KOMRA rrjeti i pajtimit

images

13.10.2016.

KA ARDHUR KOHA QË MEDIAT E KOSOVËS TA MARRIN SERIOZISHT DREJTËSINË TRANZICIONALE

Kosovë, pajtim

Nga Nora Ahmetaj
GAZETARËT NUK DUHET T’I IKIN ÇËSHTJES SË NDËRLIKUAR TË DREJTËSISË TRANZICIONALE

Image result for tranziciona pravda pictures

Gjatë verës së vitit 2013, Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CRDP) organizoi punëtorinë Mediat dhe Drejtësia Tranzicionale, në të cilën më shumë se 15 gazetarë diskutuan lidhur me një numër arsyesh pse mediat ngurrojnë të merren me temat e drejtësisë tranzicionale si dhe me ato të ballafaqimit me të kaluarën.

Ballafaqimi me të kaluarën është një proces qe zhvillohet pas konflikteve e luftrave i cili synon t’i rimëkëmb shoqëritë e rraskapitura nga lufta dhe të sigurojë paqe të qëndrueshme, duke rehabilituar viktima, duke luftuar pandëshkueshmërinë dhe duke rivendosur sundimin e ligjit. Drejtësia tranzicionale thirret në një numër masash të karakterit ligjor dhe joligjor të cilat janë zbatuar nga vendet e ndryshme me qëllim të adresimit të pasojave të abuzimeve masive të të drejtave të njeriut. Të dy konceptet janë të ngjashme; arsyeja pse parapëlqejmë ta përdorim konceptin e ballafaqimit me të kaluarën është se e dimë nga ku fillon — menjëherë pas përfundimit të konfliktit — por nuk e dimë ku përfundon. Po flasim për një proces të gjatë.

Roli i mediave në formësimin e opinionit publik dhe të perceptimit të drejtësisë, të drejtave dhe demokracisë ka ndikim të madh në proceset e drejtësisë tranzicionale. Megjithatë, gazetarët shpesh nuk trajnohen sa duhet në lidhje me ndjeshmërinë e cila nevojitet për të ndërmjetësuar në dialogun social sa i përket këtyre çështjeve, apo nuk janë të vetëdijshëm për potencialin e tyre për t’i promovuar mekanizmat e drejtësisë tranzicionale në mënyrë aktive.

Në konferencë duket se doli në pah pikëpamja se ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia tranzicionale janë tema tejet të specializuara për të cilat mund të raportojë vetëm ndonjë gazetar i specializuar; dhe ashtu është. Ka të vërteta në këtë pohim. Përveç përgatitjes profesionale, gazetari duhet të jetë hulumtues i shkathtë me pasion për tema që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën. Gazetarët duhet të jenë në gjendje t’i sfidojnë e t’i tejkalojnë politikat e tyre redaktoriale.

Sidoqoftë, interesat financiare të pronarëve të mediave paraqesin pengesë në përcjelljen e rasteve të ndjeshme, apo rasteve që mund t’i dëmtojnë zyrtarët e lartë. Përcjellja e rasteve të tilla mund ta dëmtojë qëndrueshmërinë financiare të mediumit duke ndikuar në marrëdhëniet e atij mediumi me akterët kyçë të biznesit dhe të komunitetit politik, apo duke ia zvogëluar mundësitë t’u shesë hapësirë reklamuese institucioneve publike.

Pas luftës së armatosur në Kosovë në vitin 1999, dhe si rezultat i përpjekjeve të donatorëve ta shtyjnë përpara gazetarinë hulumtuese, u zhvillua një pikëpamje se kjo lloj gazetarie duhet të fokusohet në çështjet e korrupsionit apo të sundimit të ligjit dhe jo në drejtësinë penale. Kjo lloj gazetarie duket jotërheqëse për hulumtim. E gjithë kjo gjendje përkeqësohet edhe më tej nga mungesa e gjithëmbarshme e interesave personale të gazetarëve për t’u marrë me çështje të ndjeshme dhe raste të ndërlikuara të cilat mund t’i hasin në proceset e drejtësisë tranzicionale, sidomos duke pasur parasysh natyrën joatraktive të këtyre rasteve.

