KOMRA rrjeti i pajtimit

Aleksandar Bošković

11.05.2015.

Pajtimi dhe drejtësia për viktimat si vlera universale

Në të gjitha konfliktet e kohës moderne, kur përfundojnë konfliktet e armatosura, arrihet deri tek të kuptuarit se përfaqësuesit e palëve në konflikt, duhet të jetojnë, nëse jo njëri me tjetrin, atëherë, e pakta, njëri pranë tjetrit. Çështja e drejtësisë për viktimat parashtrohet si një nga kushtet e rëndësishme për vendosjen e paqes së qëndrueshme midis palëve, të cilat kanë qenë në konflikt. Në këtë vështrim të shkurtër, do të paraqes tre shembuj nga pjesë të ndryshme të botës. Qëllimisht këtu nuk do të përmend shembuj nga konfliktet në Ballkan – megjithëse disa situata, të cilat i përmend këtu, janë të zbatueshme edhe në kontekstin ballkanik, përkatësisht në kontekstin e Evropës Jugore, para së gjithash kur është fjala për institucionin e pajtimit.

Një nga gjërat themelore, në të cilat insistohet, është pranimi i viktimave të palëve në konflikt. Kjo nuk është e lehtë për ta zbatuar në situatat kur, në kuptimin “ushtarak”, ka fituar njëra palë  – siç është, për shembull, në rastin e konfliktit midis shumicës  së sinhalezëve dhe tamileve në Shri Lanka – as edhe në rastet kur përfaqësuesit e shteteve dhe të ushtrive drejtpërdrejt kanë qenë të përfshirë në masakrat  e popullatës civile, kurse pastaj vijnë në situatën që të bëhen përbërës të patejkalueshëm të procesit të paqes. Ky rasti i dytë është karakteristik për shtetet e Amerikës Qendrore, siç është rasti i Guatemalës. Në rastet e tjera, kur konflikti ka qenë, para së gjithash, politik, siç ka qenë ai në Afrikën Jugore, ka rezultuar deri te pajtimi politik i palëve në konflikt, të personifikuar në heqjen e ligjeve diskriminuese dhe largimin gradual të pushtetit  në të ashtuquajturën periudhën  kalimtare , midis viteve 1990 dhe 1994.

Këta tre shembuj, të cilët i kam cekur, pos me humbjet njerëzore, prapëseprapë, në mes vete dallohen edhe në detaje të rëndësishme. Në rastin e Shri Lankës, ngadhënjimi përfundimtar i njërës palë në luftë duket se e bënë të mundshme që pajtimi të konsiderohet, parasë gjithash, si shprehje e vullnetit të mirë të ngadhënjimtarit. Rol të veçantë këtu luan fakti se krahu ushtarak  i të mundurve (LTTA, „Tigrat Tamil “) nga ana e 32 shteteve (duke përfshirë këtu edhe SHBA-të, Kanadanë dhe shtetet e BE-së) është shpallur si organizatë terroriste. Ideologjia mbizotëruese e budizmit sinhalez po ashtu përbënë problem – për më shumë, disa autorë në mënyrë të argumentuar kanë treguar se deri në çfarë mase kjo ideologji, e zhvilluar gjatë disa qindra vjetëve, ka përfaqësuar komponent kyç të përgatitjeve për luftë dhe për vazhdimin e saj.

Kur është fjala për Guatemalën, gjykimi i parë ndaj një ish funksionari të lartë shtetëror për krime të luftës kundër njerëzimit ka filluar vetëm në vitin 2013 – edhe pse lufta qytetare, e cila ka filluar në vitin 1960, zyrtarisht ka papërfunduar në vitin 1996. Problem në Guatemala është pikërisht përfshirja e zyrtarëve shtetëror dhe ushtarak në konflikte dhe prania e tyre e vazhdueshme  në jetën publike – është shumë indikativ fakti se një nga gjeneralët më famëkeq, Rios Mont, madje dy herë (në vitin 1995 dhe në vitin 2000) është zgjedhur si kryetar i Parlamentit Kombëtar. Edhe një nga paradokset e përbënë fakti se elita biznesore e këtij vendi (shtresa e cila, në Ballkan, me përqeshje quhet ”mangat”) fare nuk shpreh një zhvillim të këtillë të ngjarjeve – kështu që më shumë se dy dhjetëvjetësha në Guatemalë faktikisht  ekziston pajtimi lidhur me aspektet kyçe për tejkalimin e pasojave të luftës civile midis banorëve të saj më të pasur dhe më të varfër (të cilët më së shpeshti kanë qenë viktimat më të shpeshta të masakrave, të rrëmbimeve dhe të shpërnguljeve të përdhunshme).

