13.04.2017.
Korniza e Kosovës Për Trajtimin e Të Kaluarës Në Një Pikë KThese: Vlerësim nga shoqëria civile për progresin drejt hartimit të Strategjisë Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale
Drejtësinë Tranzicionale, Nora AhmetajPikat kyçe
– Grupi Punues Ndërministror për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtimin (GPN) është themeluar për t’u marrë me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut dhe të të drejtës humanitare ndërkombëtare gjatë luftës së Kosovës, kryesisht duke zhvilluar një Strategji Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale.
– Puna e GPN u pengua nga mangësitë që lidhen me udhëheqësinë dhe menaxhimin, pronësinë politike, përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë në Kosovë, si dhe ndër të tjera angazhimin e publikut. Duke pasur parasysh këto mangësi, ka shumë rrezik që GPN të dështojë në zhvillimin e një strategjie kombëtare që ka kredibilitet dhe legjitimitet për të avancuar transformimin shoqëror.
– Me qëllim që të nxjerrë një Strategji Kombëtare kuptimplotë, Qeveria e Kosovës duhet të zotohet politikisht për procesin e GPN-së, të ndërtojë besimin me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komuniteteve pakicë, të planifikojë për konsultime gjithëpërfshirëse kombëtare, dhe të ndërlidhë punën e GPN-së me proceset e tjera që lidhen me drejtësinë tranzicionale në Kosovë, duke përfshirë edhe një Komision të ri për të Vërtetën dhe Pajtimin.
– Shoqëria civile duhet të përvetësojë një qasje më strategjike ndaj drejtësisë tranzicionale dhe ta forcojë ekspertizën rreth ndërveprimit me proceset politike, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të ofrojë më shumë mbështetje politike për punën e GPN-së, të përmirësojë bashkërendimin për drejtësinë tranzicionale dhe ta integrojë drejtësinë tranzicionale si pjesë të procesit të përafrimit në Bashkimin Evropian (BE).
Mirënjohje
Kjo punë nuk do të ishte e mundur pa pjesëmarrjen e një game të gjerë aktivistësh të shoqërisë civile, zyrtarësh publikë dhe të tjerëve të përfshirë në fushën e drejtësisë transizionale dhe të ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë. Integra, Impunity Watch, PAX dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë dëshirojnë t’u shprehin mirënjohjen e thellë të gjithë të anketuarve që ofruan njohuritë e tyre. U jemi posaçërisht mirënjohës për inputet dhe komentet Bekim Blakajt, Shukrije Gashit, Teuta Hoxhës, Dušan Radaković-it, Feride Rushitit, Gazmend Salijeviqit, si dhe Nehari Sharrit, që e shqyrtoi dorëshkrimin.
Falënderime të veçanta Jane Carroll, e cila ofroi përkrahjen e çmuar për redaktimin e raportit.
Partnerët e projektit duan të falënderojnë për përkrahje financiare Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Holandës, pa të cilën hulumtimi dhe publikimi i këtij raporti nuk do ishte i mundshëm; si dhe Rockefeller Brothers Fund dhe Fondacionin Charles Stewart Mott, përmes programit të Integra-s “Ballafaqimi me të kaluarën dhe drejtësia tranzicionale”.
1. Hyrje
Në qershor të vitit 2012, Qeveria e Kosovës (QK) themeloi Grupin Punues Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtim (më tutje GPN) për t’u “marrë me shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe shkelje të rënda të të drejtës humanitare ndërkombëtare në të kaluarën në Kosovë, duke përfshirë edhe luftën e fundit dhe periudhën e tranzicionit1″. E ndodhur brenda Zyrës së Kryeministrit, GPN-ja kishte për qëllim të shërbente si pikë qendrore brenda QK për lehtësimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe me ndjeshmëri gjinore për ballafaqim me të kaluarën (BmK) përmes dialogut dhe bashkëpunimit, duke nxjerrë në fund një Strategji Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale.
Krijimi i GPN e përfaqësonte iniciativën e parë domethënëse të QK që synonte trajtimin e çështjeve të BmK dhe të pajtimit. Ai krijoi bazën për përmbushjen e detyrimeve të Kosovës lidhur me zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin (PGjS), të njohur më mirë për publikun si Plani i Ahtisaarit, i cili mbështeti shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008. PGjS-ja përmban dispozita që synojnë të promovojnë dhe t’i mbrojnë të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, dhe parashikon krijimin e një procesi për BmK dhe drejtësinë tranzicionale.
GPN u mandatua për të nxitur një proces të pajtimit mes të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Kosovë. Ajo ishte e autorizuar për të ofruar rekomandime dhe mendime këshilldhënëse për ministritë, institucionet e tjera publike, komunitetet në nivel lokal dhe qytetarët. Ç’është më e rëndësishmja, kjo punë synonte të i marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë, me qëllim që të promovonte pajtimin dhe paqen e qëndrueshme, si dhe të siguronte llogaridhënie, t’i shërbente drejtësisë, t’i ofronte mjete viktimave, të lehtësonte kërkimin e të vërtetës, të promovonte shërimin dhe të merrte masat e nevojshme për të kthyer besimin në institucionet e shtetit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe standardet e drejtësisë tranzicionale.
