KOMRA rrjeti i pajtimit

alb

10.10.2017.

Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës – Rreziqet dhe mundësitë

Gjykata Speciale e Kosovës, PAX report, Reports, UÇK

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën (më tej: Gjykata Speciale e Kosovës) janë një “gjykatë hibride” që synon t’i gjykojë rastet e krimeve të luftës kundër individëve të lidhur kryesisht me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në periudhën 1998-2000. Është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por që selinë e ka në Hagë dhe për personel ka gjyqtarë e prokurorë ndërkombëtarë. Themelimi i kësaj gjykate duhet të kuptohet në dritën e kontekstit më të gjerë të ballafaqimit me të kaluarën në Kosovë, në të cilën disa përpjekje të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare për t’i trajtuar krimet e luftës nuk i përmbushën pritshmëritë. Ndërsa puna e Gjykatës mund të sigurojë një masë drejtësie për viktimat dhe një formë të drejtpërdrejtë përgjegjësie për kryesit e krimeve, ndikimi i saj mund të kufizohet rëndë nga dinamikat politike dhe sociale brenda vetë Kosovës dhe të kuptuarit e kufizuar të publikut mbi qëllimin dhe gamën e saj. Këta faktorë mund të kontribuojnë jo vetëm në dëmtimin e ndikimit potencial pozitiv të Gjykatës në shoqëri, por edhe të ushtrojnë efekt destabilizues mbi Kosovën. Që nga prilli 2017, për tre muaj në Kosovë u krye një studim i perceptimit publik me qëllim që të kuptohen më mirë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Gjykata Speciale e Kosovës. Ky dokument e përmbledh atë hulumtim dhe ofron rekomandime për t’i adresuar rreziqet potenciale që dalin nga puna e Gjykatës dhe për përfitimin nga mundësia e forcimit të ndikimit të saj pozitiv në shoqëri. Ky hulumtim identifikoi disa sfida kryesore që lidhen me perceptimin e publikut:

  • Vetëdijesimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës është i ulët, meqë 60.4% të shqiptarëve dhe 59.2% të serbëve të Kosovës besojnë se nuk marrin informacion të mjaftueshëm për Gjykatën.
  • Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit.
  •  Shqiptarët e Kosovës në shumicë dërrmuese e shohin mandatin e Gjykatës për ndjekjen penale të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit që lidhen kryesisht me UÇK-në, si të padrejtë, meqë 76.4% kanë këtë besim.
  • Ndërsa shumica (69%) e serbëve të Kosovës besojnë se nuk ka gjasa ose ka shumë pak gjasa që Gjykata Speciale e Kosovës të sjellë drejtësi për kryesit e krimeve të rënda të luftës, shumica (60%) e shqiptarëve besojnë se ka gjasa ose ka shumë gjasa që Gjykata Speciale ta arrijë këtë.
  • Ndër shqiptarët, shumica (51%) janë të gatshëm të protestojnë nëse luftëtarët e UÇK-së akuzohen nga Gjykata Speciale e Kosovës dhe 36% janë të gatshëm të veprojnë për të parandaluar ndjekjen penale të pjesëtarëve të UÇK-së.
  • Besimi i publikut në mbrojtjen e dëshmitarëve është i ulët, meqë shumica e serbëve (82.1%) dhe pothuajse gjysma e shqiptarëve (48.8%) besojnë se nuk është e sigurtë që dëshmitarët të dëshmojnë në Gjykatën Speciale të Kosovës.

