KOMRA rrjeti i pajtimit

Pjer_Zalica_radio sarajevo.ba

11.05.2015.

Pjer Zhalica :: Kemi fshehur së tepërmi fshehtësi të zeza

Bilten alb web naslovna

Ky regjisor, me xhirimin e filmave, ka luftuar kundër luftës, i burgosur i së cilës ka qenë edhe vet. Kështu kanë lindur disa prej realizimeve më të rëndësishme mbi jetën në Sarajevën e rrethuar dhe mbi luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë, në mesin e të cilave është edhe filmi dokumentar i xhiruar gjatë kohës së luftës “Fëmijë, si të gjithë fëmijët e tjerë” (“Djeca kao i sva druga”). I ka xhiruar edhe dy filma artistik, “Ndizet zjarri” (“Gori vatra”) dhe “Tek xha Idrizi” (“Kod amidže Idriza”.) Pjer Zhalica është një nga regjisorët më të njohur në rajon dhe dekan i Akademisë së Arteve Skenike në Sarajevë.

Edhe atëherë kur i trajtoni çështjet më të rënda, siç është lufta dhe shpërbërja e Jugosllavisë, duket se jeni i fokusuar në zbulimin e pozitives dhe të së mirës në njerëzit. Si ia dilni kësaj dhe përse, sipas mendimit tuaj, kjo është e rëndësishme?

Emocioni është forcë. Jo rrallë, një forcë e tmerrshme, një forcë destruktive, e cila mund të na shkatërrojë neve. Në të njëjtën kohë, ndonjëherë vetëm emocioni mund të na shpëtojë, fuqishëm të na paralajmëroj se diçka nuk është në rregull ose që ta ndjejmë se diçka duhet të jetë pikërisht ashtu siç është. Emocioni shpesh është para njohjes logjike ose analitike, i paraprinë asaj ose e arsyeton atë. Krahas kësaj, emocioni na është i përbashkët për të gjithë neve, nuk varet nga supozimet kulturologjike, gjeografike, eskatologjike ose çfarëdo supozimesh të tjera. Ekzistojnë njerëz, të cilët edhe në këtë fushë janë invalid, të cilët nuk mund të ndjejnë ose të bashkëndjejnë, por kjo tashmë është hapësirë e psikopatisë. Megjithëkëtë, lirisht mund të themi: të gjithë ndjejmë njësoj, drejtësinë ose padrejtësinë, dashurinë ose hidhërimin, urrejtjen ose pasionin. Për këtë arsye, kur tregoj për rrëfimet e emocioneve, ndjenjën e kam në qendër të interesit. Mendoj se kjo është edhe pika qendrore dhe edhe më e fuqishme për komunikimin universal. Sa ka të bëjë me fokusimin në të mirën edhe në rrethana të vështira, aty nuk ka kurrfarë fshehtësie: nuk ekzistojnë kohëra aq të liga ose rrethana aq të liga, në të cilat njeriu nuk mund të dallojë se çka është e mira bazike e çka është e keqja bazike. Nëse dikush e pohon këtë, thjesht kërkon arsyetim për gjërat e liga, të cilat i ka kryer. Për gjëra të tilla nuk ka arsyetim. Të kuptosh, të falësh, kjo është në rregull, por të arsyetosh – nuk është. Kurse në lidhje me atë se si ia dal në çka do qoftë – fare nuk ia kam idenë. Me gjasë, përpiqem.

Gjithnjë e më shumë ka filma dhe shfaqje teatrore, të cilët trajtojnë atë që historia “zyrtare” e hesht. A i njeh publiku dhe a reagon ai ndaj veprave dhe mesazheve të artistëve? A mundet që arti të ndryshojë narrativët zyrtar?

Arti gjithmonë pjesërisht është marrë me atë që heshtet, mendoj se nuk është pikërisht ndonjë “ekskluzivitet” i ditëve tona. Edhe më herët është folur për gjërat e ndaluara. Ndoshta ne kemi “futur nën tepih” së tepërmi shumë gjëra dhe me shkathtësi shtiremi thuajse se ato kurrë nuk kanë ndodhur ose i quajmë me ndonjë emër tjetër, plotësisht joadekuat dhe, ja, tash na “arrijnë” ato dhe kërcejnë si djalli në pranverë në një masë më të madhe se sa që kjo është “normale”. Zbulimin e fshehtësive të errëta disa njerëz e përshëndesin shumë, kurse disa të tjerë aspak. Ata, të cilët i inkurajojnë proceset e tilla zakonisht janë pakicë. Dhe nuk janë vetëm artistët. Mediat, shkenca, duke e përfshirë këtu edhe historinë, janë dëshmitarë të drejtpërdrejt, shumë prej tyre punojnë guximshëm dhe vetëm atë gjënë e drejtë – ballafaqimin me të vërtetën. Nga ana tjetër janë të gjithë ata, të cilët dëshirojnë që ai proces të dobësohet ose që, në rastin më të mirë, ata që dëshirojnë që ai fare të mos ekzistojë. Dhe, në mesin e atyre forcave ka shumë artistë. Edhe ata bëjnë filma, shkruajnë libra, vizatojnë, kompozojnë, bëjnë shfaqje teatrore… Thjeshtë, është fjala për luftën midis koncepteve: e vërteta dhe e mira kundër të keqes dhe gënjeshtrës. Tingëllon paksa si përrallore. Edhe është. Sepse ndarja asnjëherë nuk është ashtu në mënyrë kirurgjike e pastër. Nuk besoj në njerëzit absolutisht të drejtë imun ndaj gabimeve dhe në të kundërtën. Si: njëra palë janë të mirë si engjëj dhe krejt ajo që ata e thonë dhe edhe e bëjnë ata është e drejtë, kurse kjo pala tjetër janë gabim dhe ligësi e plotë. Dyshoj në këtë. Ky dyshim më dekurajon, në të vërtetë, përkundrazi, mendoj se kjo është një arsye më shumë që pareshtur të përpiqemi për ta bërë gjënë e duhur, me vetëdijen se është e mundshme se do të gabojmë. Besoj se askush askënd në këtë proces nuk do ta mposht.