Përfaqësuesit e 12 institucioneve publike dhe tetë organizatave të shoqërisë civile (OShC) u emëruan në GPN, duke përfshirë edhe agjencitë publike, organizatat ndërkombëtare dhe misionet diplomatike me rol këshilldhënës. Nëngrupet u organizuan rreth katër shtyllave të drejtësisë tranzicionale: (1) kërkimit të së vërtetës, (2) reparacioneve, (3) drejtësisë dhe (4) reformave institucionale.
Në pesë vitet që nga themelimi, GPN nuk ia ka dalë t’i arrijë objektivat e veta, veçmas në lidhje me nxjerrjen e një Strategjie Kombëtare. Kundrejt këtij sfondi, dy OShC kosovare (Integra dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë) dhe dy OShC ndërkombëtare (Impunity Watch dhe PAX) nisën një shqyrtim objektiv, sistematik dhe të pavarur nga ana e shoqërisë civile rreth punës së GPN-së, dhe një proces reflektimi kolektiv mbi implikimet e kësaj pune për besueshmërinë dhe legjitimitetin e Strategjisë Kombëtare dhe perspektivat e saj për avancimin e transformimit shoqëror. Dy konsulentë janë ngarkuar për realizimin e këtij shqyrtimi dhe ky raport është rezultat i këtij procesi.
2. Metodologjia
Gjetjet dhe rekomandimet në këtë raport bazohen kryesisht në intervista me një gamë të gjerë palësh të interesit në Kosovë, duke paraqitur një vlerësim objektiv se ku qëndron procesi. Është e rëndësishme të theksohet se bashkautorët nuk ia dolën ta intervistonin kryetarin e GPN-së, pavarësisht kërkesave specifike, dhe nuk ia dolën të siguronin disa dokumente që thuhet t’i ketë nxjerrë GPN-ja. Duke pasur parasysh se objektivi qendror I këtij rishikimi nga ana e shoqërisë civile ishte që të vlerësohej aftësia e GPN-së për të hartuar Strategjinë Kombëtare, bashkautorët e konsideruan të rëndësishme ta shqyrtonin kontekstin politik, dhe prandaj folën me shumë njerëz që nuk lidhen direkt me GPN-në por posedojnë njohuri specifike në mjedisin e gjerë të BmK.
Githsej 32 intervista të detajuara dhe 25 takime takime për shqyrtim multidisiplinor janë kryer nga bashkautorët në periudhën 9-18 janar 2017 në Prishtinë. Intervistat synonin të shqyrtonin perspektivat e të anketuarve mbi punën e GPN përmes një sërë pyetjesh të gjysmëstrukturuara. Pyetje plotësuese u bënë gjatë intervistave për të sqaruar dhe/ose për t’u zgjeruar më tej në çështje të caktuara që lidhen me drejtësinë tranzicionale në Kosovë. Prej të intervistuarve, 14 ishin anëtarë aktivë të GPN-së ose i përkisnin OShC; ata përfshinin njerëz që përfaqësojnë komunitetet pakicë, ministritë dhe agjencitë publike, një ish-kryesues të GPN-së, vëzhgues nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë në Kosovë në fushën e BmK, si dhe një këshilltar teknik të huaj.
Në rastin e tre të anketuarve që nuk ishin të pranishëm në Prishtinë, u zhvilluan intervista me Skype. Dy pjesëtarë të GPN-së që përfaqësojnë komunitetet pakicë dhe disa përfaqësues të ministrive dhe të OShC morën pyetje të gjysmëstrukturuara dhe i dorëzuan përgjigjet e tyre me shkrim.
Intervistat janë regjistruar në mënyrë dixhitale, janë transkriptuar, dhe janë rishikuar nga bashkautorët. Janë marrë edhe shënime. Raporti i këtij rishikimi iu është dorëzuar për validim përfaqësuesve të OShC-ve në Kosovë që janë aktive në fushën e BmK. Procesi i validimit konfirmoi analizën dhe konstatimet e raportit.
3. Gjetjet
“… procesi është tejet i rëndësishëm për marrëdhëniet e ardhshme ndëretnike. Bashkëjetesa dhe pajtimi janë të pamundshme pa drejtësi tranzicionale”. (i anketuar me etni serbe)
3.1. A I ka arritur GPN objektivitat?
Sipas mandatit të GPN, detyra kryesore e tij ishte:
“të vendosë një qasje gjithëpërfshirëse dhe me ndjeshmëri gjinore për ballafaqimin me të kaluarën në Kosovë, duke përfshirë edhe luftën e fundit dhe periudhën e tranzicionit, duke marrë parasysh pikëpamjet e viktimave të të gjitha komuniteteve në Kosovë, për ta arritur një Strategji Kombëtare të Drejtësisë Tranzicionale”.
Shqyrtimi nga shoqëria civile qartazi tregon se GPN nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Pesë vjet që nga themelimi i grupit të punës, nuk është miratuar asnjë Strategji Kombëtare; në të vërtetë, sipas informatave në dispozicion, asnjë draft nuk është qarkulluar mes anëtarëve për diskutim. Një plan i detajuar për konsultime nacionale në BmK është zhvilluar nga një grup i vogël anëtarësh të GPN në nëntor të vitit 20162. Ky plan besohet të jetë me kryesuesin e GPN-së, por asnjë informacion nuk është dhënë se ç’hapa të mëtejmë parashikohen për kryerjen e konsultimeve.
