11.05.2015.
Mbi të vërtetën, faktet dhe (ndoshta) pajtimin
Eric Gordy
Fitohet përshtypja se pajtimi është, si qëllim, gjithnjë e më i largët. Si e para e çështjes, ekziston diçka shqetësuese në vet strukturën e kësaj fjale. Në te, në të vërtet, implikohet fakti se ka ekzistuar njëfarë gjendje e mëhershme e pajtimit, e cila, pastaj, është humbur, dhe se ekziston procesi (për të cilin pandehet se e përfshin pranimin dhe faljen reciproke), me të cilin ai mund të kthehet. I kuptuar në këtë mënyrë, pajtimi vepron si një transpozicion i terapisë grupore në gjithë kulturën politike dhe shoqërinë. Zakonisht formulohet me anë të frazës, e cila në politikë shpesh përdoret, por e cila kurrë nuk përkufizohet – „ballafaqimi me të kaluarën“. Versioni më i thjesht i formulimit, në të vërtetë, e përmban presupozimin operativ se kombinimi i caktuar i proceseve ligjore dhe i hulumtimeve çon tek krijimi i asaj që e quajmë “të vërtetë”, se pranimi i asaj “të vërtete” do të çoj deri tek krijimi i asaj që e quajmë “drejtësi” dhe se “drejtësia” do të jetë katalizator i asaj që e quajmë „pajtim“.
Edhe formulimi i këtillë, si edhe analogjia, të cilën e përmban – janë tejet problematike. Vet formulimi është problematik, sepse proceset komplekse dhe kontradiktore i trajton si të thjeshta dhe mekanike, në mënyrë implicite duke nënkuptuar se proceset e kufizuara në elitën me një numër të vogël (siç janë proceset gjyqësore) mund të kenë efekte afatgjata dhe efikase në gjithë publikun, që nuk është përfshirë me atë dhe që as nuk merr pjesë në te. Analogjia me marrëdhëniet ndër njerëzore dhe me marrëdhëniet brenda ose midis kolektivave të ndryshme shoqërore është problematike, sepse në mënyrë uniforme i trajton qëndrimet dhe perceptimin e të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë, duke synuar që t’i reduktojë në qëndrime zyrtare të qeverive të tyre.
Megjithëkëtë, nga të gjitha konceptet në këtë barazim, me gjasë më kontradiktori është koncepti i “së vërtetës”. Të flasësh mbi “të vërtetën” në kontekst të një vargu të tërë të konflikteve të dhunshme (aktivitetet e të cilave paraprakisht ose më pastaj janë fshehur, në të cilat kanë qenë të përfshira lloje të ndryshme të institucioneve dhe në të cilat thellësisht janë të rrënjosura ndjenjat e keqpërdorimit për mobilizim të përkrahjes për projektet politike) – në të vërtetë e imponon një nivel të sigurisë dhe të qartësisë në lidhje me disa çështje kontestuese, të cilat edhe më tutje në masë të madhe janë kontradiktore ose të panjohura. Kur një grup i ish të burgosurve në kampet e përqendrimit ka theksuar sloganin „heshtja është bashkëpjesëmarrës“ (26 qershor të vitit 2014, http://radiosarajevo.ba/novost/156576/foto-podrska-zrtvama-torture-iz-sarajeva-tisina-je-saucesnik#), ata, në të vërtetë, kanë folur për të vërtetën, e cila rrjedh nga përvojat e tyre dhe nga bindja e tyre se nevojat e viktimave në masë të madhe kanë mbetur të paplotësuara. Kur peshkopi i Sisakut Imzot Vlado Koshiqi e ka shërbyer meshën në pritje të një të dënuari (pastaj të liruar) kriminal (të cilin në atë moment e ka përshkruar si një „gur moral“ sepse ka refuzuar për të dëshmuar kundër urdhërdhënësve të tij – 20 qershor i vitit 2014, http://www.jutarnji.hr/biskup-kosic–krdic-je-nepravedno-osuden/1200426/), ai po ashtu ka folur për të vërtetën, e cila është nxjerrë nga qarqe lojalitete të caktuara komplekse institucionale dhe politike. Në ambientin post-konfliktual, në të vërtetë, ekzistojnë të vërteta të shumta inkompatibile, të cilat i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës. Të përbashkët e kanë atë se një grup të caktuar të fakteve e lidhin për një sistem të caktuar të vlerave dhe të interesave.
Ajo që nuk e kemi dhe që, me gjasë, kurrë nuk do ta kemi, është konsensusi për “të vërtetën” universale. Nëse ndonjëherë do të arrihet, ai mund të përfaqësojë vetëm “realizim të ndonjë objektivi politik, por assesi të një qëllimi, i cili rrjedh ekskluzivisht ngas proceset ligjore ose nga hulumtimet.
