KOMRA rrjeti i pajtimit

Personat e Pagjetur

21.04.2022.

Tryezë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale në Luftë, Personat e Pagjetur dhe Peticione

Kosova, nataša kandić, Natasha Kandiq, Personat e zhdukur

Sipas informatave, në Kosovë, gjatë luftës së fundit janë të zhdukur 1600 persona nga të cilët  1300 janë pjesëtarë të popullit shqiptar ndërsa rreth 300, pjesëtarë  të komuniteteve tjera që kanë punuar dhe jetuar në Kosovë.  Me këtë konstatim  filloi  punën tryeza e rrumbullakët me temën “Gati dy decenie e gjysme  pas luftës, cili është fati i personave të zhdukur”?, të organizuar nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale në Luftë, Personat e Pagjetur dhe Peticione, të cilin e ka kryesuar deputetja  Duda Balje, kryetare e këtij Komisioni.

Në këtë tryezë, krahas anëtarëve të komisionit, prezentë ishin edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, përfaqësuesi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, shkrimtarja, politikania, aktivistja për të drejtat e njeriut dhe koordinatore e Rrjetit për Pajtim REKOM, Natasha Kandiq, përfaqësuesit e Institutit të Avokatit të Popullit të Kosovës në krye me Avokatin Naim Qelaj, përfaqësuesit e KB, OSBE-së, EUSK-së, përfaqësuesit e Ambasadës së Britanisë së Madhe dhe të Zvicrës, si dhe përfaqësuesit e Kryqit të Kuq të Kosovës e të organizatave joqeveritare që merren me fatin e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë tryezë të rrumbullakët, Kandiq në fjalën e saj theksoi se sipas informatave që ajo posedon, gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë janë zhdukur 1.080 shqiptarë, ndërsa pas luftës, figurojnë të zhdukur 327 persona nga komunitetet tjera (në radhë të parë serb, rom dhe të tjerë), si dhe 38 shqiptarë që kanë punuar dhe jetuar në Kosovë. Në vazhdim Kandiq theksoi se në varrezat masive që gjenden në territorin e Serbisë janë nxjerrë 950 trupa ndërsa për të tjerët  ende nuk dihet fati i tyre. Në fund të fjalës së vet ajo theksoi se institucionet kosovare dhe serbe duhet të punojnë shumë më tepër në aspektin e gjetjes së trupave nga varrezat masive dhe se duhet shumë më tepër t’i kushtohet kujdes këtij problemi shumë të rëndë dhe se duhen formuar komisione të përbashkëta, të veçanta, për personat e pagjetur.

Në vazhdim të kësaj tryeze të rrumbullakët, pjesëmarrësit theksuan se në Kosovë duhet  formuar një bazë e përgjithshme e të dhënave për të gjithë personat e zhdukur, që do t’u ndihmonte të gjithëve për të ditur saktë numrin e të zhdukurve në Kosovë, ashtu që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Qeverisë së Serbisë që t’i hap arkivat për ta gjetur numrin e saktë të personave të zhdukur si dhe që të gjitha institucionet e Kosovës të angazhohen shumë më tepër lidhur me personat e zhdukur në Kosovë, që do të thotë se sa më shpejt të bëhen plotësimet dhe ndryshimet e Ligjit për personat e zhdukur në Kosovë.

 

 


Teksti Tryezë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale në Luftë, Personat e Pagjetur dhe Peticione u botua fillimisht më assembly-kosova.org

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.