Mandati i GPN-së bazohet në një vendim zyrtar të qeverisë, i marrë në përputhje me Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Ky ishte sinjal i qartë se BmK është çështje e rëndësishme për shtetin. Prandaj përgjegjësia për suksesin ose dështimin e procesit të GPN-së në fund të fundit i faturohet QK.
3.2.Me çfarë sfidash u përball GPN?
Intervistat shpalosën arsye të ndryshme për dështimin e GPN-së që të zhvillojë një Strategji Kombëtare. Këto përfshijnë probleme procedurale si dhe substanciale.
Problemet procedurale
– Planifikimi dhe dizajni: Disa të anketuar ngritën shqetësimin se mandati i GPN-së ishte tejet i gjerë dhe tepër ambicioz. GPN është dizajnuar kryesisht nga përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar dhe të QK, dhe nuk janë mbajtur konsultime me OShC-të para se ai të krijohej. Shoqatat e viktimave dhe të personave të zhdukur ishin kryesisht të painformuara lidhur me GPN-në dhe punën e tij.
– Udhëheqësia dhe menaxhimi: Disa të anketuar nënvizuan se GPN-së i mungonte udhëheqësia e fortë dhe e qëndrueshme, se stili i kryesimit të takimeve ishte autoritar dhe se vendimet jo gjithmonë pasqyronin rezultatet e diskutimeve. Udhëheqësia dhe menaxhimi më efektiv, duke përfshirë edhe sekretariatin e GPN-së, mund të kenë ndihmuar për t’i kapërcyer disa nga problemet e identifikuara në këtë shqyrtim.
– Shumë të anketuar (kryesisht nga OShC-të) shprehën shqetësimin se mungesa e kapaciteteve të anëtarëve të GPN-së dhe shpërpjestimi në këtë drejtim mes përfaqësuesve të OShC-ve dhe atyre të ministrive kanë kontribuar në vendimmarrje të dobët. Edhe pse shumë anëtarë të OShC-ve kanë përvojë dhe ekspertizë në fushën e BmK, u mungon përvoja për mënyrën se si punojnë institucionet dhe për procesin e hartimit të strategjive. Megjithatë, krijimi i nëngrupeve i bëri anëtarët më aktivë e produktivë, dhe u prodhuan disa draft-dokumente. Përfaqësuesit nga ministritë nuk kishin pozita të larta dhe nuk kishin fuqi vendimarrëse, dhe nuk mund të flisnin në emër të institucioneve të veta; kishte mungesë komunikimi mes këtyre përfaqësuesve dhe eprorëve të tyre. Mungesa e unitetit dhe bashkëpunimit mes anëtarëve në seanca plenare pengonte punën e GPN-së. Tensionet e brendshme dhe mosmarrëveshjet (përfshirë ato mes kryesuesit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile) ishin jo të rralla.
– Mungesa e burimeve të ndara financiare e njerëzore: QK mbështetej tërësisht në donatorët ndërkombëtarë për të mbuluar shpenzimet lidhur me procesin, pa ndarë ndonjë burim të brendshëm financiar a njerëzor. Financimi nga donatorët mbulonte shpenzimet bazë, por jo zbatimin e aktiviteteve.
– Parregullsia e takimeve: Takimet e GPN-së ishin të rralla, ndërsa në bazë të rregullave të GPN duhej të kishte takime mujore3.
– Ngadalësia e procesit: GPN ende pritet të miratojë një plan veprimi, pavarësisht detyrimit për ta bërë këtë brenda 10 muajve nga data e themelimit.
– Mungesa e qasjes objektive dhe e komunikimit është identifikuar nga disa të anketuar si një faktor që ndaloi GPN-në nga përfshirja kuptimplotë e publikut të gjerë.
– Mungesa e mbikëqyrjes parlamentare: Për shembull, Komisioni i Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Persona të Pagjetur dhe Peticione nuk u ftua për t’u përfshirë në punën e GPN-së.
“Në asnjë fazë nuk kishte ndonjë përfshirje nga parlamenti në punën e grupit të punës, pavarësisht faktit se Komisioni i atëhershëm parlamentar për të Drejtat e Njeriut merrej me çështje të drejtësisë tranzicionale, si personat e zhdukur”. (i anketuar me etni shqiptare)
Asistenca teknike e ofruar nga bashkësia ndërkombëtare mund të ishte më efektive në mbështetjen dhe monitorimin e procesit nëse ajo do ta lunate një rol më proaktiv në këshillimin e grupit për çështje procedurale. Megjithatë, kjo ndihmë ka mbështetur punën në nëngrupet, dhe një pasqyrë më pozitive u prezantua nga të anketuarit lidhur me punën në të paktën disa nga to, si nëngrupi për dëmshpërblime.
Problemet thelbësore
Procesi i këtij shqyrtimi ka identifikuar një sërë çështjesh thelbësore që pengonin hartimin e një Strategjie Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale. Këto mund të grupohen në tri kategori: (1) dinamika brenda GPN-së, (2) marrëdhënia midis GPN-së dhe proceseve të tjera të BmK, dhe të lidhura me këtë, (3) vështirësitë më të gjera rreth BmK në Kosovë.
