejtësia”, pohoi Konjufca. /Telegrafi/