KOMRA rrjeti i pajtimit

Teuta

29.06.2015.

Teuta, e karakterizuar nga humanizmi dhe drejtësia

Teuta Hoxha ka lindur në Prishtinë në vitin 1988, ku morri hapat e parë të krijimit të identitetit. Shkollën fillore e kreu në Prishtinë në shkollën “Naim Frashëri” ku bënte pjesë në korin e shkollës dhe ekipin e basketbollit, duke reflektuar energjinë e cila e karakterizonte qysh herët. Gjimnazin e përfundoi në “Sami Frashëri” po ashtu në Prishtinë.

Teutën e karakterizonte kureshtja e cila e bëri të orientohet në fusha të pazakonshme për moshatarët e saj. Kursi i projektimit të aeroplanëve ishte njëri ndër aktivitetet në të cilët ajo ishte e përfshirë gjatë përfundimit të shkollës së mesme ndërsa orientimi në fushën e arkeologjisë ishte diçka tjetër.

“Arkeologjia ishte një pasion i kahmotshëm i imi, vazhdon të mbetet i tillë me po të njëjtin intensitet”.

Teuta ishte pjesë e Archeological camp in Ulpiana nga viti 2003 – 2010 duke hulumtuar në mënyrë konstante dhe në të njëjtën kohë duke kalitur dashurinë për detajet të cilat kalojnë pa u vërejtur për shumicën e zakonshme.

unnamed (2)

Gjatë shkollës së mesme, një tjetër direktivë e saj ishin edhe aktivitetet e shumta sociale duke filluar nga Kryqi i kuq – Kosovë dega në Prishtinë.

“Periudha kur unë u rrita karakterizohej me një intensitet të madh ngjarjesh që kulmuan me konflikt të armatosur dhe me pasoja të mëdha për vendin, gjë që shërbeu si shtysë që unë të interesohem dhe të punoj në kuadër të zbulimit të çështjeve që kishin të bënin me luftën në pjesë të ndryshme të Kosovës. Prandaj, vazhdova studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti juridik ku edhe diplomova në drejtimin penal”.

Si fokus në prapavijën e personalitetit dhe interesave të saj vazhdonin të ishin kureshtja dhe dëshira për të ditur për fatin e personave përkatësisht të dëmtuarve/viktimave të luftës. Vazhdimësi e angazhimeve të saja në sferën e shoqërisë civile, ajo së bashku me kolegë të saj u përzgjodhën të shkojë në Beograd që të monitorojë disa seanca të gjykimit të rastit të masakrës së Çyshkut.

 “Kjo eksperiencë ishte pikërisht pika fillestare ku unë përfundimisht vendosa të përkushtohem në drejtësinë tranzicionale. Fatmirësisht dhe për shkak të suksesit të treguar përgjatë kësaj të fundit, filloja angazhimin në Fondin për të Drejtën Humanitare -Kosovë, fillimisht si monitoruese e gjykimeve për krime të luftës në Kosovë dhe vepra të tjera penale të motivuara në baza etnike dhe politike”.

unnamed (3)

Pas suksesit të treguar, Teuta është angazhuar të koordinojë koalicionin për KOMRA në Kosovë, që numëron mbi 400 OJQ dhe individë që e përkrahin Nismën për KOMRA. Në gjithë rajonin ky koalicionin ka mbi 2000 OJQ dhe individë përfshirë, veteranë të luftës, artistë, shkrimtarë, politikanë etj.

“KOMRA është komision rajonal për vërtetimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet tjera të rënda të të drejtave të njeriut të kryera në ish-Jugosllavi që nga 1 janari 1991 deri më 31 dhjetor të vitit 2001, për themelimin e së cilës angazhohet Nisma për KOMRA. Unë kam qenë  e angazhuar në fazën e dytë të procesit të KOMRA-s, Institucionalizimi i Nismës për KOMRA, e që ka filluar formimin e Ekipit Rajonal të Avokuesve Publik të (ERAP), që në Kosovë u përzgjedh gazetari i njohur Adriatik Kelmendi”.