1. Dinamika brenda GPN
Procesi i GPN-së, në pjesën më të madhe nuk ka pasur sukses të krijojë një mjedis të favorshëm për diskutimin e çështjeve thelbësore lidhur me BmK dhe pajtimin në Kosovë. Grupi ka
3 Edhe pse qeveria ka themeluar GPN në qershor 2012, grupi u takua për herë të parë në mesin e vitit 2013, dhe Takimi 2 për Shkëmbimin e Informatave me përfaqësues të OShC-ve u zhvillua në shkurt të vitit 2014.
“Në asnjë fazë nuk kishte ndonjë përfshirje nga parlamenti në punën e grupit të punës, pavarësisht faktit se Komisioni i atëhershëm parlamentar për të Drejtat e Njeriut merrej me çështje të drejtësisë tranzicionale, si personat e zhdukur”. (i anketuar me etni shqiptare)
“Për ta arritur dialogun, duhet t’i kemi të dyja palët në bord. Nuk ia kemi dalë t’i kemi të dyja palët as brenda grupit”. (i anketuar me etni shqiptare)
kontribuar më shumë për ndarje sesa për ndryshim social dhe transformim. Kjo ka ndodhur për disa arsye:
– Gama e Strategjisë Kombëtare: Sa i përket gamës së veprimit të Strategjisë Kombëtare të ardhshme për Drejtësinë Tranzicionale, ka pasur mosmarrëveshje të konsiderueshme brenda GPN-së nëse ajo duhet të mbulojë vetëm shkeljet e kryera deri në vitin 1999, apo ta përfshijë periudhën pas luftës deri në vitin 2001.
– Përfaqësimi i komunitetit pakicë: Përfaqësuesit e komuniteteve pakicë e shihnin veten si të përjashtuar nga përbërja dhe puna e GPN-së. Disa mendonin se nuk u jepej mundësia të shprehin mendimin e tyre në takime ose të marrin pjesë në mënyrë domethënëse në vendimmarrje. Udhëheqësia e GPN-së dështoi të ndërtonte besimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile të komuniteteve pakicë, dhe njëkohësisht asnjë përfaqësues politik i komuniteteve pakicë nuk ka qenë pjesë e procesit. Shumë të intervistuar iu referuan qëndrimit jodashamirës ndaj përfaqësuesve të komuniteteve pakicë, i cili thoshin se nxitej nga Kryesuesi dhe Zëvendëskryesuesit e GPN-së. Një përfaqësues serb i OShC nuk merrte pjesë në takime. Për aq sa çështjet e BmK diskutoheshin brenda GPN-së, anëtarët prireshin të përvetësonin qasje të njëanshme dhe të argumentonin vetëm për perspektivën e komuniteteve të veta.
– Marrëdhëniet mes QK dhe shoqërisë civile në BmK: GPN ka dështuar që t’i forcojë marrëdhëniet mes QK dhe shoqërisë civile në çështjet e BmK. Pavarësisht prej shpresave fillestare që angazhimi i përbashkët do ta lëvizte agjendën e drejtësisë tranzicionale përpara, tani ka më shumë mosbesim mes dy taborreve, e si pasojë do përparimi i drejtësisë tranzicionale për vitet në vijim do të ngadalësohet. Përgjegjësia për këtë situatë qëndron te të dyja palët. Përfaqësuesit e QK nuk i kushtonin vëmendje të mjaftueshme çështjes së pronësisë politike, e as adresimit të mungesës së ekspertizës përkatëse nga ana e tyre, si dhe nuk angazhoheshin për t’u siguruar se grupi po menaxhohet në mënyrë efektive. Nga ana e vet, shoqëria civile, duke këmbëngulur se vetëm ajo kishte ekspertizë të “vërtetë” mbi drejtësinë tranzicionale dhe duke mohuar se qeveria kishte ndonjë kompetencë në këtë fushë, nuk e ndihmoi procesin e ndërtimit të besimit reciprok.
– Ndarjet e shoqërisë civile: Përparimi në çështjet e drejtësisë tranzicionale në njëfarë mase u pengua nga dallimet brenda shoqërisë civile dhe nga fakti se OShC-të nuk mund të flisnin me një zë. Arsyet për këto ndarje ishin të paqarta, por kërkojnë analizë të mëtejshme, veçanërisht në lidhje me pavarësinë politike të anëtarëve të GPN-së.
– Bashkësia ndërkombëtare kishte një rol kyç në përkrahjen e procesit të GPN-së. Ndonëse ofroi njërarë ndërtimi kapacitetesh përmes trajnimeve dhe këshillave të ekspertëve, kjo përkrahje nuk kishte ndonjë vizion të vërtetë strategjik dhe mezi depërtonte nëpër kontekstin shumë të ndjeshëm politik. UNDP, që veproi si sekretariat për GPN-ne me mbështetje financiare nga Qeveria e Zvicrës, dështoi të ndërtonte një partneritet efektiv dhe proaktiv brenda grupit. Një partneritet i tillë, në faza të ndryshme mund t’i kishte ndihmuar GPN-së për t’i kapërcyer pengesat të një kontekst të ndjeshëm e tejet politik, në të cilin po trajtoheshin çështje të vështira e përçarëse. Një qasje që ishte politikisht e ndjeshme, më parë se sa thjesht teknike e neutrale, do të kish qenë më efektive në kundërvënien e forcave ndarëse.