Si ka qenë ndjenja që të merreni me film gjatë kohës së luftës në Sarajevë?

Ka qenë një përvojë tmerruese, prej të cilës, me siguri, fatkeqësisht, artistikisht kam përfituar. Natyrisht do të hiqja dorë nga ‘përfitimi‘ i tillë shumë me dëshirë sikur të mund të ktheja e pakta një jetë marrëzisht të humbur në atë ferr të rrethimit të qytetit. Kjo është jonormale. Është jonormale që dikush të të mbajë në rrethim, edhe pse asgjë nuk i ke bërë. Është jonormale të përpiqen për të të vrarë vazhdimisht me gjithçka që është e mundur. Është jonormale që edhe në ato rrethana ke nevojë të jetosh, të ndjesh, të krijosh… ne të gjithë kemi qenë si një familje e lumtur në ferr. E pashpjegueshme. Duke xhiruar një film dokumentar mbi fëmijët në luftë, e kam lutur një djalosh, të cilit i pëlqente të këndonte, që në kuadrin në vijim të përpiqej të këndonte për atë se si ndjehet në luftë. Duke improvizuar, e ka kënduar vargun: ‘ka qenë e gëzueshme dhe e tmerrshme’. Ka qenë e tmerrshme, por ne nuk kemi dashur ta pranojmë këtë. Sot, nganjëherë, lexoj ndonjë deklaratë se madje as që ka pasur rrethim të Sarajevës. Se kjo është trillim. Më vjen keq për njerëzit, të cilët janë të gatshëm për të rënë aq poshtë, por jam i tmerruar me njohjen e faktit se sa njerëz janë të gatshëm t’iu besojnë atyre mjeranëve. Dhe atëherë kthehemi në pyetjen tuaj paraprake.

Edhe në filmin tuaj, me gjasë më të popullarizuarin, që merret me njërin prej bendeve më të mëdha jugosllave, me Orkestrën e Kaltër, merreni me politikën, me sistemin, me nacionalizmin. A e keni ndjerë ndonjëherë trysninë, në vete ose nga të tjerët, për shkak të qasjes së tillë ndaj artit?

Nuk jam unë ndonjë farë aktivisti. Vetveten e përjetoj si kitarist, i cili e bënë regjinë e filmave. Nuk i zgjedh temat e ‘rrezikshme’, në media, le ta themi, shpesh më kanë ‘quajtur’ si dikë që merret me tema të parëndësishme. Me vite përpiqem për ta bërë komedinë, por nuk më shkon për dore. Pastaj, ia fillojë, mirë, duke u marrë me material serioz, nuk kam fytyrë për t’i vizituar gjërat, të cilat më duken të rëndësishme. Dhe – ik komedia. Por, mbetet paksa humor, gjë që e kam shumë për qejf. Megjithëkëtë, pas secilit film ka pasur disa reaksione të pakëndshme. Ndizet zjarri është karakterizuar si film antiserb, antikroat dhe antiboshnjak. Një kritik, argumentin se filmi Ndizet zjarri është antiboshnjak e ka gjetur në konstatimin e tij se në asnjë kuadër të filmit nuk shihet xhamia. Nuk ka qenë për mua i pazakonshëm një sulm i tillë i pakuptimtë, ka qenë e pazakonshme për mua reaksioni im i parë dhe kam menduar: ‘e pamundur, si do ta xhiroj filmin në Teshnje e të mos shihet xhamia’… Pra, edhe pavetëdijshëm i nënshtroheni trysnisë, edhe pavetëdijshëm lëshoheni në amzën e idiotësisë. Nga kjo, aq sa mundem, përpiqem për t’u mbrojtur. Edhe pse e pohoni se nuk e ndjeni trysninë, se nuk ka autocenzurë, ajo është aty diku, rrinë galuc, pret dhe gjithmonë nga pak ‘punon’. Është mirë derisa kjo është e pavetëdijshme, sepse kur bëhet e vetëdijshme, atëherë e pat puna, duhet të ndërrohet puna, duhet të kalohet në politikë, atje ku kjo është përparësi.

Si e trajtoni idenë për themelimin e KOMRA-s? Shikuar nga këndvështrimi i artistit, sa është me rëndësi vërtetimi i emrave të të gjitha viktimave?

Këndi i artistit nuk është aty diçka specifike, e pakta nuk do të duhej të ishte. Në nivelin njerëzor, individual, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa kjo. Nuk e kërkoj asnjë prej emrave nga lufta. Atë që e kam humbur – e di. Dhe e di se sa më është mua kjo e rëndësishme. Nga ana tjetër, në nivel të përgjithshëm, kjo nuk është diçka aspak më e parëndësishme, sepse është, përkundrazi, çështje e respektit ndaj jetës. Të gjithë këta popujt tanë ngrihen e thonë se si gjëja e parë dhe më e rëndësishmja për ta është fytyra . Ku është atëherë problemi? Kurse problemet janë të shumta, sepse edhe njëzet vite pas luftës nuk është kryer ajo punë.

Jelena Grujiq Zindoviq

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.