Si koordinatore e koalicionit për KOMRA së bashku me avokuesin publik, kanë mbajtur takime me ambasadorë, duke i informuar dhe avokuar në këtë mënyrë tek ata në lidhje me rëndësinë e përkrahjes së Nismës për KOMRA. Krahas kësaj, prania në diskursin publik ishte tejet e rëndësishme.

unnamed (4)

Në lidhje me këtë janë organizuar disa aktivitete por duhet të përmenden disa prej tyrë që kanë lënë gjurmë më të mëdha, dërgimi i kartolinave tek presidentët/ja si dhe organizimi i pjesëmarrjes në gjysmë maratonën e Prishtinës.

“Nga të gjitha kryeqytetet e vendeve post-jugosllave, u janë dërguar nga 100 kartolina të KOMRA-s secilit kryetar/ kryetare dhe anëtarëve të Kryesisë së BeH, duke ua përkujtuar obligimin e tyre se ua kanë borxh familjeve, shoqërisë dhe gjeneratave të ardhshme, faktet lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën e afërt, pranimin publik dhe nderimin e të gjitha viktimave, pavarësisht nga besimi dhe përkatësia kombëtare. Nga Kosova janë dërguar gjithsej 1.287 kartolina. Pak kohë më vonë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka deleguar përfaqësuesin e vet për të shqyrtuar mundësitë ligjore dhe kushtetuese për themelimin e KOMRA-s”.

unnamed (7)

Kurse pjesmarrja në gjysmë maratonën e Prishtinës, ishte organizuar në të gjitha qytetet e shteteve të dala nga shpërbërja e Jugosllavisë. Pjesëmarrës ishin familjarë të viktimave, aktivistë të të drejtave të njeriut, anëtarë të koalicionit për KOMRA nga i gjithë rajoni, si dhe pjesëtarë të ambasadave në Kosovë. Si rezultat pjesëmarrja në Kosovë ishte më e madhja nga të gjitha kryeqytetet e rajonit.

unnamed

Gjatë angazhimeve të saj dhe duke vërejtur mungesën e informacionit që kishin të rinjtë e vendit për luftën e fundit, Teuta kaloi në organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe drejton programin për të drejtat e njeriut, ku njihet për energjinë e saj dhe punën e palodhshme e kreative. Teuta përfaqëson organizatën si dhe është përgjegjëse për organizimin e aktiviteteve si brenda organizatës ashtu edhe me aktivitete rrugore të cilat kanë një impakt më të madh dhe më efektiv shoqëror.

unnamed (6)

“Padyshim, që të flasësh hapur për të gjitha viktimat pa dallim etnik nuk është gjë e lehtë, por është tejet e domosdoshme dhe rrugë e vetme që kontribon në mos përsëritjen e krimeve”, cilëson Teuta duke gjykuar nga eksperienca e saj që i ka bërë të mundshme filtrimin e një mendimi të denjë dhe objektiv, të cilin ajo synon ta përdorë në favor të shoqërisë krahas punës dhe suksesit të saj.

Teuta tani është e angazhuar në YIHR KS në programin për të drejtat e njeriut. Një nga projektet në të cilin kalon kohë të madhe është monitorimi i gjuhës së urrejtjes në portalet online.

“Është mjaft shqetësues fakti, që fillimisht qytetarët janë kaq mospërfillës kundrejt ndjenjave të të tjerëve duke e shprehur këtë në zhargonin ofendues të gjuhës së tyre për të tjerët, si dhe pakujdesia e publikuesve për ndalimin e komenteve të tilla. Duke e parë këtë shqetësim YIHR-KS në baza ditore dhe në një numër të madh, formulon kërkesa dhe i drejton ato tek portalet për të larguar komentet me gjuhë të urrejtjes. Në të shumtën e rasteve, shumica e portaleve nuk i largojnë komentet, andaj ne detyrohemi t’i drejtohemi me ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara, të cilët më pas i largojnë komentet”.

“ Nuk është normale që në një shoqëri të normalizohet urrejta ndaj të tjerëve, por, për të arritur ndryshimin duhet angazhim i palodhshëm në largimin e paragjykimeve dhe edukimin e gjeneratave të reja”.

unnamed (5)

Teuta mendon se përmes punës, mund të ngritët vetëdija e qytetarëve mbi atë së çka ka ndodhur në të kaluarën, mbi rëndësinë e gjykimeve për krime lufte, mbi rëndësinë e njohjes së të gjitha viktimave, jo vetëm të atyre që i njohim si viktima dhe i pranojmë si të tilla por edhe të atyre që deri tash nuk i kemi njohur dhe pranuar si viktima.

