KOMRA rrjeti i pajtimit

MI

19.02.2014.

Çfarë shihte ëndërr Aco Todoroviqi?

MI

autore Vlasta Jalushiç, Instituti për Paqe, Lubjanë

 

Primo Levi, deri në fund të jetës së tij, të cilën e ka përfunduar me vetëvrasje, ka parë ëndërr përvojat e tij në Aushvic. Në makthet e natës mbi kampin, vend pa jashtësi, që shfaqet prej nate në natë, jeta e tij e përparme, familja e tij, gjithçka që ka ekzistuar jashtë taborit, kanë përbërë vetëm një pushim të shkurtër, një mashtrim të shqisave, vetëm ëndërr, nga e cila secilën herë është zgjuar me urdhrin “ngrihu” në realitetin e gjithëpranishëm dhe të vetmin të kampit të përqendrimit. Primo Levi, përkundër këtij pozicioni të tmerrshëm të viktimës, të cilën në kampin e përqendrimit nazist e kanë dehumanizuar plotësisht, i është kundërvënë vetëvrasjes, të cilën, le ta themi, Jean Améry e ka parë si të vetmin shpëtim nga situata e tillë. Nga hiqi është kapur pas ekzistencës dhe dinjitetit me anë të ndihmës së të dëshmuarit shumëvjeçar mbi institucionin e kampeve të shkatërrimit; është përpjekur për ta kuptuar dhe që neve, të cilët fatlumnisht nuk e kemi përjetuar këtë, të na e tregojë, si nëpër teh të thikës, hapësirën e ngushtë, në të cilën individi mund ta ruajë krenarinë në rrethana të tilla. Megjithëkëtë, në veprën “Të fundosur e të shpëtuar” ka shkruar se pikërisht ata më të mirët janë fundosur në kampin e përqendrimit dhe që, pra, nuk kanë mbetur të gjallë.

Pas pothuaj një muaji, opinioni publik slloven ka kuptuar se është zhdukur Aleksandar Aca Todoroviqi, e menjëherë pas kësaj, ka kuptuar qartazi se ka vdekur me vendimin e tij, ose, siç i thonë kësaj në gjermanisht, se e ka zgjedhur „Freitod“ (vdekjen e lirë). Ne, që e kemi njohur, kemi shpresuar se do të gjendet i gjallë, kurse në të njëjtën kohë jemi frikuar se e ka sjellë vendimin e tij të fundit.

Aca ka qenë një nga 25.671 banorët e fshirë të Sllovenisë, njerëz këta që në mënyrë arbitrare janë fshirë nga regjistri i banorëve me vendbanim të përhershëm. Nëse thuhet se ka qenë “një nga” është më shumë se pak, edhe pse kjo është bërë përcaktuesi kryesor gjatë njëzet e dy viteve të tij të fundit. Më përpara ka qenë “vetëm” një nga njerëzit e fshirë, të cilëve një grup i kryerësve-pushtetmbajtësve, në mënyrë të padënueshme, ua ka marrë atë që është themelore, e cila është e domosdoshme për qeniet njerëzore që ato të mund të jetojnë: statusin e personit, i cili e posedon të drejtën që të ketë të drejta. Personat e fshirë i kanë humbur themelet e ekzistencës së tyre, pronën, punën dhe të hyrat nga puna, banesat, sigurimin social dhe shëndetësor, mundësinë e shkollimit, në të njëjtën kohë duke humbur edhe familjet, miqtë, shëndetin fizik dhe mendor dhe, ajo që është më e keqja, në mënyrë paralele iu është marrë edhe dinjiteti. Ata, që janë më meritorët për „fshirjen“, me këmbëngulje e kanë refuzuar përgjegjësinë e tyre vetjake: për gjithë atë çfarë ka ndodhur, i kanë fajësuar vetëm personat e fshirë, i kanë paraqitur si kriminel, si bredharak, përtacë, gënjeshtar dhe mashtrues… Me gjithë masat e kompensimit dhe pranimin e tërthortë të fshirjes, nuk kanë ndihmuar as aktgjykimet e gjykatës kushtetuese e as të asaj evropiane për të drejtat e njeriut, si dhe as faktet e vrazhda mbi krimin e fshirjes, të cilat, ne, hulumtuesit dhe veprimtarët, i kemi gërmuar nën shtresat e gënjeshtrave sistematike të përhapura nga ana e përgjegjësve. Përgjegjësit nuk iu kanë kërkuar falje personave të fshirë, askush nuk e ka pranuar krimin, kurse mohimi i gjithmbarshëm i ngjarjeve dhe zhvendosja e përgjegjësisë vetëm sa ka vazhduar.