Për më tepër, hulumtimi i çështjeve të drejtësisë tranzicionale dhe të ballafaqimit me të kaluarën kërkon kohë dhe mund. Për media të ndryshme kjo do të thotë se gazetarët do të përqendrohen në një gjë për një periudhë mjaft të gjatë. Një punë e tillë bart ngarkesa financiare, sidomos kur flasim për mediat të cilat, për arsye financiare, mbështeten në një gazetar të vetëm i cili mbulon një varg seksionesh. Në praktikë, për të punuar me familjet e viktimave, nevojitet të investohet kohë për të ndërtuar marrëdhënie të besimit të ndërsjellë — praktikë e cila për disa sosh është luks i vërtetë. Në dritë të kësaj, gazetarët shpesh ballafaqohen me vështirësi kur takohen me viktimat, me familjet e tyre, dhe kur ndërtojnë besim ndërmjet tyre.

Një pengesë shtesë mund të jetë ngurrimi i gazetarëve për të hulumtuar për shkak të frikës nga cënimi i barazpeshës së mbulueshmërisë së krimeve të luftës, duke prezantuar narrativa të viktimave kundrejt agresorëve në një mjedis të polarizuar të Kosovës së pasluftës. Me këtë, ata gazetarë mund të etiketohen si tradhtarë dhe ta vënë në rrezik sigurinë e tyre. Poashtu ka mungesë të mbrojtjes së gazetarëve të cilët mblulojnë çështje të ndjeshme. Një pyetje tjetër e cila duhet parashtruar këtu ka të bëjë me përgatitjen e mediave dhe të gazetarëve vendorë për t’u marrë me rastet gjithnjë në rritje të cilat trajtohon nëpër gjykata vendore.

Prokurori special Besim Kelmendi, në po këtë punëtori të organizuar nga CRDP-ja në vitin 2013, vuri në pah çështje në lidhje me qasjen e mediave në gjyqësor kur flasim për rastet e krimeve të luftës. Gazetarëve iu paraqit një përmbledhje organesh gjyqësore në Kosovë të cilat merren me krimet e luftës, si dhe një shpjegim në lidhje me pengesat kryesore në ndjekjen penale të rasteve të tilla. Këto pengesa kishin të bënin me vështirësitë në grumbullmin e provave, në bashkëpunimin me Republikën e Serbisë për shkak të statusit politik, mbrojtjen e dëshmitarëve si dhe me presionin e gjithëmbarshëm që ushtrohet ndaj gjyqësorit.

Prokurori Kelmendi theksoi rëndësinë e mediave në formësimin e opinionit publik dhe në kundërshtimin e miteve të rrejshme, si dhe në ndikimin e tyre në punën e gjyqësorit. Portretizimi i krimeve të luftës në Kosovë mund të çojë në etiketimin e kriminelëve si “patriotë” apo “tradhtarë”. Ky problem vështirësohet edhe më shumë nga një praktikë e shpeshte ku avokatët shkojne tek mediat për t’i publikuar rastet e tyre, derisa prokurorët nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë për shkak të politikave të tyre të marrëdhënieve me publikun.

Gjithashtu, prokurorët ballafaqohen me gjasat e ndërhyrjes politike, që lë përshtypjen se dështimi në plotësimin e kërkesave të caktuara mund t’u kushtojë me humbje të vendeve të punës.

Siç nxjerr në pah raporti i CRDP-së i vitit 2013 i titulluar Beteja në të Gjitha Frontet, me fuqinë e tyre në formiësimin e diskursit publik dhe mënyrën se si e shohim të kaluarën, gazetarët anëmbanë Kosovës duhet të shtyjnë përpara mbulimin dhe debatimin e çështjeve që kanë lidhje me të kaluarën tonë kolektive — jo vetëm krimet e luftës ngase janë pjesë e kornizës së drejtësisë tranzicionale, por edhe rrëfimet nga jeta reale e atyre që janë prekur nga lufta.

Duke marrë parasysh faktin se një gjykatë e re speciale në Hagë së shpejti do të fillojë punën në lidhje me rastet e krimeve të kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë, gazetarët kosovarë përfundimisht duhet të bëhen më seriozë. Kjo do të thotë se ata nuk duhet të përqendrohen vetëm në komuikata për shtyp; përkundrazi, ndryshe nga rastet e gjykimeve dhe vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish Jugosllavi, gazetarët duhet t’i përmërsojnë shkathtësitë e tyre profesionale dhe interpretuese në analizimin e vendimeve dhe normave ndërkombëtare si dhe implikimeve të tyre.

 

(Ky artikull fillimisht është publikuar në Kosovo 2.0.)

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.