Atëherë, çka është objektivi i arritshëm? Nëse nocioni i së “ë vërtetës” duket tejet ambicioz dhe i nënshtrueshëm ndaj manipulimeve dhe keqpërdorimeve, atëherë diçka më e kufizuar – siç është konstatimi i fakteve – do të mund të na e ofronte një pikë nismëtare më të mirë. Kështu, edhe në diskursin juridik, mbi gjykatat flitet si për „organe, të cilat i konstatojnë faktet“. Në shumë pikëpamje, do të mund të thuhej se dokumentacioni nga proceset gjyqësore i ka kontribuuar konstatimit të një numri të madh të fakteve të pakundërshtueshme si dhe se materiali i prezantuar mundëson që të mësojmë edhe më shumë.
Në këtë pikëpamje, do të mund të pritej që proceset penale në masë të madhe do të na ofrojnë nga vërtetimi i fakteve mbi konfliktin dhe në këtë mënyrë do t’i kontribuojnë ndërtimit të të “vërtetave” më të besueshme dhe të përbashkëta. Megjithëkëtë, është e qartë se institucionet e të drejtës penale nuk e kanë realizuar këtë objektiv. Në disa punime të miat të mëhershme, e kam sjellë argumentin se kjo në masë të madhe është pasojë e konteksteve dhe e perspektivave të ndryshueshme, që fitojnë peshë më të madhe se sa vet faktet, të cilat janë të ndërtuara në to. Megjithëkëtë, aty është i pranishëm edhe një varg i tërë i problemeve fundamentale, prej të cilave shumë prej tyre burojnë nga parimi i thjesht se gjykatat nuk përgjigjen në pyetjet, të cilat nuk iu shtrohen.
Si e para, asnjë proces gjyqësor nuk është në gjendje si dhe as që synon për të prodhuar një regjistër gjithëpërfshirës-faktik, përkatësisht përshkrimin e plotë të një ngjarjeve. Me gjithë thënien e shpeshtë se „historinë e shkruajnë …[të futet termi i parapëlqyer kolektiv – fitimtarët? Të huajt?]“ – ajo çfarë ndodh gjatë proceseve gjyqësore gjithsesi se nuk është shkrim i historisë. Në rastin më të mirë, ajo do të mund të përbënte një revidim të historisë. Nga numri i gjithmbarshëm (dhe i madh) i kryerësve, një përqindje e vogël prej tyre në fund do të ndahen dhe do të procedohen penalisht – ndoshta vetëm pse diçka në veprimet e tyre ka karakter reprezentativ ose ngaqë kundër tyre ka prova të mjaftueshme, gjë që i rrit gjasat për aktgjykimin fajësues. Nga të gjitha gjërat, për të cilat ata njerëz do të mund të përgjigjeshin, me akuza penale do të përfshihen vetëm një pjesë e vogël e tyre, që në mënyrë të përgjithshme rrjedh nga qasja ndaj provave dhe kufizimet e qarta në zbatimin e ligjit. Për këtë arsye, regjistri gjyqësor në mënyrë të pashmangshme e tregon vetëm një pjesë të të gjithë tregimit, madje edhe në proceset, të cilat synojnë të jenë gjithëpërfshirëse dhe për këtë kanë mjete të mjaftueshme. Për arsye të të gjithë kësaj, është shumë më e besueshme se materiali gjyqësor në mënyrë shumë të hollësishme do të përshkruaj vetëm disa pjesë të caktuara, më të vogla të tregimit – se sa që do t’ua ofroj një çfarëdo pasqyre të përgjithshme si dhe të kuptuarit e gjerë të saj.
E dyta, juristët – pa marrë parasysh se a është fjala për prokurorët, mbrojtësit apo gjyqtarët – vetes i parashtrojnë objektiva tejet të ngushtë. Ata qëllimin e tyre e kuptojnë si të provuar, kundërshtim ose vendim mbi një grumbull faktesh që janë në lidhje me akuzën konkrete penale, duke synuar që gjatë rrjedhës së procesit të sigurojnë drejtësinë dhe respektimin e procedurave formale. Para së gjithash, ata e kuptojnë gjykimin si proces, i cili i përfshin vetëm palët në procedurë dhe shpesh janë të prirë drejt sugjerimeve se disa kategori të gjera e deri diku edhe abstrakte, siç janë „viktimat“ ose „shoqëria“ – fare nuk janë pjesë e asaj procedure dhe se, së këndejmi, nuk kanë interesa të cilat është e nevojshme të përfaqësohen në gjykatë. Kështu, juristët, e posaçërisht prokurorët, në një periudhë të caktuar shpesh e kanë shfrytëzuar gjuhën e „pajtimit“ (me këtë kryesisht janë ndalur), por ai kurrë nuk është kuptuar në mënyrë serioze, si qëllim përfundimtar i aktiviteteve të tyre (gjë që posaçërisht vlen për juristët e angazhuar në proceset penale).