– Mungesa e transparencës për financimin, e lidhur me aktivitetet e donatorëve ndërkombëtarë dhe me QK, më tej përkeqësoi mjedisin e punës së GPN-së dhe çoi në tensione e konkurrencë, veçmas mes OShC-ve.
2. Marrëdhënia mes GPN dhe proceseve të tjera të BmK
GPN, në fakt, ishte spektator pasiv në lidhje me zhvillimet e BmK në Kosovë, në vend se forcë aktive lëvizëse. Shumica e të intervistuarve theksuan se GPN ishte shkëputur dhe izoluar nga proceset e tjera të drejtësisë tranzicionale që po ndodhnin në Kosovë dhe rajon. Ajo nuk u përfshi në asnjërën nga çështjet kryesore të BmK që dolën në pah në Kosovë në vitet e mëparshme, duke përfshirë edhe shqetësimet mbi gjykimet e vazhdueshme të krimeve të luftës; krijimin e Dhomave Specialiste dhe të Zyrës Specialiste të Prokurorisë për Kosovën nga Kuvendi, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian (BE); iniciativën rajonale mbi të vërtetën dhe pajtimin të RECOM-it; zhvillimet në fushën e reparacioneve, duke përfshirë ato të dhunës seksuale; mungesën e progresit për çështjen e të zhdukurve; dhe kërkim faljen e Presidentit drejtuar komunitetit serb në Kosovë për abuzime gjatë kohës së luftës. Veçanërisht, GPN nuk u konsultua paraprakisht në lidhje me iniciativën e Presidentit të Kosovës për krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, i shpallur publikisht në shkurt 2017.
“Presidenti i Kosovës do të krijojë një tjetër organ për të vërtetën dhe pajtimin. Ne nuk ishim të përfshirë në këtë. Nëse do të kemi GPN dhe një tjetër komision të të vërtetës, kjo pastaj do të na shkaktojë rrëmujë”. (i anketuar me etni shqiptare)
Po ashtu, proceset që kanë ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi drejtësinë tranzicionale dhe zbatimin e saj në Kosovë, si dialogu i lehtësuar nga BE-ja mes Prishtinës e Beogradit dhe diskutimet me BE-në mbi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA)4, nuk u konsideruan nga fushëveprimi i GPN-së. Me fjalë të tjera, grupi operonte në vakum, pa u ndërlidhur me proceset e tjera që janë megjithatë të rëndësishme për përmbushjen e mandatit të vet themelor për t’u marrë me çështjet e drejtësisë tranzicionale dhe pajtimin.
Kjo shkëputje dhe izolim i GPN-së hedh dyshime nëse Qeveria e Kosovës ka pasur ndonjë zotim të vërtetë politik dhe pronësi ndaj procesit të GPN-së. Ajo gjithashtu ngre disa pyetje serioze lidhur me kuptimin e vërtetë dhe qëllimin e një Strategjie Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale. Idealisht, GPN duhet të ishte motori politik dhe teknik i një kornize gjithëpërfshirëse për drejtësinë tranzicionale në Kosovë, përmes hartimit të Strategjisë Kombëtare të dalë nga rezultati i konsultimeve kombëtare. Në vend të kësaj, GPN kishte një qasje pjesë-pjesë ndaj drejtësisë tranzicionale duke qenë më shumë i përgjegjshëm ndaj përshtatshmërisë politike dhe obligimeve të PGjS-së sesa ndaj qëllimit kuptimplotë të transformimit shoqëror. Nëse GPN-ja nuk është në gjendje të formësoj ose të kontribuojë në agjendën më të gjerë të BmK në Kosovë, vlera e saj aktuale është e diskutueshme.
3. Vështirësitë më të gjera lidhur me BmK në Kosovë
Konteksti kompleks dhe i ndryshueshëm i BmK në Kosovë ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi efektivitetin e GPN-së. Nuk është qëllimi i këtij shqyrtimit të punës së GPN që të ofrojë një vlerësim të gjendjes së drejtësisë tranzicionale në Kosovë. Megjithatë, mungesa e progresit të bërë nga grupi është tregues i problemeve që e pengojnë dhe e rrënojnë progresin në fushën e BmK më gjerësisht. Intervistat nxorën në pah disa nga këto probleme.
Drejtësia tranzicionale në Kosovë shpaloset në dy nivele. Në nivelin politik, ajo përfshin ndërveprimin ndërmjet QK dhe komunitetit ndërkombëtar. Në nivelin shoqëror dhe kulturor, përfshin shoqërinë civile dhe politikanët.
