16.05.2017.
Nis Mbledhja e Nënshkrimeve për Komisionin e Krimeve të Luftës
Bekim Blakaj, Fushatat, Natasha Kandiq, Procesi Berlinit, YIHRNë Prishtinë ka nisur fushata e mbledhjes së nënshkrimeve për themelimin e komisionit rajonal për faktet e krimeve të luftës.
Në Prishtinë ka filluar fushata për mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të themelimit të KOMRA-s, nismë e cila synon mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve brenda 12 ditëve.
KOMRA është një nismë qytetare, e cila u bën ftesë vendeve dala nga ish-Jugosllavia që së bashku të themelojnë Komisionin Rajonal për Faktet mbi Krimet e Luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë nga data 1 janar e vitit 1991 e deri në datën 31 dhjetor të vitit 2001.
Përveçse në Prishtinë, mbledhja e nënshkrimeve për themelimin e komisionit ka filluar edhe në Beograd, Zagreb e Sarajevë, ndërsa pritet që në ditët në vazhdim kjo fushatë të shtrihet edhe në qytete të tjera të rajonit.
Natasha Kandiq, aktivistja për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare tha se është e vështirë të ndërtohet e ardhmja pa u ditur e kaluara.
“Çdo shtet i njeh viktimat e veta, por problemi është se nuk i njohin viktimat e vendeve të tjera”, nënvizoi Natasha Kandiq në një takim të organizuar me të rinjtë që do të jenë pjesë e iniciativës për mbledhjen e nënshkrimeve në mbështetje të themelimit të KOMRA-s.
Takimi u organizua nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare tha se Bashkimi Europian e ka mbështetur nismën për krijimin e komisionit rajonal.
“Bashkimi Europian ka premtuar se do të hapë debat në Samitin e Triestes në korrik që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë dakord që t’u kushtojnë vëmendje viktimave të luftës”, shpjegoi Kandiq.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë muajit shkurt ka shpalosur idenë për formimin e një komisioni të pavarur për të vërtetën dhe pajtimin në Kosovë, por Bekim Blakaj, drejtor i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë gjatë takimit të organizuar nga YIHR-ja tha se ka shumë arsye pse komisioni rajonal do të jetë më i suksesshmëm.
“Viktimat e Kosovës janë të pranuara në Kosovë, por duhet të pranohen edhe jashtë Kosovës, edhe Serbia duhet me i pranu viktimat e Kosovës. Gjithashtu komisioni rajonal ka mundësi shumë ma të madhe me i zbulu të gjitha anët e medaljes”, tha Blakaj.
Blajkaj tha se nëse komisioni rajonal mund të hulumtojë edhe në Serbi e Bosnjë dhe Hercegovinë shumë krime do të zbardhen.
“Nëse komisioni është i fokusuar vetëm në një vend edhe qasjen në informacione e ka më të vogël”, tha Blakaj.
Blakaj tha se komisionet e veçanta nëpër shtete të ndryshme do të krijojnë shumë të vërteta për luftën në ish-Jugosllavi.
“Prapë mbeten të parcializume, nesër, pasnesër Serbia mundet me kriju një komision të vetin, Kroacia të vetin, Bosnja të vetin dhe prapë përfundimi është që kemi me i pasë pesë histori mbi vitet e 90-ta të cilat nuk kanë me u përputhë shumë”, përfundoi Blakaj.
KOMRA i tubon 2050 organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, shoqata të ish të burgosurve të kampeve të përqendrimit, të refugjatëve, të familjeve të personave të pagjetur, artistëve, shkrimtarëve, juristëve dhe individëve të tjerë, të cilët mendojnë se vetëm qasja rajonale mund të sigurojë një regjistër të gjithmbarshëm historik lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.
Ky koalicion ka dokumentuar 23.000 viktima në lidhje me luftërat në ish-Jugosllavi nga gjithsej 130.000 viktima të luftës, si dhe janë dokumentuar 68 kampe të përqendrimit dhe vende të tjera të mbajtjes.
Koalicioni për KOMRA e ka miratuar Propozim-Statusin në datën 26 mars të vitit 2011. Peticionin për themelimin e KOMRA-s gjatë muajit maj dhe qershor të vitit 2011 e kanë nënshkruar 545 mijë qytetarë nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia.
Institucionalizimi i nismës për KOMRA ka përfunduar në muajin qershor të vitit 2013, deri kur kryetarët e shteteve të rajonit i kanë emëruar të dërguarit e tyre personal në Grupin Zyrtar të Ekspertëve Rajonalë për KOMRA-n.
Koalicioni për KOMRA deri në fund të vitit 2016 ka mbledhur 17 mijë deklarata të dëshmitarëve dhe të anëtarëve të familjeve të viktimave, 12 mijë fotografi të viktimave dhe më shumë se 30 mijë dokumente, që kanë të bëjnë me rrethanat dhe me kontekstin në të cilin viktimat e kanë humbur jetën, janë zhdukur.
( Publikuar në Kallxo.com, 13.05.2017. )