KOMRA rrjeti i pajtimit

20.03.2024.

Vrasjet dhe zhdukjet në Skёnderaj/Srbica në ditën e largimit të MVK-së të OSBE-së nga Kosova në datën 20. mars 1999.

Srbica/Skënderaj

Sipas urdhrit të Komandës së Përbashkët për K dhe M, nga data 19.3.1999, njësitë e br.mt. 125. Të UJ-së, një qetë e NJPP nga Uzhica, dhe njësitë e br.mt. 37 të UJ-së kanë qenë të pranishme në zonën e Polacit/Poljance – Skënderaj/Srbica me detyrën “për të zhbllokuar drejtimin Klinë/Skënderaj (Klina-Srbica) dhe qytetin Skënderaj/Srbica.“ Vendi i komandimit ka qenë në rajonin e fabrikës së municionit në Skënderaj/Srbica.  

 

Anëtarët e Misionit Verifikues të Kosovës (MVK) i OSBE-së, në datën 19.3.1999 e kanë lëshuar Skënderajn/Srbica. I tërë misioni (1381 anëtarë) e ka lëshuar Kosovën në datën 20.3.1999. Atë ditë, (20. 3. 1999), në mëngjes, para stacionit të policisë në Skënderaj/Srbica, kanë arritur ushtarët në uniforma të maskuara ngjyrë jeshile dhe ngjyrë kafe. Ai grup ka shkuar në drejtim të Lagjes 3. Rreth orës 7, banorët Skënderajt/Srbica i kanë dëgjuar të shtënat nga kodrat përreth dhe nga drejtimi i Fabrikës së municionit. Rreth orës 8, në Lagjen 2 janë paraqitur policët në uniforma të bardha, në çizme të zeza  dhe me maska të zeza në fytyrë. Rreth orës 8.30 kanë nisur të hyjnë nëpër shtëpi. 

  

1. Vrasja e tetë burrave nga katër shtëpi 

 

Nebih (Hazir dhe Hyla) Vojvoda (48) 

Lavdim (Sali dhe Nuri) Vojvoda (20) 

Sadri (Zenel dhe Fahrije) Gashi (45) 

Januz (Halit dhe Mihane) Kalleci (61)  

Xhavit (Januz dhe Mehreme) Kalleci (28) 

Musli (Dibran dhe Zelfije) Shala (29) 

Sabit (Beke dhe Hamide) Veliqi (39)  

Ramiz (Rexhep dhe Emine) Geci (31) 

 

Policët në uniforma të bardha dhe me maska në fytyrë, në mëngjesin e datës 20.3.1999 kanë hyrë nëpër shtëpi në Lagjen II dhe i kanë nxjerrë jashtë burrat. Nga katër shtëpi i kanë nxjerrë 8 burra. Së pari, nga shtëpia e vjetër e Hilmi Thaqit e kanë nxjerrë  Nebih Vojvodën dhe Lavdim Vojvodën, të cilët ditë më parë me familje kishin ikur nga Llausha/Lauša, dhe Sadri Gashin, i cili kishte ikur nga Tërsteniku/Trstenik. Ata i kanë mbajtur para shtëpisë, derisa dy policë e kanë hapur me dhunë derën e oborrit të fqinjit të tyre Januz Kallecit,  kanë hyrë në shtëpi, e kanë nxjerrë Januzin, e pastaj njëri prej tyre është kthyer dhe e ka nxjerrë jashtë djalin e Januzit, Xhavit Kallecin. Rreth orës 8.30, policët në uniforma të bardha kanë hyrë në shtëpinë e Dibran Shalës. E kanë hapur me dhunë portën e oborrit. Së pari kanë hyrë në shtëpi në katin përdhes, ku ka qenë e vendosur familja Mangjolli, kurse pastaj janë ngjitur në kat ku ka qenë Dibrani, me djalin Musli Shalën dhe me mikun Sabit Veliqin. Burrat i kanë zhveshur deri në brez, i kanë pyetur se nga janë dhe ka punojnë. Njëri nga policët ka bërtitur „këta ma kanë vrarë vëllain“. Dibrani e ka njohur prej zërit dhe syve të kaltër Zoran Jovanovićin nga fshati Kosterc/Kostrc, të cilit në vitin 1998 pjesëtarët e UÇK-së ia kishin vrarë vëllain. E ka parë se ai polic, Zorani, e ka nxjerrë Sabitin dhe Musliun. Dibrani i ka lutur policët t’i lejojnë Musliut dhe Sabitit t’i veshin xhaketat. Njëri është përgjigjur: „Nuk do të kenë nevojë për to“. E ka parë se me fqinjët e ndaluar i kanë çuar në drejtim të vendit të quajtur Te Pishat („Kod borova“). Pas një kohe të shkurtë, i ka dëgjuar të shtënat në rafalë. Ramiz Geci ka qenë me bashkëshorten, me prindërit dhe me katër kushërinj kur policët me uniforma të bardha kanë hyrë brenda. Kanë bërë me shenjë në drejtim të Ramizit. Babai dhe nëna janë lutur që të mos ua prekin djalin, se ai nuk ka bërë asgjë. Policët i kanë shtyrë me kondak. Fqinji, Asllan Rreci e ka parë se kanë qenë “njerëzit në uniforma të bardha“ te vendi i quajtur Te Pishat (Kod borova). Trupat e tyre i kanë transportuar forcat serbe në morgun e spitalit në Mitrovicë/Kosovska Mitrovica, prej nga i ka marrë Bashkësia Islame në datën 25.3.19999 dhe i ka varrosur në varreza në Shupkofc/Šupkovac.  