-Në nivelin politik, drejtësia tranzicionale mund të shihet si mjet që përdoret në përpjekjet për të arritur paqen ndërmjet dy komuniteteve. Shkopi i ndjekjeve penale, i perceptuar si mjeti më detyrues në kutinë e drejtësisë tranzicionale, është aplikuar nga institucionet e bashkësisë ndërkombëtare (duke përfshirë Misionin e OKB-së në Kosovë, Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, dhe sot Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX) si një mjet për ta bindur Qeverinë e Kosovës që të marrë vendime politike “të drejta”. Mekanizmat e tjerë kalimtarë të drejtësisë që shpesh më drejtpërdrejt plotësojnë nevojat e viktimave dhe të shoqërisë në përgjithësi, si reparacionet dhe komisionet e të vërtetës, nuk janë promovuar aq fuqishëm nga komuniteti ndërkombëtar. Mandati i GPN-së është i dukshëm në këtë drejtim, në atë që adreson nevojat më të gjera të shoqërisë si pasojë e abuzimeve të rënda. Megjithatë, komuniteti ndërkombëtar deri më tani nuk ka ofruar mbështetje për një agjendë më të plotë për BmK, siç nënvizohet në mandatin e GPN-së. Me fjalë të tjera, drejtësia tranzicionale, e parë si përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj abuzimeve të luftës së fundit, nuk është parë si prioritet për komunitetin ndërkombëtar në Kosovë.
– Niveli shoqëror dhe kulturor vazhdon të dominohet, siç e shprehu një analist “nga politika e identitetit dhe ndarja e trazicionit postkonfliktual në Kosovë nga elitat nacionaliste”, çka ka rrënuar “perspektivat shoqërore për ta thënë dhe kërkuar të vërtetën lidhur me të kaluarën5”. Në këtë nivel, e kaluara e kohës së luftës shfrytëzohet nga politikanët për ta konsoliduar pushtetin e tyre. Politikanët e mbajnë të kaluarën gjallë dhe e përdorin si lëndë djegëse për nacionalizmin që i mban ata në pushtet. Përderisa qytetarët mund t’i artikulojnë të drejtat dhe interesat e tyre në kundërshtim me korrupsionin dhe krimin e organizuar, kur bëhet fjalë për diskutimet mbi çështjet e BmK, vuajtja kolektive dhe solidariteti grupor gëzojnë përparësi mbi të drejtat dhe interesat individuale.
GPN nuk ia ka dalë ta adresojë ndonjë nga këto probleme më të gjera që pengojnë progresin e BmK në Kosovë.
3.3. PërfundimePërfundimePërfundimePërfundime
GPN, të paktën siç qëndron sot, nuk mund të konsiderohet si instrument efektiv për nxjerrjen e një Strategjie Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale me potencial për të kontribuar në transformimin shoqëror. Ka rrezik të lartë se GPN do të dështojë në përmbushjen e mandatit të tij. Plani i Presidentit për të krijuar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin, i shfaqur befasisht dhe pa konsultime paraprake, ngre spektrin e konfuzionit ndërinstitucional dhe të konkurrencës, si dhe mjaft pyetje lidhur me besueshmërinë e GPN-së për hartimin e një Strategjie gjithëpërfshirëse Kombëtare.
Pa angazhim të ringjallur nga QK, procesi i GPN-së ka gjasa të shpartallohet, duke mos hartuar Strategji Kombëtare fare, ose të nxitojë që të nxjerrë një Strategji Kombëtare të cilës i mungon legjitimiteti dhe besueshmëria e nevojshme për t’u marrë në mënyrë efektive me të kaluarën dhe për të parandaluar shkeljet në të ardhmen. Ndër OShC-të e BmK në Kosovë ka shqetësime të rënda se çdo Strategji Kombëtare eventuale do të jetë një punë “kopjo e posto”, duke u bazuar në strategjitë kombëtare të drejtësisë tranzicionale nga vende të tjera të rajonit dhe duke reflektuar mungesën e vullnetit politik dhe mungesën e dialogut të vërtetë brenda Kosovës mbi çështjet e BmK.
Të anketuarit e kishin të qartë se kërkohet udhëheqësi e re që posedon guximin për ta thyer bllokimin dhe për të krijuar një vizion për të ardhmen e Kosovës që siguron mospërsëritjen e krimeve të kaluara. Të intervistuarit theksuan rëndësinë e arsimit dhe shprehën një interes të fortë për ta parë punën e BmK të përqendrohet në këtë fushë. Ky shqyrtim po ashtu theksoi nevojën për ta forcuar shoqërinë civile, në mënyrë që ajo të mund të luajë rol të monitorimit dhe të llogaridhënies në nivel institucional, si dhe në negociatat e vazhdueshme politike dhe proceset e ndërlidhura.
Së fundi, bashkësia ndërkombëtare ka një përgjegjësi të veçantë për të ndihmuar GPN-në, pasi ka hartuar kornizën ekzistuese të Kosovës për BmK përmes PGjS-së. Aleatët kryesorë të Kosovës, si Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe disa shtete kryesore anëtare të BE-së që e njohin pavarësinë e Kosovës, duhet ta përdorin ndikimin e tyre te QK për ta mbështetur një kornizë gjithëpërfshirëse të BmK. Nuk duhet të ketë vonesa në plotësimin e nevojave të drejtësisë për viktimat dhe të shoqërisë në përgjithësi. Po që se mbeten të paadresuara dhe në duar të politikës, këto nevoja do të ngjallin konflikt të mëtejmë.
4. Rekomandime
Shqyrtimi i punës së GPN-së arrin në përfundimin se nëse procesi i GPN-së vazhdon në formën e tanishme, ai rrezikon të dështojë në ofrimin e detyrës së mandatuar. Shumë vëzhgues, përfshirë edhe anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare, besojnë se procesi i GPN-së tani po përballet me shansin e vet të fundit. Për ta shmangur dështimin total, duhet të trajtohen urgjentisht sfidat procedurale dhe thelbësore të lartpërmendura. Kërkohet zotim i qartë politik për të krijuar një proces të mirëfilltë që çon në rezultate pozitive, dhe nëse kjo pason, përsëri mund të ketë përfshirje nga të gjitha palët e interesuara.