E treta, materialet, të cilat i kanë lënë pas vetes institucionet gjyqësore – kurse këtë, pas dy dhjetëvjetëshash, edhe vet kemi mundur për ta hetuar – përmbajnë gjurmë të ndikimit të disa faktorëve, të cilët nuk kanë shumë lidhje me kërkimin e së vërtetës. Kontradikta, e cila është e pranishme në gjyqësorin tonë në lidhje me disa çështje të caktuara, sikurse anonimizimi i aktakuzave dhe i kohëzgjatjeve të aktgjykimeve të shqiptuara – pikërisht flet për zbrazëtitë dhe paqartësitë serioze ligjore, por edhe për mungesën e konsensusit mbi vet qëllimin e proceseve gjyqësore. Në një fazë të mëvonshme të punës, edhe TNPJ është shfrytëzuar si laborator për testimin e teorive të reja juridike dhe kjo, në disa instanca, e ka nënkuptuar injorimin e plotë të provave të paraqitura. Efektet e kësaj, jo vetëm që e kanë thelluar kontradiktën, e cila i ka përcjellë disa vendime të gjykatës (siç është aktgjykimi në lëndët Stuhia, Perishiqi dhe Stanishiqi, për të cilat Cristopher Jenks e ka shkruar një analizë të shkëlqyeshme, http://www.jstor.org/stable/10.5305/amerjintelaw.107.3.0622), por kanë shkaktuar edhe konflikt me vet Tribunalin, në të cilin gjyqtarët janë sjellë thuajse i zgjedhin palët. Një nga efektet ka qenë edhe minimi i statusit të aktgjykimeve gjyqësore si narrativë përfundimtar mbi disa ngjarje; ato sot, në të vërtetë, më shumë i përngjajnë intervenimeve në konteste, se sa në zgjidhjen e tyre. Krahas kësaj, në fund do të mund të pandehej se vet aktgjykimet, në të vërtetë, edhe nuk janë pjesa më e rëndësishme ose më e çmuar e gjithë atij materiali, i cili në të njëjtën kohë përbënë edhe trashëgiminë e gjithmbarshme të Tribunalit, përkatësisht të proceseve gjyqësore, të cilat janë zhvilluar para tij.
Megjithëkëtë, e, ndoshta, kjo edhe më e rëndësishmja – një pjesë e dijeve, që më së shumti do të duhej t’i kontribuonte pajtimit, është e bazuar në fakte të cilat me gjasë kurrë nuk do të përfshihen me anë të ndonjë aktakuze. Kjo i përfshin faktet, të cilat ende nuk janë të njohura, sepse asnjëherë nuk janë hetuar plotësisht (siç janë të dhënat e besueshme mbi numrin e tërësishëm të viktimave dhe të të zhdukurve në konfliktet e veçanta), por edhe faktet për të cilat nuk ekziston konsensusi, siç është periudha e zgjatjes së konflikteve. Krahas kësaj, ekzistojnë edhe disa fakte të caktuara, të cilat është e domosdoshme të qartësohen, edhe pse ato nuk i përfshijnë veprat penale, siç është roli i institucioneve shoqërore (mediat, kisha etj.) në nxitjen e dhunës. Të gjitha këto janë kategori të fakteve, me të cilat, me gjasë, gjykatat kurrë nuk do të merren, por që për publikun e rajonit gjithsesi se kanë interes që t’i njohin. Për këtë arsye, materialin e këtillë faktik edhe nuk është e mundur ta prodhosh në ambientin gjyqësor, por ekskluzivisht përmes debatit në publik.
Mungesa e proceseve gjyqësore në masën më të madhe buron nga faktorë, të cilët janë inherent për praktikën interne gjyqësore dhe për procedurat e të drejtës penale. Krahas kësaj, këto probleme në mënyrë plotësuese i rrit edhe mungesa e komunikimit midis institucioneve të së drejtës penale dhe shoqërive, në të cilat veprojnë (përkatësisht kryejnë funksione mbikëqyrëse). Në një nivel, mungesat e përshkruara mund t’i atribuohen institucioneve, të cilat nuk e përjetojnë publikun si një nga klientët e vet, derisa në një nivel tjetër lidhen me mungesën e vullnetit politik për krijimin e një regjistri faktik të plotë dhe të besueshëm, i cili do t’a zëvendësonte vet-lavdërimin e narrativëve të periudhës së konfliktit.
E gjithë kjo sugjeron se dija, e cila ka potencial që t’i kontribuojë pajtimit ose, e pakta, të kuptuarit të përbashkët që mundëson dialogun në vend të konfliktit – mund të prodhojë vetëm përmes angazhimit të publikut, i cili edhe është i ndërgjegjshëm për këtë nevojë. Institucionet dhe politikanët, të cilëve iu është besuar ajo punë, deri tash nuk e kanë treguar gatishmërinë për t’iu pri përpjekjeve të tilla. Që të mundet publiku i shteteve të rajonit fare për të pranuar ose falur diçka – së pari duhet të di se çfarë është ajo diçka.