15.04.2009.
KOSOVAPRESS: Kërkohet zbardhja e fakteve për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, 15 Prill 2009
Prishtinë, 15 Prill 2009 (Kosovapress) Koha 13:00
Komisioni Rajonal “Komra”, ka për qëllim krijimin e saktë të shënimeve objektive dhe zyrtare për krimet e luftës dhe shkeljet e tjerat rënda të të drejtave të njeriut të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë pas vitit 1991.
Të mërkurën në Prishtinë u mbajt konsultimi i parë, prej dhjetë konsultave sa do t’i mbajë ky komision gjatë këtij viti në Kosovë, qëllimi i të cilave diskutime është informimi i opinionit të gjerë të grupeve të ndryshme, si dhe është paralajmëruar se në të ardhmen do të ketë edhe konsultime me familjarët e viktimave.
Duke treguar shkaktarin kryesor të të gjitha luftërave në vendet e Ballkanit, drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj tha se ky është një proces shumë i gjatë dhe se jemi vetëm në hapin e parë të procesit. Sipas tij duhet edhe shume punë dhe shumë debate dhe po ashtu ide të reja për t’ju qasur këtij problemi, mirëpo është e domosdoshme që të nxjerrën në pah krimet e luftës që kanë ndodhur në të kaluarën dhe që ato të jenë të pranuara edhe institucionalisht.
“Të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi nuk kanë qenë krejtësisht të ndara. Në të gjitha luftërat prej Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe së fundi Kosovës, pjesëmarrëse aktive në to ka qenë Serbia me institucionet e saj ushtarake, policore, por edhe me aparatin shtetëror, kështu që edhe gjetja e fakteve, do të ishte shume më e lehtë po të kishim një qasje rajonale”, bëri të ditur Blakaj.
Blakaj pohoi se komisionet nacionale, do të mund të gjenin vetëm njërën anë të medaljes, andaj ai e sheh të domosdoshëm bashkëpunimin rajonal, pavarësisht asaj se ekzistojnë fakte të mjaftueshme nga ana e familjarëve.
Debati i sotëm u zhvillua vetëm me pjesën e shoqërisë civile dhe me organizatat, sepse ende nuk ekziston ndonjë kontakt i afërt me institucionet.
Megjithatë një numër i madh i organizatave që merren me çështje humanitare, sidomos ato që merren me të drejtat e njeriut, kanë qasje pozitive ndaj kësaj iniciative dhe mbi 100 organizata për të drejtat e njeriut janë futur në koalicionin, i cili po e shtyn procesin përpara drejt formimit të një koalicioni të tillë, gjithashtu ka edhe shoqata të familjarëve të viktimave, të cilët janë pjesë e koalicionit, si dhe individë.
Iniciativa për themelimin e Komisionit Rajonal është marrë gati para dy viteve dhe ende janë duke u zhvilluar debate dhe konsultime të ndryshme, se cili do të ishte misioni i komisionit dhe me çka do të merrej.