16.11.2015.
Kandiq: Ka nisur hetimi paraprak ndaj gjeneral Dikoviqit
Dikoviq, Natasha KandiqNë bazë të akuzave për vepër penale nga ana e Fondit për të Drejta Humanitare, Prokuroria për krime lufte e Serbisë është duke bërë hetimin paraprak ndaj shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Ljubisha Dikoviq dhe tre personave tjerë.
Hetimi ndaj këtyre personave është duke u zhvilluar mbi bazën e dyshimeve se ata kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në fshatin Rrezallë dhe Qirez në Kosovë, në vitin 1999, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë ish drejtoresha e Fondit për të Drejta Humanitare, Natasha Kandiq.
Prokuroria për krime lufte e Serbisë, ka thënë se kanë nisur procedura e hetimit paraprake kundër personit N.N, por nuk ka përmendur emrin e gjeneralit Ljubisha Dikoviq. Lidhur me këtë çështje kjo prokurori ka lëshuar një deklaratë për medie.
“Pas gjetjes së kufomave në varrezën masive në Rudnicë, që gjendet në afërsi të Rashkës, është nisur hetimi paraprak kundër personit N.N. në mënyrë që të zbardhen rrethanat nën të cilat kanë pësuar civilët e nacionalitetit shqiptar, që besohet të jenë të zonës së fshatrave Rezallë dhe Qirez. Deri më tash, në bashkëpunim me EULEX-in, janë marrë dëshmitë e 100 dëshmitarëve”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë për krime të luftës të Serbisë.
Në anën tjetër, në letrën që Prokuroria serbe për krime lufte i ka dërguar avokatit të Fondit për të Drejtën Humanitare, Vladimir Gajiq, në të cilën Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje, thuhet:
“Lidhur me kërkesën tuaj, të cilën si avokat i autorizuar i Fondit për të Drejtën Humanitare e keni paraqitur ligjërisht në këtë prokurori, me datën 12 tetor 2015, lidhur me kallëzimin penal kundër Ljubisha Dikoviqit, Dejan Rangjeloviqit dhe dy personave të panjohur, ju lajmërojmë që prokuroria procedon sipas këtij kallëzimi penal dhe në kornizë të procedurës paraprake po i verifikon pretendimet duke mbledhur të dhënat dhe informacionet e nevojshme”.
Natasha Kandiq, thotë se në këtë moment është e sigurt që shefi i tanishëm i Shtabit të përgjithshëm nuk mund të mbes në atë funksion.
“Ky dyshim publik të cilin Fondi për të Drejtën Humanitare e ka paraqitur prej vitit 2012, me këtë rast është përforcuar ligjërisht dhe mendoj që më nuk ka hapësirë as për procedurë civile, e as për mbetjen e gjeneralit Dikoviq në një pozitë aq të lartë”.
“Faktikisht, ai është dikush që nuk guxon të jetë në një funksion publik dhe tashmë janë krijuar kushtet që pafajësinë e tij ta tregojë para atij gjyqi dhe jo në procedurë civile”, ka thënë Kandiq.
Lidhur me atë se çfarë përmban kallëzimi penal i Fondit për të Drejtën Humanitare, Kandiq thekson se “Fondi për të Drejtën Humanitare ka publikuar dy raporte në janar të vitit 2012, të quajtura ‘Dosja Ljubisha Dikoviq’, atëherë kur qeveria e kaluar, në mënyrë energjike dhe pa argumente ka kontestuar çdo të dhënë të cekur në atë dosje dhe e ka mbështetur gjeneralin Dinkoviq”.
“Ai, së pari, ka paraqitur padi penale private dhe pasi që ligji është ndryshuar, ka kaluar në procedurë civile. Dosja e dytë që ka të bëjë me gjetjen e varrezave masive , në të cilat janë gjetur mbetjet mortore të njerëzve të identifikuar, të cilët janë vrarë në komunën e Drenasit dhe Skenderajt, pasi që Brigada e 37 e motorizuar e Ushtrisë së Jugosllavisë, në muajin prill dhe maj, ka ndërmarrë ofenzivë të gjerë kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kandiq.
Ajo ka shtuar se të dhënat e mbledhura, janë mjaft të dokumentuara dhe të ndërlidhura fuqishëm me operacionin dhe fatet individuale të fshatarëve të vrarë.
Të gjitha këto, sipas saj, në nëntor të këtij viti janë shndërruar në një kallëzim penal mjaft të dokumentuar.
Kandiq ka theksuar se Prokuroria për krime lufte e Serbisë, e cila në vitin 2012 është vënë në mbrojtje të gjeneralit Dikoviq, tashmë, në praninë e argumenteve aq të fuqishme, sikurse janë mbetjet mortore të fshehura në varreza masive, është detyruar që të reagojë dhe të nisë hetimin paraprak ndaj shefit të Shtabit të Ushtrisë së Serbisë.