27.05.2019.
Prioriteti i përbashkët: faktet mbi viktimat
Procesi Berlinit27 Maj 2019
Në Strategjinë e zgjerimit të vitit 2018, BE-ja i ka vendos lartë në shkallën e prioritetit marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimin. Përkrahja, të cilën në këtë drejtim e kanë ofruar liderët e Ballkanit Perëndimor (BP) në Samitin e Sofjes (17 maj i vitit 2018) dhe deklaratat e përbashkëta mbi personat e zhdukur dhe krimet e luftës në Samitin e Londrës (10 korrik i vitit 2018), janë arsye për të shpresuar se do të arrihet një marrëveshje për një përkrahje të fuqishme për pajtimin, përmes Nismës së KOMRA-s, në Samitin në Poznanj (4 dhe 5 korrik i vitit 2019) në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në takimin përgatitor ministror (Varshav[, 11 maj i vitit 2019) njëmend është theksuar „përkushtimi i pjesëmarrësve për pajtimin“ gjatë „bisedës për qasjen e mundshme të qeverive ndaj ballafaqimit me të kaluarën me anë të pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe asociacioneve të viktimave përmes Nismës së KOMRA-s “ krahas „pajtimit që të vazhdohet me shqyrtimin e këtij opcioni“ (komunikata zyrtare e kryesuesit). Pjer Mirelit (Pierre Mirel), ish drejtor i Komisionit Evropian për BE-në, i është kërkuar të ndihmojë në realizimin e këtij objektivi.
Në këtë frymë, Pjer Mirel jo fort moti është takuar me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke përfshirë edhe Stasha Kosharcin (Stašu Košarca), zëvendësi i klubit të deputetëve të LSDP, i cili pas takimit e ka publikuar një komunikatë për media (16 maj i vitit 2019). Z. Kosharac ka thënë se institucionet e Republika Srpska e konsiderojnë KOMRA-n „një institucion të papranueshëm për nxitjen e procesit të pajtimit“, sepse „aktgjykimet e GJNPJ-së nuk mund të jenë bazë për vërtetimin e fakteve dhe të së vërtetës së plotë“. Është e pamundur, megjithëkëtë, të mos shtrohet pyetja se si dikush mund të mohojë, krahas aktgjykimeve, madje edhe me ndonjë gabim, se gjykimet e kanë vërtetuar rëndësinë e padiskutueshme të fakteve?
Kjo deklaratë e zotëri Kosharcit përbënë një mohim të qartë të përcaktimit të B dhe H në Samitin e Londrës, ku shefat e shteteve e kanë theksuar rëndësinë „e pranimit dhe të respektimit të aktgjykimeve, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe glorifikimin e krimeve të luftës, promovimin e kulturës së respektimit dhe të solidaritetit me të gjitha viktimat“ (Deklarata e përbashkët mbi krimet e luftës).
Pikërisht ky është objektivi i “Komisionit Rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish RSFJ prej datës 1 janar të vitit 1991 e deri në datën 31 dhjetor të vitit 2001” (KOMRA).
KOMRA nuk përbënë dyfishim të punës së gjykatës si dhe as një gjykatë paralele. Duke u përqendruar në faktet dhe në viktimat, do të tregohej si mjet i domosdoshëm për plotësimin e vendimeve gjyqësore dhe për përafrimin e qëndrimeve të kundërta në lidhje me të njëjtat ngjarje. KOMRA është konceptuar si një trup rajonal ndërshtetëror, anëtarët e të cilit i emërojnë autoritetet dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Projekt Statuti i tij është rezultat i një konsensusi të gjerë ndërmjet liderëve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2014. Ndryshimet politike në disa vende pas kësaj e kanë ngadalësuar realizimin e kësaj nisme dhe, së këndejmi, është me rëndësi t’i kthehemi asaj krahas një shtyse të re në Samitin në Poznanj në muajin korrik të këtij viti.
Deri tash Serbia, Kosova, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi janë pajtuar që ta përkrahin. Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia ende nuk e kanë një qëndrim zyrtar. Shpresojmë se edhe këto vende do ta nënshkruajnë Deklaratën mbi KOMRA-n, në emër të viktimave dhe në pajtim me synimin „që të tejkalohet trashëgimia e së kaluarës, me anë të promovimit të pajtimit dhe të marrëdhënieve të mira fqinjësore “ (Deklarata e përbashkët, Londër, 10 korrik i vitit 2018).
Të gjithë liderët e BP njëmend do të duhej ta synojnë pajtimin me të gjitha mjetet e mundshme (me gjykimet, mekanizmat për paraqitjen e fakteve, komemoracionet e përbashkëta, tekstet shkollore e të tjera), në pajtim me deklaratat e shumta të nënshkruara gjatë viteve paraprake si dhe në kontekstin e Konkluzave të Këshillit të BE-së të vitit 2015 për përkrahjen e drejtësisë tranzicionale. Konstatimi i fakteve mbi viktimat do të duhej të ishte prioritet – në mënyrë që t’ua kthejmë dinjitetin personal dhe që të parandalojmë që e kaluara ta çrregullojë të tashmen dhe ta kufizoj të ardhmen.