29.05.2020.
Raport mbi përparimin e procesit të themelimit të KOMRA-s
Nëntor 2014 – Janar 2018
Koalicioni për KOMRA-n, në Kuvendin e VII-të, të mbajtur në datën 14 nëntor të vitit 2014 në Beograd, i ka mbështetur Ndryshimet e Statutit të KOMRA-s, të cilat i kanë bërë të dërguarit e kryetarëve të Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë dhe Kosovës, i anëtarit boshnjak dhe kroat të Presidencës së B dhe H në lidhje me detyrën për të hulumtuar mundësitë kushtetuese dhe juridike për themelimin e KOMRA-s në secilin vend në mënyrë individuale. Koalicioni për KOMRA-n në datën 10 dhjetor të vitit 2014 i ka dërguar letër kryetarëve të shteteve të cekura përkatësisht anëtarëve të Presidencës së B dhe H, duke ua përkujtuar se Kuvendi i ka përkrahur Ndryshimet e Statutit të KOMRA-s, me çka janë krijuar kushte për një hap të ri drejt themelimit të Komisionit Rajonal për konstatimin e Fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish Jugosllavisë – KOMRA. Me qëllim të sigurimit të përkrahjes për Ndryshimet e Statutit dhe krijimit të kushteve për fillimin e procedurës për themelimin e KOMRA-s, Koalicioni i është drejtuar liderëve të zgjedhur kohëve të fundit – kryetares së Kroacisë dhe anëtarëve të ri të Presidencës së B dhe H, si dhe kryeministrit të Serbisë. Kësaj ftese i është përgjigjur edhe Qeveria e Serbisë, e cila në datën 6 korrik të vitit 2015, ka njoftuar se do ta përkrah formimin e komisionit rajonal.
Në muajin maj të vitit 2015, Koalicioni për KOMRA-n e ka filluar ueb faqen e re – www.recom.link, e cila, pos arkivit të madh të organizuar mirë mbi procesin konsultativ, përmban dëshmi të një numri të madh të viktimave dhe rregullisht përcjell hulumtimet, të cilat merren me teoritë dhe praktikat e pajtimit në shoqëritë post-konfliktuale. Një risi e veçantë është paraqitja e përkujtimit dhe e shënimit të përvjetorëve të krimeve, që tregojnë ende dallime të mëdha në trajtimin e gjërave të njëjta.
Me rastin Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, në datën 10 dhjetor 2015, të rinjtë nga Ballkani Perëndimor i kanë dërguar qeverive në rajon Deklaratën Rajonale për të Drejtat e Njeriut. Themelimi i KOMRA-s është një nga kërkesat e cekura në deklaratë, të cilën e ka filluar Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.
Parlamenti Evropian e ka miratuar në datën 4 shkurt të vitit 2016 rezolutën mbi përparimin e Serbisë në procesin e anëtarësimit gjatë vitit 2015 në Bashkimin Evropian. Në Rezolutë, si edhe në vitet e mëparshme, shprehet përkrahja për themelimin e KOMRA-s.
Avokuesit publik të Nismës për KOMRA-n në takimin e mbajtur në datën 13. 2. 2016 në Beograd kanë përfunduar se nuk ka përparim në kontaktet me qeveritë e shteteve. Është theksuar Procesi i Berlinit si kuadër për themelimin e KOMRA-s si dhe, së këndejmi, vazhdimi i procesit të negociatave drejt liderëve të Ballkanit Perëndimor. Për periudhën e ardhshme është arritur pajtimi që të vazhdohet me organizimin e debateve mbi pajtimin, si dhe me debatet mbi strategjinë e BE-së në lidhje me drejtësinë tranzicionale në shtetet kandidate për anëtarësi.
Avokuesit publik në muajin korrik të vitit 2016 i janë drejtuar me letra kryeministrave të Serbisë, Kosovës, B dhe H dhe Malit të Zi me kërkesën për të sjellë vendim, me të cilin, në konferencën për Ballkanin Perëndimor në Itali në vitin 2017, në kuadër të Procesit të Berlinit, do të miratohej Deklarata mbi themelimin e KOMRA-s, si një hap drejt pajtimit të qëndrueshëm. Janë cekur shumë arsye, të cilat i rekomandon KOMRA si instrument dhe parakusht për arritjen e pajtimit në Ballkanin Perëndimor, në pajtim me deklaratat nga konferencat mbi Ballkanin Perëndimor të mbajtura në Berlin dhe Vjen.