Hulumtimi shpalosi edhe se, pavarësisht prej sfidave, shumica e shqiptarëve (64.8%) dhe e serbëve (53.2%) në Kosovë besojnë se është e rëndësishme të trajtohen të gjitha krimet e
kryera, ose të pësuara nga të gjithë civilët, gjatë dhe pas luftës së Kosovës më 1998-99. Hulumtimi i perceptimit publik e bën të qartë se vetëdijesimi i publikut për qëllimin, mandatin dhe fushëveprimin e Gjykatës Speciale të Kosovës është i ulët, situatë kjo që ka mundësuar përhapjen e keqinformatave, duke i rritur kështu mundësitë për një efekt “shokues” pasi të jenë lëshuar aktakuzat e para dhe duke i ulur gjasat e pranimit social të punës së Gjykatës në afat të gjatë. Për më tej, në kontekstin e tashëm dhe duke pasur parasysh përpjekjet e mëparshme ndërkombëtare dhe vendore për t’i trajtuar krimet e luftës që nuk i kanë përmbushur pritshmëritë, shumëkush nga bashkësia etnike shqiptare e sheh juridiksionin e Gjykatës Speciale të Kosovës si përzgjedhëse dhe të pjesshme, ndërkohë që shumëkush në komunitetin etnik serb mbetet skeptik se ajo mund të sjellë drejtësi lidhur me ato raste të krimeve të luftës, gjatëkohë të lëna mbas dore, viktimat e të cilave ishin kryesisht serbë. Kështu, ekziston rreziku që, nëse puna e Gjykatës rezulton në ndjekjen e suksesshme penale të anëtarëve të UÇK-së, të rritet perceptimi i shqiptarëve për anshmërinë antishqiptare në ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës. Nga ana tjetër, nëse Gjykata nuk ia del t’i bëjë të paktën disa dënime, zhgënjimi i serbëve prej institucioneve të Kosovës mund të rritet. Të dy rezultatet do të kishin efekte negative mbi marrëdhëniet tashmë të tendosura mes komuniteteve shqiptare dhe asaj serbe, mbi përpjekjet për ta arritur pajtimin, dhe mbi stabilitetin politik e social të Kosovës. Raporti përmbyllet me rekomandime për aktorët kryesorë, me synimin që t’i adresojë disa nga rreziqet e identifikuara nga sondazhi i perceptimit publik. Rekomandimet synojnë ta forcojnë mundësinë që puna e Gjykatës Speciale të Kosovës të ketë ndikim pozitiv shoqëror dhe të përfshijë (por pa u kufizuar) si vijon:

  • Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, Qeveria e Kosovës, aktorët kyçë të BE-së dhe ndërkombëtarë, si dhe shoqëria civile kosovare duhet të bashkëpunojnë për zhvillimin dhe zbatimin e një programi efektiv, të bazuar në prova dhe të shënjestruar të informimit publik dhe të dialogut, për t’i adresuar boshllëqet e informatave, kundërshtimin e keqinformimit dhe përnxitjen e të gjitha palëve të interesuara që të përdorin gjuhë të qëndrueshme në lidhje me Gjykatën, në mënyrë që të zbusin rrezikun e keqinterpretimit dhe të hutisë dhe të gjenerojnë pranimin e gjerë shoqëror të procesit dhe të rezultateve të tij.
  • Mesazhet duhet të përshtaten veçanërisht për anëtarët e bashkësive të ndryshme të Kosovës, për shembull: nënvizimi i rolit të Gjykatës për t’u siguruar se “askush nuk është mbi ligjin” në mesazhet e synuara për shqiptarët, si dhe promovimi i parimit të llogaridhënies individuale për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera kundër civilëve, në mesazhet e synuara për serbët dhe pakicat e tjera.
  • Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën duhet të vendosin një prani domethënëse në jetën publike të Kosovës, duke depërtuar përtej një strategjie të kufizuar të komunikimit publik që ta arrijnë dukshmërinë, besueshmërinë dhe komunikimin e dyanshëm që t’u mundësojë institucioneve dhe zyrtarëve të Gjykatës të ndikojnë pozitivisht te rrëfimet në shoqërinë kosovare që aktivisht promovojnë mirëkuptimin dhe pranimin e punës së Gjykatës në një kontekst më të gjerë.
  •  Qeveria e Kosovës duhet të investojë burime politike, burokratike dhe financiare në promovimin e një kornize kombëtare për trajtimin e të kaluarës së luftës që zbut perceptimet e përzgjedhshmërisë dhe të padrejtësisë, duke e kanalizuar Gjykatën Speciale të Kosovës në raport me përpjekjet plotësuese vendore, kombëtare e rajonale për t’u marrë me të kaluarën e kohës së luftës në Kosovë, posaçërisht (por pa u kufizuar) me hartimin e një Strategjie Kombëtare për Drejtësinë Tranzicionale dhe në kontekstin e diskutimeve rreth Komisionit të propozuar për të Vërtetën dhe Pajtimin.

PAX REPORT Kossovo Public PerceptionALB.pdf

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.