 

 2. Vrasja e gjashtë njerëzve – nëpër shtëpi, te trafo-stacioni dhe në pyll

 

Veli (Hasan dhe Slavka) Mustafa (34) 

Hajzer (Avdullah dhe Hasime) Musa (31) 

Xhavit (Rexhë dhe Elshame) Sylejmani (39) 

Milazim (Sadik dhe Mihane) Rexha (27) 

Ilaz (Osman dhe Afije) Aruqi (42) 

Hajdin (Maliq dhe Elfije) Aruqi (79) 

 

Gjashtë persona, me maska në fytyrë dhe në uniforma të bardha, e kanë nxjerrë Veli Mustafën nga shtëpia e prindërve të tij në Lagjen 2. Nga burrat në shtëpi kanë qenë vetëm ai dhe babai i tij, Hasani. Iu kanë urdhëruar të gjithëve të dalin në oborr. E kanë ndaluar Veliun, kurse Hasanit, grave dhe fëmijëve iu kanë urdhëruar të shkojnë në Shqipëri: «Marsh në Shqipëri, atje është vendi juaj, Kosova është e jona ». Posa e kanë lëshuar oborrin Hasani, gratë dhe fëmijët, janë dëgjuar të shtënat. Veliun, të vrarë me armë të zjarrit, në oborrin e shtëpisë së tij e kanë gjetur fqinjët Rexhë Kuliqi, Sadik Kopiliqi dhe Qemajl Zabeli dhe në datën 30.3.1999 e kanë varrosur në oborr. 

 

Policët në uniforma të bardha e kanë nxjerrë Hajzer Musën nga shtëpia e dajës së tij, Xhavit Gecit në Lagjen 2. Pas dy ose tri ditëve, trupin e tij e ka gjetur Abit Haziri, pjesëtar i UÇK-së, pranë vendit të quajtur Te Pishat (Kod borova), ku edhe e ka varrosur. 

 

Xhavit Sylejmani me familje, nga muaji nëntor i vitit 1998, ka banuar në shtëpinë e shokut të tij,  Zymer Imerit në Lagjen III, i cili ka punuar jashtë vendit. Në shtëpi janë gjendur edhe dy familje të tjera, kur në mëngjesin e datës 20.3.1999, kanë hyrë tre burra, në uniforma të bardha, me maska në fytyrë. Në duar kanë pasur dorëza të zeza. Njëri prej tyre, nga gjunjët e poshtë, ka qenë me pantallona të njollosura me gjak. E kanë nxjerrë Xhavitin në oborr dhe pas dy minutave janë dëgjuar të shtënat. Kurse pastaj, policët në uniforma të bardha iu kanë urdhëruar të gjithëve të dalin jashtë. Kur bashkëshortja e Sylejmanit në kolonë ka arritur në fshatin Llaushë/Lauša, nga kushërira e tij Mihrija ka dëgjuar se ajo ka parë se Xhaviti është vrarë në Lagjen 2, te trafo-stacioni. Mihrija, pas tri ditësh, është kthyer në Skënderaj/Srbica dhe e ka gjetur trupin e Xhavitit te trafo-stacioni. Me ndihmën e Jetish Behramit dhe Beqir Mulajt, e ka varrosur Xhavitin dy ose tri metra larg trafo-stacionit. 

 

Kur policët në uniforma të bardha kanë hyrë në Lagjen 2, Milazim Rexha, vëllezërit e tij Blerimi dhe Naimi, si dhe fqinjët, Sami dhe Ukё Loshi janë nisur në drejtim të pyllit Gllavica, që ndodhet mbi shtëpinë e Smajl Gjinovcit. Milazimi ka hyrë i pari në pyllin Gllavica. Sipas asaj që ka treguar babai i tij Sadiku, në atë moment, forcat serbe, të cilat kanë qenë të stacionuara në Fabrikën e Armëve në Lagjen 3,  kanë qenë nisur drejt Gllogocit/Glogovac. Në rrugë kanë hasur në rezistencën e UÇK-së, kanë nis të hedhin me minahedhës dhe atëherë është vrarë djali i tij, Milazimi. Trupi i tij ka mbetur  tri ditë në pyll, derisa Sadiku nuk ka gjetur njerëz që t’i ndihmojnë që nga pylli ta marrin dhe varrosin trupin e djalit të tij në Kopiliq të Ulët/Donji Obilić. 