Gjatë muajit shkurt dhe mars të vitit 2017, Koalicioni për KOMRA-n e ka informuar publikun mbi përfundimin e vet se elitat politike në rajon kanë hequr dorë nga ballafaqimi me të kaluarën dhe se Koalicioni po përgatit një strategji të re të avokimit për themelimin e KOMRA-s. Në konferencat për gazetarë, në Sarajevë, në Beograd, në Prishtinë dhe në Zagreb, avokuesit publik të Nismës për KOMRA-n i janë drejtuar me apel liderëve të vendeve trashëguese të ish RSFJ-së që të mos e lëshojnë shansin historik që me sa më pak vonesë të përpilojnë regjistrin e viktimave dhe të konstatojnë faktet mbi të gjitha krimet e luftës dhe me këtë në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i kontribuojnë ndërtimit të paqes dhe pajtimit. Koalicioni ka theksuar se angazhohet për përfshirjen e KOMRA-s në programin e Procesit të Berlinit, sepse vetëm në te ekziston kuadri politik për marrëveshjen mbi pajtimin si një proces i qëndrueshëm, përparimi i të cilit varet nga angazhimi shoqëror dhe individual.
Po ashtu, nga muaji mars i vitit 2017, Koalicioni për KOMRA-n ka filluar me produksionin e ekstrakteve të shkurta online nga dëshmitë e viktimave dhe të dëshmitarëve para Tribunalit të Hagës mbi krimet më të rënda ndaj civilëve dhe personave të tjerë të mbrojtur. Dëshmitë janë të qasshme në faqen e internetit – recom.link, në kanalin Youtube si dhe në faqet e KOMRA-s në na Facebook dhe Twitter.
Në lidhje me mbajtjen e samitit të katërt të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Trieste në datën 12. 8. 2017, Koalicioni për KOMRA-n në muajin maj të vitit 2017 ka organizuar nënshkrimin e peticionit për marrëveshjen e liderëve të vendeve post-jugosllave mbi themelimin e KOMRA-s në kuadër të Procesit të Berlinit. Në një afat prej disa ditësh, aktivistët e organizatave të të rinjve kanë tubuar në Sarajevë, Banjallukë, Prishtinë, Zagreb dhe Beograd më shumë se 50.000 nënshkrime të qytetarëve. Me rastin e nënshkrimit të peticionit, një numër i madh i qytetarëve kanë tërhequr vërejtjen se është e domosdoshme përkrahja e fuqishme e institucioneve të BE-së dhe e vendeve anëtare të BE-së.
Fushata rajonale në rrugë ka rezultuar me thirrjen e Forumit të shoqërisë civile, në kuadër të Procesit të Berlinit, që Nisma për KOMRA-n të jetë e përfaqësuar në tubimin e katërt të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Trieste në datën 12. 7. 2017.
Në Deklaratën e kryesuesit në samitin e katërt të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian është theksuar rëndësia e Nismës për KOMRA-n:
„Pjesëmarrësit e kanë theksuar rëndësinë e shoqërisë civile si të një partneri të pavarur, aktiv, të angazhuar dhe të respektuar, i cili kontribuon me informimin në zgjedhjen e liderëve politik, në implementimin e politikave si dhe në perceptimin e mirë të pritjeve të publikut. Ata e kanë vërejtur rëndësinë e përfundimeve të Forumit të shoqërisë civile, duke e përfshirë edhe Nismën për KOMRA-n, duke theksuar se samitet e këtilla janë pjesë e objektivit të përbashkët”.
Pas takimit të katërt të liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit në Trieste, Koalicioni për KOMRA-n ka vazhduar me avokimin që në samitin e ardhshëm në Londër kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor të nënshkruajnë marrëveshjen mbi themelimin e KOMRA-s, gjë që në datën 20. 12. 2017 ka rezultuar me atë që kryetarët e Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Kosovës dhe anëtari boshnjak i Presidencës së B dhe H t’i emërojnë të dërguarit personal, të cilët me Koalicionin për KOMRA-n do të përgatisin projektin e Marrëveshjes mbi themelimin e KOMRA-s.
