26.02.2016.
Kosovë: Drejtësia tranzicionale në kurrikulën e re mësimore në shkollat e mesme
Ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, tha se drejtësia tranzicionale do të jetë pjesë e kurrikulës mësimore në shkollat e mesme duke filluar nga shtatori i vitit 2017
Tavolina e rrumbullakët e Qendrës për të Drjtë Humanitare mbi drejtësinë tranzicionale. Foto: BIRN. |
Ministri i arsimit Bajrami ditën e enjte pranoi një propozim nga zyra e Qendrës për të Drejtë Humanitare në Kosovë që drejtësia tranzicionale të jepet mësim si pjesë e Edukimit Qytetar në kurrikulën e shkollës së mesme.
“Ministria e arsimit do të jetë shumë aktive gjatë këtij projekti dhe mezi po presim vënien e tij në zbatim. Së bashku shpresojmë ta fillojmë këtë projekt që në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, më 1 shtator,” tha Bajrami në një tryezë të rrumbullakët mbi drejtësinë tranzicionale në Prishtinë.
Bekim Blakaj, drejtor i Qendrës për të Drejtën Humanitare, tha se edukimi i nxënësve të shkollave të mesme në lidhje me drejtësinë tranzicionale ishte i nevojshëm që ata të mund të kuptojnë se çfarë ka ndodhur në vitet 1990.
“Kemi vënë re një mungesë informacioni midis nxënësve të shkollave të mesme në lidhje me të dhënat themelore për humbjet në njerëz apo dëmet materiale gjatë luftës në Kosovë,” tha Blakaj në tryezën e rrumbullakët në Prishtinë.
“Vendosëm ta propozonim një projekt të tillë, duke qenë se arsimi është pjesë e reformimit institucional të shoqërisë,” shtoi ai.
Që prej vitit 2011, HLC-ja ka organizuar trajnime për nxënësit e shkollave të mesme, si pjesë e programit të saj për ballafaqimin me të kaluarën. Në vitin 2015, pati 16 të tilla ku morën pjesë 591 nxënës.
Një nga dilemat e ngritura në diskutim ishte nëse drejtësia tranzicionale duhet të përfshihet në tekstet e Historisë apo Edukatës Qytetare.
Beqir Letaj, një profesor historie nga Prizreni, u shpreh se ajo nuk duhet të përfshihet në tekstet e historisë, sepse ngjarjet e kohës së luftës duhet të vlerësohen gjatë një periudhe më të gjatë kohore.
“Historia është një lëndë që ka nevojë për saktësi shkencore kështu që është e preferueshme që të kalojnë të paktën 30 vjet para se kjo çështje të përfshihet në tekstet e saj. Prandaj Edukata Qytetare do të ishte lënda e përshtatshme për kapitullin shtesë,” tha Letaj.
Ambasadorja zvicerane në Prishtinë, Krystyna Marty Lang, tha gjatë diskutimit se ambasada e saj e mbështet iniciativën.
“Pa një qasje të bazuar në fakte dhe diskutimin sesi Kosova po e trajton të kaluarën, do të jetë më e lehtë që nxënësit të manipulohen nga media,” tha ajo.
(BIRN, 25 Feb 16)