“Kjo do të rriste ndjeshmërinë ndaj të gjithëve dhe do të kontribuonte në pajtim dhe në një paqe të qëndrueshme mes një shoqërie në evoluim e sipër”.

Ajo cilëson se edhe mungesa e informacioneve ndikon në rritjen e paragjykimit, si rrjedhojë ne jemi të pirur ta urrejmë tjetrin pa e njohur fare.

“ Kjo është arsyeja pse ndihem e motivuar të vij çdo mëngjes në punë, ndonëse e di që qysh në fillim do i ‘bombardojmë’ portalet me kërkesa për largim të komenteve, diçka që ata do të duhej ta bënin sepse mbahen përgjegjës edhe për komentet që i publikojnë. Angazhohem që sa më shumë të rinjtë të largojnë paragjykimet ndaj të tjerëve, t’i takojnë moshatarët e tyre të komuniteteve të tjera dhe së bashku të fokusohen në përmirësimin e jetës së tyre të përbashkët, në krijimin e një “simbioze” të pasur me mirëkuptim dhe tolerancë”.

Ëndrra e Teutës është që shoqëria kosovare të jetë më e hapur, më pranuese ndaj të ndryshmes dhe liritë e të drejtat e njeriut të respektohen aq sa të jemi shembull për të mirë.

” Shpresoj në një shoqëri ku fëmijët jetojnë të lumtur dhe të buzëqeshur, ku gruaja trajtohet barabartë në shoqëri. Do të doja shumë të shihja që familjarët e viktimave të shohin më tepër drejtësi dhe një ambient ku paqja e mirëkuptimi do të ishin cilësitë mbizotëruese”.

Përmes angazhimit të saj, Teuta do të përhap sensin e mirëkuptimit mes personave. Të zhduk njëherë e mirë komplekset e të qenit të ndryshëm nga gjuha, ngjyra apo etnia.

Teuta pranon fakti se pozita e gruas në shoqërinë tonë aktualisht nuk është e mirë, ende egziston një dozë e mentalitetit patriarkal. Ajo thotë se gruaja padrejtësisht konsiderohet e paaftë për role të shumta qoftë në krye të shtetit, qoftë në skenën politike apo thjesht për të dhënë një mendim.

“Si juriste, çmoj çdo përpjekje të grave për emancipimin e tyre dhe luftoj çdo rast të pabarazisë apo diskriminimit në bazë të gjinisë. Gjithashtu, si pjesë e Nismës për të Drejtat e Njeriut, pasi që tentojmë të aktivizojmë të rinjtë në jetën cilivile dhe shoqërore, gjithmonë kam parasysh përfaqësimin gjinor, pra aktivizimin e vajzave krahas djemve të rinj dhe eliminimin e stereotipave gjinore që janë relikte të një shoqërie patriarkale dhe një mentaliteti nga i cili duhet të largohemi”.

Me shpresë që përkushtimi dhe dashuria e saj për punën e shprehur mes këtyre rreshtave e kësaj biografie të jetë një mesazh në vetvete për ata që e shohin dhe e lexojnë, ajo porosit lexuesit që:

“Të admirojnë angazhimin për shoqërinë dhe ta konceptojnë këtë angazhim si profitabil në kuptimin njerëzor, në favor të të gjithëve dhe të mos ndjekin rrugët që shpien vetëm në përmbushjen e disa ego-ve të çastit sepse këto të fundit nuk kanë ndonjë vlerë të madhe nëse veç nuk i kanë shërbyer një shoqërie të tërë dhe nëse nuk je ndjerë i dobishëm të paktën një herë në jetë për dikë tjetër që nuk ka qenë vetja. Prandaj jeni të dobishëm do të ishte mesazhi im, shoqëria ka nevojë për TY, kushdo qofsh dhe çfarëdo aftësi të kesh!”.

 

(29 Qershor, 2015, www.kosovalive360.com)

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.