Aca ka qenë një nga ata njerëzit e guximshëm e, në të njëjtën kohë, nga më të mirët. Kur e them këtë nuk i kam parasysh vetëm ata njerëzit e guximshëm në mesin e personave të fshirë, por në përgjithësi në Slloveni. Ka dalë nga anonimiteti dhe, përkundër faktit se ka qenë pa dokumente, është veçuar në publik, kishte filluar të fliste për procesin e fshirjes, t’i organizojë personat e tjerë të fshirë, të luftojë. Për herë të parë kam biseduar me te me telefon me rastin e themelimit të Shoqërisë së personave të fshirë, në kohën kur shumica nuk dëshironte as të besonte e as të dëgjonte mbi atë se fshirja ka ndodhur. Në fillim ka qenë i pasigurt, por kokëfortë, i vendosur dhe i palëkundur. Rreth vetes kishte mbledhur një grusht njerëzish, të cilët kanë qenë të gatshëm që të paraqiten publikisht dhe, kështu, të jo-ekzistuesen e ka futur drejtpërdrejtë në realitet. Njeriu, i cili me forcat e tij vetjake ka gërmuar nga humnera e të mosqenies, ia ka kthyer dinjitetin vetvetes dhe të tjerëve, është bërë personalitet dhe qenie e përgjegjshme politike.

Gjatë dy muajve të fundit jemi parë dy herë. Jemi takuar në shfaqjen mbi personat e fshirë në Kranj,[1] ku pata shkuar me fqinjën time, e cila edhe vet ajo ishte e fshirë. Më dukej i qëndrueshëm dhe disi i kënaqur: një pjesë e njerëzve e kishte kuptuar se çfarë në të vërtetë po ndodh, kurse debati mbi kompensimet po vazhdonte, ndodhnin gjëra, të cilat as që do të mund t’i imagjinonim sikur të mos ishte aktivizmi i tij. Herën e fundit e kam parë kur me Mirjana Uçakarin[2] ka ardhur për të parë filmin dhe në diskutimet mbi Hana Arentin në Ptuj. Me atë rast kemi biseduar për mentalitetin ajhmanian dhe burokratët slloven, të cilët e kanë zbatuar fshirjen. Aca ka pas një arsimim humanist. E ka kuptuar mirë ndërlidhjen e gjerë të fshirjes dhe të krimit kundër njerëzimit. Ka qenë i ndërgjegjshëm për rëndësinë e të dëshmuarit lidhur me fshirjen, domosdoshmërinë që ajo ta njihet si krim si dhe lidhur me faktet se mohimi i fshirjes dhe mosndëshkimi i kryerësve ia kanë hapur dyert edhe mosndëshkimit të krimeve dhe veprave të tjera tranzicionale penale.

Nuk do të lëshohem në kurrfarë spekulimesh lidhur me arsyet e drejtpërdrejta për vdekjen e tij, sepse është e pamundur të depërtohet në shpirtin njerëzor. Megjithëkëtë, nuk mund të mos e përfill faktin se për shkak të fshirjes, për shkak të dëshmisë mbi këtë padrejtësi, për shkak të betejës që fshirja të njihet dhe që viktimat të kompensohen, ai personalisht ka paguar një çmim të lartë. Kurrë nuk do ta kuptojmë se çfarë ka ëndërruar Aca Todoroviqi, çfarë ëndrrash mbi korrigjimin e padrejtësisë si dhe makthet e natës për shkak të fshirjes. Me siguri mund të pohojmë se është fjala edhe për një viktimë tjetër të vdekjes të fshirjes. Me gjithë këtë, kjo nuk është një vdekje anonime. Kjo është një deklarim këlthitës për publikun, që e porositë Slloveninë lidhur me atë se futja e kokës nën rërë para krimeve dhe shkeljes së të drejtave të pakicave (ose madje edhe përkrahja e tyre) vetëm sa i hap dyert e vuajtjes jo vetëm për ato pakica, por edhe shkeljen e të drejtave për shumicën. Fatkeqësisht, kjo nuk është objekt i njohjes apo i të kuptuarit të përgjithshëm. Me rastin e njoftimit mbi zhdukjen e Todoroviqit, disa lexues anonim nuk kanë mundur të përmbahen nga komentet e tyre raciste dhe shoviniste. Turp të kenë!

Përulem para guximit, të cilin e ka treguar Aca Todoroviqi. Lavdi i qoftë!



[1]Shfaqja 25.671, në regji të Oliver Frljiqit, Teatri i Preshernit, Kranj.

[2]Edhe një nga veprimtaret e dalluara në mesin e personave të fshirë.

 

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.