4.1 Rekomandime për Qeverinë e Kosovës
-Për ta shpëtuar procesin e GPN-së, Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të komunikojë përkrahjen për procesin në nivelin më të lartë politik, dhe të ritheksojë angazhimin për një qasje gjithëpërfshirëse, tërësore dhe me ndjeshmëri gjinore për BmK në Kosovë.
– Kjo duhet të ndiqet nga masa konkrete për ta ndërtuar besimin me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të komuniteteve pakicë. Këto masa duhet të përfshijnë rregullimet strukturore për t’i trajtuar problemet procedurale dhe thelbësore të identifikuara në këtë studim, për shembull, duke e bërë të mundshme që të zëvendësohet Kryesuesi dhe zëvendëskryesuesit, si dhe duke emëruar më shumë zyrtarë të lartë publikë me aftësinë për të folur në emër të institucioneve përkatëse.
– Paraqitja e raporteve vjetore para Komisionit të Kuvendit të Kosovës për të Drejtat e Njeriut, Persona të Pagjetur dhe Peticione do ta promovonte mbikëqyrjen e aktiviteteve të GPN-së.
– Puna e GPN-së duhet të jetë më mirë e ndërlidhur me proceset e tjera që ndërlidhen me drejtësinë tranzicionale në Kosovë. Këto përfshijnë proceset që kanë të bëjnë me paditjen, reparacionet, kërkimin e të vërtetës dhe reformën institucionale, por edhe ndërtimin e paqes dhe proceset e pajtimit, si dhe dialogun rreth anëtarësimit në BE. Ndërlidhjet me procese të tilla duhet të jenë një element i rëndësishëm në agjendën e GPN-së, dhe ekspertët e përfshirë në këto procese, si vendorë edhe ata ndërkombëtarë, duhet të ftohen që të marrin pjesë në mënyrë aktive në grupin e punës.
– Duhen bërë përpjekje të reja për të depërtuar te komuniteti ndërkombëtar për përkrahje, si teknike poashtu edhe politike. BE-ja duhet të jetë një partner kyç: zhvillimi i një Strategjie Kombëtare për drejtësinë tranzicionale është prioritet i qartë në Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe BE-ja kohët e fundit ka miratuar kornizën e vet të politikës mbi drejtësinë tranzicionale. Kryesuesi i GPN-së dhe dy zëvendëskryesues e anëtarë nga shoqëria civile duhet rregullisht të njoftojnë ambasadorët e Shteteve Anëtare të BE-së në Prishtinë për punën e grupit.
– Strategjia e GPN-së për komunikim dhe avokim duhet të ridizajnohet për ta bërë më përfshirëse punën e GPN-së, në pajtim me mandatin e GPN-së dhe rregullat e veta të procedurës. Avokimi duhet të marrë në konsideratë ndjeshmëritë politike rreth çështjeve të BmK dhe nuk duhet të jetë i njëanshëm; Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut duhet të ftohet për të dhënë udhëzime dhe përkrahje. Një Task Force avokimi dhe komunikimi mund të krijohet brenda grupit, duke përfshirë pjesëtarët e të gjitha komuniteteve.
– Kërkohet planifikim më gjithëpërfshirës dhe i detajuar para se të zbatohen konsultimet nacionale. Një studim fizibiliteti duhet të ndërmerret nga një ekspert i pavarur mbi qëllimin, modalitetet dhe rreziqet e konsultimeve. Një studim i tillë duhet të mbulojë edhe marrëdhëniet mes konsultimeve kombëtare dhe procesin e krijimit të Komisionit të ardhshëm për të Vërtetën dhe Pajtimin. E gjithë kjo duhet të bëhet urgjentisht dhe në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kosovë, si OShC-të, si udhëheqësit politikë. Duhet të mbahen sa më shpejt diskutime nëse GPN-ja është e aftë për të shërbyer si lidere për konsultime të gjera kombëtare, apo nëse duhet të parashihet një strukturë e re dhe më e pavarur.
– Propozimi për ngritjen e Komisioneve të së Vërtetës dhe Pajtimit duhet të shqyrtohet përmes një debati të gjerë dhe gjithëpërfshirës kombëtar, me qëllim të ndërtimit të koncensusit rreth qëllimit dhe fushëveprimit të një komisioni të tillë. Diskutimet po ashtu duhet të bëhen brenda GPN-së.
4.2 Rekomandime për shoqërinë civile
-Shoqëria civile duhet të jetë më strategjike në qasjen e vet mbi drejtësinë tranzicionale në Kosovë. Ajo duhet të flasë me një zë dhe ta krijojë një vizion për BmK që kuptohet lehtë dhe komunikohet gjerësisht. Strategjia e saj duhet të përfshijë: hartimin e mesazheve konkrete për të shpjeguar pse BmK është i rëndësishëm për Kosovën, duke përfshirë edhe perspektivën gjinore; përcaktimin e standardeve afatshkurtra dhe afatgjata për ta matur progresin; nxjerrjen e një vlerësimi të detajuar teknik dhe pasqyrimin e asaj që është bërë deri më tani në drejtësinë tranzicionale, si dhe ku vazhdojnë boshllëqet. Anëtarë të shoqatave të viktimave dhe përfaqësues të OShC-ve të komuniteteve pakicë duhet të integrohen dhe të marrin pjesë aktive në hartimin e një qasjeje të tillë strategjike.
