KOMRA rrjeti i pajtimit

zvornik_001

09.06.2015.

Boshnjakët e mbijetuar shënojnë përvjetorin e masakrave të Zvornikut

Njëzet e tre vjet pas vrasjeve të qindra burrave nga forcat serbe të Bosnjs dhe paraushtarakët rreth qytetit të Zvornikut, shumë pak njerëz janë dënuar për krime lufte.

 

birn

 

Shoqatat e viktimave shënuan ditën e hënë 23 vjetorin e vrasjes së 438 burrave në Zvornik, në verilindje të Bosnjes dhe Hercegovinës, duke bërë thirrje që më shumë autorë krimesh të nxirren para drejtësisë.

Më 8 qershor 1992, më shumë se 190 burra u vranë në thertoren në Gero,  88 të tjerë në një shkollë në Drinjaca dhe 160 në një shkollë në Karakaj.

“Zvorniku ishte një nga fushat e parë në Bosnjë ku patëm krime masive gjatë luftës së viteve 1992-1995. Si familjet e atyre që u vranë, donim që këto krime të ndiqeshin penalisht,” tha për BIRN Ahmet Grahic, president i Shoqatës së Familjeve të të Burgosurve dhe Personave të Zhdukur në Zvornik.

“Patëm disa gjyqe në Beograd dhe kemi pasur dy ose tre gjyqe për Zvornikun, por ishin për krime në kampet e paraburgimit, s’kemi pasur asnjë gjyq për krime të tjera apo vrasje masive,” tha ai.

Gjykata në Beograd ka dënuar shtatë persona në tri çështje me një total prej 68 vitesh burg për krime lufte në Zvornik. Një çështje e katërt vazhdon ende në Gjykatën Speciale të Beogradit ndaj gjashtë personave për krime lufte në fshatin Skocic, afër Zvornikut. Ka pasur edhe disa gjyqe në gjykatën shtetërore boshnjake, por të pandehurit kanë qenë ushtarë të thjeshtë ose policë për krime individuale, dhe jo komandantët e tyre.

“Ne jemi sidomos jo të lumtur me ndjekjen penale të krimeve në Bosnje dhe Hercegovinë. Krimet në Zvornik janë një njollë në dinjitetin njerëzor, me numrin e varreve masive dhe njerëzve të vrarë, dhe prokuroria jonë shtetërore po bën shumë pak punë,” tha Grahic.

Boris Grubesic, zëdhënës për prokurorinë shtetërore boshnjake, tha se aktualisht ka disa hetime për krimet që ndodhën në Zvornik dhe zonat përreth.

“Po punojmë në mënyrë aktive me këto hetime dhe jemi të kënaqur me bashkëpunimin që po marrim nga kolegët tanë në Serbi, duke marrë parasysh se disa çështje gjyqësore për Zvornikun janë ndjekur penalisht në Serbi,” tha Grubesic.

Vrasjet masive në maj dhe qershor të vitit 1992, përfshirë edhe ato në thertoren në Gero dhe në shkollat në Drinjaca dhe Karakaj, janë pjesë e aktakuzës kundër ish-kreut politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç në Gjykatën e Hagës.

Sipas akuzave kundër Karaxhiçit, krimet në Zvornik në vitin 1992 arritën shkallën e gjenocidit. Gjatë gjykimit, Karaxhiç u përpoq të vërtetojë se për vrasjet duhen fajësuar paraushtarakët dhe jo Ushtria Serbe e Bosnjës.

Grahic tha Karaxhiç duhet të tregojë të vërtetën në lidhje me trupat e zhdukur të njerëzve që u vranë përreth Zvornikut 23 vjet më parë.

“Nëse do të ishte për mua, thjesht do t’i kërkoja Karaxhiçit t’u tregojë familjeve se ku janë eshtrat e atyre që u vranë. Ne jemi ende në kërkim të më shumë se 400 personave të zhdukur që nga lufta,” tha ai.

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.