28.08.2015.
Thaçi-Serbisë: Pas kërkimfaljes vjen pajtimi
Zëvendëskryeministri i parë, njeherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën e njohur të Bosnje Hercegovinës “Dnevni Avaz”, në të cilën ka nënvizuar se nuk mund të ketë kurrfarë pajtimi nëse Serbia fillimisht nuk u kërkon falje popujve të ish-Jugosllavisë për gjenocidin shtetëror ndaj tyre.
Në vazhdim intervista e zëvendëskryeministrit Thaçi dhënë të përditshmes boshnjake “Dnevni Avaz”.
Po fillojmë me ofertën tuaj të hapur për Ivica Daçiqin, zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e Serbisë, njëherësh shefit të diplomacisë serbe, që t’ia jepni pasaportën e Republikës së Kosovës. A është kjo një ofertë serioze apo ndonjë formë e provokimit politik?
Thaçi: Kjo është një ofertë krejtësisht serioze, publike. Ai është i lindur në Kosovë, edhe pse prindërit e tij kanë ardhur në vendin tone mes Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore si kolonizatorë. Mirëpo, sipas Kushtetutës sonë, secili qytetar i cili është lindur në Kosovë gëzon të drejtën për shtetësi, gjegjësisht për shtetësi të dyfishtë. Kështu, edhe z. Daçiq është gjithashtu i mirëseardhur që të marrë pasaportën e tij.
E kemi pyetur zëvendësin e ambasadorit të Federatës Ruse në OKB se çfarë mendon ai rreth ofertës tuaj, pyetje së cilës ai i është përgjigjur se “kjo përbën një deklaratë krejtësisht të papërgjegjshme” nga ana juaj. Cila është përgjigja juaj ndaj këtij pohimi?
Thaçi: Kjo nuk është një deklaratë apo ofertë e papërgjegjshme. Kjo është një ofertë dhe një deklaratë që mbështetet në Kushtetutën. Përgjigja ime është në përputhje me Kushtetutën tone.
A i është përgjigjur z. Daçiq publikisht apo privatisht kësaj oferte?
Thaçi: Ai nuk është përgjigjur, por oferta mbetet e hapur.
Tani që po përgatiten për raundin e radhës të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si do t’i përgjigjeni kërkesave që në pjesën veriore të Kosovës të themelohet Asociacioni i komunave serbe dhe në vërejtjet e atyre që thonë se një gjë e tillë i hapë rrugë krijimit të një “republikë serbe të re”?
Thaçi: Nuk ka gjasa që të kemi një “republikë serbe” në Kosovë, sepse ne nuk do ta lejojmë këtë. Gjithçka do të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dua të theksoj se ky do të jetë një asociacion i komunave serbe pa mandate ekzekutiv, sepse për një gjë të tillë, thjesht, nuk ka kurrfarë gjasa. Përsëris, ne nuk do të lejojmë që të kemi një “pushtet të tretë” përmes këtij asociacioni. Ne do të punojmë që t’i koordinojmë gjërat që do të jenë në përputhje me vlerat dhe standardet evropiane dhe konform asaj për të cilën jemi marrë vesh përmes dokumentit të presidentit Martti Ahtisaari për Kosovën. Kjo nënkuptoi se ky trup do të jetë një asociacion, e jo një entitet i ndarë, pra do të jetë një asociacion normal, si të tjerët që tashmë i kemi.
Serbia ka bërë gjenocid në vendet e ish-Jugosllavisë
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së shumë herë e keni përmendur Srebrenicën. Duke e ditur se kjo përbën një pietet tuajin për viktimat e Srebrenicës, dëshiroj t’ju pyes nëse ky pohim i juaji ka edhe ndonjë dimension politik?
Thaçi: Ju e dini se Serbia i ka nisur luftërat në Slloveni, pastaj në Kroaci, e më vonë në Bosnje e Hercegovinë dhe në fund në Kosovë. Këto janë fakte historike. Tani ata në Serbi po përpiqen që të luajnë rolin e paqebërësit më të madh në rajon. Jo, nuk guxojmë ta harrojmë kurrë të vërtetën, që ata kanë shkaktuar gjenocid në Kroaci, në Srebrenicë dhe në Kosovë. Askush nuk mund që të shkruaj një histori të re të pavërtetë rreth kësaj. Thjesht, e vërteta është e vërtetë. Serbët i kanë nisur luftërat në ish-republikat jugosllave dhe në Kosovë, kurse Serbia, në mënyrë të drejtpërdrejtë, si shtet dhe jo në nivel të individëve i ka shkaktuar të gjitha këto gjenocide në Srebrenicë, Kroaci dhe në Kosovë.
Ne nuk do të lejojmë asnjëherë krijimin e një “republike serbe” të re në Kosovë
Z. Daçiq, në një deklaratë për gazetën tone, vitin e shkuar, gjithashtu në Nju Jork, ka thënë se Beogradi nuk planifikon dhe nuk ka ambicie që të krijojë në Kosovë një “republikë serbe” të re. A nënkupton kjo se qëndrimet tuaja përputhen?
Thaçi: Ata nuk kanë plan, por kanë ambicie. Mirëpo, ne në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë jetësimin e gjërave të tilla ne Kosovë.
Nuk guxojmë ta harrojmë të shkuarën
Ju dhe kryeministri i Qeverisë së Kroacisë, Zoran Millanoviq, në mënyrë të drejtpërdrejtë e keni hedhur poshtë nismën e Aleksandar Vuçiqit për një ditë të përbashkët përkujtimore për viktimat të gjitha luftërave të viteve të nëntëdhjeta, ndërsa ende nuk kemi dëgjuar zëra të tillë në Sarajevë.
Thaçi: Ne duhet të kthehemi nga e ardhmja, natyrisht pajtimit, por, thjesht, nuk mund dhe nuk kemi të drejtë që ta harrojmë të shkuarën. Kjo është porosia ime për Sarajevën dhe të gjithë tjerët.
(Publikuar: 17:12 / 24.08.2015)