– Shoqëria civile duhet të investojë në forcimin e ekspertizës së vet rreth ndërveprimit me proceset politike dhe negociatat përgjithësisht, si dhe me mënyrën se si funksionon qeveria. Kjo mund të bëhet nëpërmjet shkëmbimeve mes kolegësh me OShC-të nga vende të tjera që kanë përvojë në këtë drejtim. Perspektiva gjinore duhet të integrohet në këto shkëmbime. Këshilla dhe trajnime mbi lobimin dhe monitorimin për angazhimin politik me institucionet po ashtu mund të kërkohen nga bashkësia ndërkombëtare.
– Shoqëria civile duhet të kryejë kërkime se si mund të zhvillohet një strategji efektive avokimi dhe komunikimi për GPN-në. Pjesëtarët e komuniteteve pakicë dhe shoqatat e viktimave duhet të përfshihen në këtë punë.
4.3 Rekomandime për bashkësinë ndërkombëtare
-Bashkësia ndërkombëtare duhet të forcojë dukshëm përkrahjen e vet politike në procesin e GPN-së dhe përfundimin e Strategjisë Kombëtare, dhe në BmK më gjerësisht. Kjo duhet të bëhet duke i dhënë prioritet BmK në kontakte dypalëshe, mundësisht në nivel ambasadorësh, me QK. ShBA, BE dhe Shtetet Anëtare të saj duhet të përdorin qasjen e tyre të privilegjuar në QK në këtë drejtim.
– Çelësi për kanalizimin e përkrahjes politike për BmK do të jenë përpjekjet për të përmirësuar koordinimin mbi drejtësinë tranzicionale mes aktorëve ndërkombëtarë. Një modalitet për koordinim të përmirësuar mund të jetë një “Grup i Miqve të BmK në Kosovë”, duke përfshirë edhe përfaqësues të ambasadave kryesore dhe të organizatave ndërkombëtare, që do të mblidhej rregullisht për të vlerësuar evoluimin e kontekstit, për të shkëmbyer informata, dhe për t’u dakorduar rreth prioriteteve të përbashkëta. Grupi duhet të punojë ngushtë me shoqërinë civile dhe shoqatat e viktimave në Kosovë.
Donatorët ndërkombëtarë duhet të angazhohen në mësimet e nxëna dhe procesin e marrjes së aksioneve, duke reflektuar se ç’është bërë që nga viti 1999 në BmK, duke identifikuar sfidat dhe trendet. Fokus i veçantë duhet t’i kushtohet çështjes së forcimit të shoqërisë civile në proceset e BmK në gjithë Kosovën, brenda e jashtë Prishtinës. Rezultati i këtij procesi duhet të diskutohet në një takim koordinimi të donatorëve.
– Përkrahja për BmK duhet kuptuar më gjerë, përtej drejtësisë retributive. Duhen vënë lidhje mes proceseve të drejtësisë tranzicionale dhe parandalimit të konflikteve e ndërtimit të paqes. Korniza e sapomiratuar e Politikës së BE-së mbi drejtësinë tranzicionale duhet të përdoret si udhëzues për vlerësimin e zbatimit në terren6. Përkrahja për drejtësi tranzicionale nga OKB-ja, BE-ja dhe të tjerët duhet të jetë më specifike për kontekstin, e synuar të krijojë partneritete në kontekste shumë të ndjeshme politike; një qasje e tillë duhet të pasqyrohet në rekrutimin dhe vendosjen e ekspertëve kombetarë e ndërkombëtarë që këshillojnë procesin e BmK në Kosovë.
– BE-ja duhet të integrojë drejtësinë tranzicionale si pjesë e vlerësimit të saj në procesin e stabilizim asoccimit të Kosovës. Integrimi i finalizimit të Strategjisë Kombëtare në Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së ishte një hap i rëndësishëm, i cili mund të lidhet me përkrahje të drejtpërdrejtë teknike dhe financiare për GPN-në. Çdo përkrahje, megjithatë, duhet të kushtëzohet me ofrimin e përkrahjes politike dhe financiare nga QK për punën e GPN-së. BE-ja duhet t’i përdorë edhe mbledhjet e veta të bashkërendimit për ta diskutuar zbatimin e Kornizës së vet të Politikës në Kosovë, dhe të përfshijë BmK si një temë të përsëritshme në raportet vjetore të vendit.
– Puna e kryer nga Raportuesi Special i OKB-së për promovimin e të vërtetës, drejtësisë, reparacioneve dhe garancive të mospërsëritjes në çështjen e konsultimeve kombëtare dhe të pjesëmarrjes së viktimave mund të shërbejë si udhëzim për QK në hartimin dhe zbatimin e konsultimeve kombëtare, si dhe për donatorët ndërkombëtarë.
( Autorë Nora Ahmetaj and Thomas Unger, Prill 2017, PDF Format: civil-society-review-report-final-shqip-2 )