Në rastin e Afrikës së Jugut, më së shpeshti nuk ka ardhur deri te konfliktet e hapura ushtarake, edhe pse organizatat, të cilat i janë kundërvënë aparteidit, i kanë pasur edhe krahët e tyre ushtarak. Humbjet faktike në njerëz (të vrarë, të plagosur, të zhdukur), edhe në kuptimin absolut e edhe në atë relativ, kanë qenë tejet më të vogla se sa në Shri Llanka ose në Guatemala – megjithëse të gjitha shtresat e popullatës (disa dhjetëra miliona kryesisht të popullatës së zezë, jo të bardhë ose të asaj të “ngjyrosur”) në aspektin ekonomik dhe në atë social plotësisht janë shkatërruar. Megjithëkëtë, me tranzicionin e Afrikës së Jugut drejt demokracisë, të filluar në fund të vitit 1989, kurse të zyrtarizuar në fillim të muajit shkurt të vitit 1990, si dhe me themelimin e mëvonshëm të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (Truth and Reconcilliation Commission, TRC), gjërat fillojnë të ndryshojnë. Ky Komision, të cilin e ka udhëhequr kryepeshkopi Desmond Tutu, në punën e të cilit ka marrë pjesë një numër i madh i personaliteteve të shquara publike, anë e kënd botës është përjetuar si shembull se si një shtet dhe një shoqëri ballafaqohen me trashëgiminë e së kaluarës tragjike. Megjithëkëtë, është më pak e njohur se Komisioni, menjëherë pas themelimit të tij, është ballafaquare me kufizime serioze: i është „rekomanduar “ që të mos merret me përfaqësuesit e kapitalit të madh (pa të cilët i gjithë sistemi politik i themeluar në vitin 1949 do të ishte i paqëndrueshëm), as edhe me oficerët më të lartë  (prej të cilëve shumica kanë mbetur pranë pushtetit edhe pas ndryshimeve në kreun e shtetit të vitit 1994). Kjo e ka krijuar përshtypjen e dështimit tek shumica dërmuese e të ashtuquajturve “njerëz të zakonshëm”. Në mënyrë paradoksale, eksperimenti, i cili është lavdëruar dhe bërë i njohur në gjithë botën si model i cili duhet të shfrytëzohet kudo ku që është mundur, kurrë nuk ka qenë në mënyrë të gjerë i pranuar në vet Afrikën e Jugut. Po ashtu, ndryshe nga Guatemala, ku qarqet afariste që moti e kanë hetuar se konfliktet i sjellin dëm tërë shtetit, në Afrikën e Jugut (ku, për hir të së vërtetës, në masë shumë më të madhe ka qenë i pranishëm kapitali ndërkombëtar korporativ), po ato të njëjtat qarqe kanë lidhur një lloj të marrëveshjes me përfaqësuesit e pushtetit të ri dhe praktikisht i kanë përfshirë në shpërndarjen e përfitimit nga resurset natyrore, me të cilat ky shtet është jashtëzakonisht i pasur.

Çfarë porosish eventuale mund të përbëjnë këta shembuj për KOMRA-n? Para së gjithash, çfarëdo lloji i përpjekjes për pajtim pas konflikteve do të jetë i suksesshëm vetëm nëse për dialog krijohen supozimet e duhura. Është joreale të pritet se deri te dialogu i kuptimtë, i cili çon tek pajtimi,  mund të arrihet në situatën kur ekzistojnë fitimtarët dhe humbësit. „Fitimtarët“ vështirë se do ta shohin se ku qëndron interesi i tyre nëse heqin dorë nga diçka që tashmë e kanë realizuar në fushëbetejë. E dyta, pos faktorëve politik relevant, për sukses të dialogut është e domosdoshme përkrahja më e gjerë shoqërore – dhe ajo duhet të përfshijë edhe njerëzit, të cilët udhëheqin rimëkëmbjen e shoqërive ekonomikisht të shkatërruara (të ashtuquajturën „bashkësinë biznesore“). Në fund dhe më rëndësishmja, drejtësia për viktimat është e realizueshme vetëm nëse gjatë procesit të pajtimit flitet mbi të gjithë faktorët – nuk guxohet të ketë të privilegjuar, pa marrë parasysh fuqinë e tyre momentale politike, ushtarake ose ekonomike. Vetëm kështu , këto procese  do të pranohen nga ana e shtresave të gjera të shoqërisë (të ashtuquajturit „publikut“), që është kushti themelor për  suksesin e tyre afatgjatë.

Aleksandar Boshkoviq

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.