E dërguara e kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, është Tanja Joviq, këshilltare e kryetarit të Serbisë për punë të jashtme; e dërguara e kryetarit të Malit të Zi, Filip Vujanoviqit, është prof. dr Sonja Tomoviq–Shundiq, këshilltare e kryetarit të Malit të Zi për të drejtat e njeriut dhe të pakicave; i dërguar i kryetarit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, është Ilija Isajlovski, diplomat i karrierës dhe anëtar i kabinetit të kryetarit të Maqedonisë; i dërguar i kryetarit të Kosovës, Hashim Thaqit, është Ardian Arifaj, këshilltar politik i presidentit të Kosovës, kurse i dërguar i anëtarit të Presidencës të B dhe H, Bakir Izetbegoviqit, është Elvir Çamxhiq, ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare dhe shef i kabinetit të anëtarit boshnjak të Presidencës së B dhe H.
Sipas dakordimit të Koalicionit për KOMRA-n dhe liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, Projekt Marrëveshjen mbi themelimin e KOMRA-s do ta nënshkruajnë kryeministrat në samit në kuadër të Procesit të Berlinit në Londër, në muajin korrik të vitit 2018, pas të cilit kryetarët e Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë, Kosovës dhe Presidencës së B dhe H do të fillonin procedurën për kandidim dhe zgjedhje të anëtarëve të KOMRA-s, në pajtim me Projekt Statutin e KOMRA-s. Statutin bashkërisht e kanë përpiluar të dërguarit paraprak të kryetarëve të vendeve të cekura dhe Presidenca e B dhe H dhe Koalicioni për KOMRA-n, në muajin tetor të vitit 2014. Me anë të Statutit të KOMRA-s janë konfirmuar detyrat e mëposhtme të komisionit:
- të mbledh të dhënat mbi rastet e krimeve të luftës dhe rastet e tjera të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut;
- të mbledh të dhënat mbi fatin e të pagjeturve dhe të bashkëpunojë me organet kompetente, të cilat në vendet që janë anëtare të marrëveshjes merren me kërkimin e të pagjeturve;
- të përpilojë listat e civilëve dhe të luftëtarëve, të cilët e kanë humbur jetën ose janë zhdukur gjatë luftës ose formave të tjera të konflikteve të armatosura;
- të mbledh të dhënat mbi vendet e mbylljes gjatë luftërave, mbi personat të cilët në mënyrë të kundërligjshme janë mbyllur, i janë ekspozuar torturës dhe trajtimit çnjerëzor, dhe të hartojë regjistrin e tyre të gjithmbarshëm, krahas mbrojtjes së identitetit, kur kjo është e nevojshme;
- të hulumtojë rrethanat politike dhe shoqërore, të cilat në mënyrë vendimtare i kanë kontribuuar shpërthimit të luftërave ose formave të tjera të konflikteve të armatosura si dhe kryerjes së krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut;
- të mbajë dëgjime publike të viktimave dhe të personave të tjerë mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut dhe
- të rekomandojë masat, të cilat kanë të bëjnë me parandalimin e përsëritjes së shkeljes së të drejtave të njeriut dhe me reparacionet e luftës.
Samitin e pestë në kuadër të Procesit të Berlinit, në muajin korrik të vitit 2018 në Londër, e organizon Zyra për punë të jashtme dhe komonuellt e Mbretërisë së Bashkuar (UK FCO), kurse në te marrin pjesë kryeministrat, ministrat e punëve të jashtme dhe të ekonomisë të B dhe H, Serbisë, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kosovës (Ballkani Perëndimor), anëtaret e BE-së – Gjermania, Austria, Franca, MB, Italia, si dhe Sllovenia e Kroacia, dy nga gjashtë njësitë federale të ish RSFJ-së. Në Procesin e Berlinit merr pjesë edhe Forumi i shoqërisë civile, i cili po ashtu propozon nënshkrimin e marrëveshjes mbi themelimin e KOMRA-s në samitin e vitit 2018.