KOMRA rrjeti i pajtimit

International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia (ICTY)

30.11.2016.

Shteteve të OKB-së u kërkohet të arrestojnë radikalët e kërkuar serbë

Florence Hartman, ICTY

 

Gjykata e Hagës ka bërë publik një urdhër ndërkombëtar arresti për tre politikanët e Partisë Radikale Serbe që kërkohen për kanosje dëshmitarësh, duke i bërë thirrje shteteve anëtare të OKB-së t’i ndalojnë ata nëse është e mundur.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY martën hoqi konfidencialitetin e urdhër arrestit ndërkombëtar për tre anëtarët e Partisë Radikale Serbe, Vjerica Radeta, Petar Jojiç dhe Jovo Ostojiç, të cilët akuzohen për kanosje të dëshmitarëve gjatë gjykimit për krime lufte të liderit të tyre Vojisllav Sheshel.

Urdhrat ndërkombëtarë të arrestit dhe urdhrat për dorëzimin e tyre u lëshuan më 5 tetor nga ICTY-ja.

“Duke pasur parasysh se një urdhër arresti ndërkombëtar mund të kontribuojë në mospengimin e mëtejshëm të rrjedhës së drejtësisë; prandaj ICTY udhëzon autoritetet dhe gjithë oficerët dhe agjentët e të gjitha shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara të veprojnë menjëherë, me gjithë kujdesin e duhur për të siguruar arrestimin, paraburgimin dhe transferimin e tyre në gjykatë,” thuhet në urdhër arrestimet.

ICTY fillimisht i bëri thirrje Serbisë të arrestojë të tre anëtarët e partisë nacionaliste në janar, por që atëherë Beogradi ka refuzuar ekstradimin e tyre në Gjykatën e Hagës.

Në kundërshtim me vendimet e saj të mëparshme në raste të ngjashme, Gjykata e Lartë në Beograd vendosi në maj të këtij viti se tre politikanët nuk mund të arrestohen dhe transferohen në Hagë për gjykim, sepse kjo nuk do të ishte në përputhje me ligjin serb për bashkëpunim me gjykatat e krimeve të luftës të mbështetura nga OKB-ja.

Qeveria serbe po ashtu refuzoi të veprojë bazuar në urdhër arrestin e lëshuar, duke cituar arsyet e sigurisë dhe duke sugjeruar se arrestimi i tyre do të shkaktonte trazira në vend.

“Urdhër arresti për tre personat erdhi pasi Shesheli u lirua përkohësisht për t’u kuruar nga kanceri në nëntor 2014. Është vlerësuar nga qeveria se arrestimi i tyre mund të rrezikojë stabilitetin në vend,” tha Sasa Obradoviç, i dërguari i qeverisë serbe për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës.

Radeta, Ostojiç dhe Jojiç akuzohen se kanë shpërfillur gjykatën, për kërcënim dëshmitarësh në gjyqin e Sheshelit dhe për shantazh të dëshmitarëve të mbrojtur si edhe se u kanë ofruar atyre 500 euro për të mos dëshmuar.

Disa vëzhgues dyshojnë se arsyet për mos ekstradimin radikalëve janë politike, duke pretenduar se akuzat që kryeministri serb Aleksandër Vuçiç – i cili dikur ishte krahu i djathtë i Sheshelit – ishte i përfshirë në ndërhyrje tek dëshmitarët mund të dalë në shesh, nëse çështja shkon në gjyq.

Ndërhyrja e dyshuar tek një dëshmitar ndodhi gjatë gjykimit për krime lufte të Sheshelit në ICTY, kur Vuçiçi punonte si bashkëpunëtor ligjor në ekipin e mbrojtjes nga viti 2004 deri në vitin 2008.

Urdhër arresti tha se një dëshmitar i identifikuar thjesht si Dëshmitari 4 iu kërkua të takonte Vuçiçin dhe Zoran Krasiç, një tjetër bashkëpunëtor ligjor në ekipin e mbrojtjes së Sheshelit në atë kohë.

Dëshmitari 4 më vonë informoi prokurorinë se “ai nuk do të dëshmonte për shkak të presionit të madh që ishte ushtruar mbi të”. BIRN nuk ka mundur të verifikojë nëse takimi ndodhi apo jo.

Që në shkurt të këtij viti, ICTY ka vazhduar të këmbëngulë për ekstradimin e tre radikalëve dhe ka kritikuar Serbinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për mos bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, duke e akuzuar vendin se po pengon drejtësinë.

Ekipi serb për bashkëpunim me Gjykatën e Hagës këmbëngul ndërkohë se ka bërë çdo gjë në përputhje me ligjin dhe se përsa u takon atyre, kjo çështje është mbyllur.

Ai citoi gjithashtu shembullin e ish-zëdhënëses së ICTY-së, Florence Hartman, e cila u dënua për shpërfillje të gjykatës në Hagë, por vendi i saj Franca refuzoi ta ekstradojë atë.

Më parë, çdo mos bashkëpunim me Gjykatën e Hagës ka pasur një ndikim në rrugën e integrimit të Serbisë në BE duke qenë se negociatat e vendit me Brukselin janë ndalur në disa raste derisa është arritur pajtueshmëri e plotë.

Bashkëpunimi me ICTY-në është një nga kërkesat kryesore të BE-së në negociatat e hapura së fundmi të Serbisë për Kapitullin 23, i cili merret me sundimin e ligjit.

Mosrespektimi i fundit në lidhje me tre radikalët nuk ende nuk është ngritur zyrtarisht si një problem nga BE-ja, por u ngrit në progres raportin e funti të Serbisë në BE.

Shesheli u lirua nga akuzat për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe Serbi nga ICTY-ja në fillim të këtij viti, por çështja tani ka kaluar në apel.

Ndërkohë, ai dhe tre aleatët e kërkuar të partisë së tij mbeten aktiv në jetën politike në Serbi.

Shesheli dhe Radeta kanë qenë anëtarë të parlamentit serb që prej zgjedhjeve të prillit, ndërsa kryetari i Partisë Radikale ka lajmëruar gjithashtu se do të kandidojë për postin e presidentit në vitin 2017.

 

(Publikuar në Balkaninsight 30. 11. 2016.)

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.