 

Ilaz Aruqi e ka pasur shtëpinë afër stacionit të policisë. Në të njëjtën shtëpi kanë jetuar prindërit e tij, vëllezërit Enver, Esat dhe Osman Aruqi, të cilët i kanë pasur familjet e tyre. Ilazi ka qenë te fqinji Sadri Uka, kurse në shtëpi ka qenë bashkëshortja e tij me fëmijët, prindërit dhe vëllai. Në shtëpi kanë hyrë tre burra në uniforma të bardha, me çizme të zeza mbathur në këmbë dhe në duar me dorëza të zeza pa gishta. Babanë e Ilazit e kanë rrahur në shtëpi, kurse vëllain në oborr. Kur policët në uniforma të bardha kanë shkuar, bashkëshortja e Ilazit, fëmijët, prindërit dhe vëllai e kanë gjetur Ilazin në oborr – në te është shtënë me armë të zjarrit në pjesën e fytit dhe të kokës. E kanë fshehur trupin e tij në sanë, kurse pas tri ditësh e kanë varrosur në oborr.  

 

Hajdin Aruqi, të premten, në datën 19.3.1999, me ndihmësin e tij, Murat Babaj, e ka mbajtur ritualin fetar në Llaushë/Lauša. Në mbrëmje, me Muratin ka shkuar në Skënderaj/Srbica. Të nesërmen, me Muratin dhe me familjen e tij është strehuar te Islam Konjuha. Hajdini ka qenë në shtrat kur në shtëpi janë hedhur granata të dorës. Ai ka mbetur i vdekur në vend. Murati dhe vajza e tij janë plagosur. Pas luftës, në rrënojat e shtëpisë së Islamit, janë gjetur mbetjet mortore të Hajdinit. 

 

3. Zhdukja e burrave të ndaluar dhe zhdukja e trupave të të vrarëve 

 

Isuf (Feriz dhe Sala) Gashi (54) 

Burim (Isuf dhe Raza) Gashi (20) 

Qemajl (Xhafer dhe Remzije) Neziri (15) 

Idriz (Selman dhe Halime) Kameri (45)  

Sejdi (Zeqir dhe Emine) Zeqiri (40)  

Refki (Zeqir dhe Emine) Zeqiri (24)  

Agim (Imer dhe Ajshe) Berisha  (28) 

Muhamet (Ferat dhe Raza) Zenuni (39) 

Xhevdet (Zenel dhe Rabishe) Zenuni (19) 

Gani (Azem dhe Halime) Azemi (48) 

Shaip (Gani dhe Sadije) Azemi (26)  

Faton (Gani dhe Sadije) Azemi (22)  

Emrullah (Sokol i Bahrije) Azemi (21)   

Halim (Qerim dhe Ajkune) Gucati (56) 

Muhamet (Sheqir dhe Naxhije) Fazliu (30) 

Musli (Zeqir dhe Ajmane) Fazliu (28) 

 

Policët në uniforma të bardha i kanë vrarë në oborrin e shtëpisë së Isufit, afër stacionit të policisë, Isuf Gashin, djalin e tij, Burimin, dhe kushëririn, Qemajl Nezirin. Menjëherë pas kësaj, trupat e tyre janë hedhur në kamion, dhe janë dërguar në një drejtim të panjohur. Në listën e KNKK, zhdukja e Isufit është evidencuar nën shenjën BLG-800799-02, ajo e Burimit nën shenjën BLG-800799-01, dhe ajo Qemajlit nën shenjën BLG-801893-01. 

 

Policët në uniforma të bardha e kanë vrarë Idriz Kamerin para bashkëshortes së tij, në rrugicën pas shtëpisë në Lagjen 2. Në listën e KNKK, zhdukja e Idrizit është evidencuar nën shenjën BLG-804611-01. 

 

Policët në uniforma të bardha i kanë vrarë vëllezërit Sejdi dhe Refki Zeqirin dhe mikun e tyre Agim Berishën në shtëpinë e Abaz Kajtazit në Lagjen 2, në të cilën kanë banuar Sejdiu dhe Refkiu si qiraxhinj. Pas luftës, në shtëpi janë gjetur gjurmët e gjakut, por trupat e tyre nuk kanë qenë aty. Në listën e KNKK, zhdukja e Sejdiut është evidencuar nën shenjën BLG-801783-01, ajo e Refkiut nën shenjën BLG-802859-01, kurse ajo e Agimit nën shenjën BLG-801902-01.

 

Policët në uniforma të bardha i kanë ndaluar në shtëpinë e Muhametit Xhevdet Zenunin dhe Muhamet Zenunin, kurse familjeve të tyre iu kanë urdhëruar të shkojnë në drejtim të Llaushës/ Luaša. Pas dy ose tri ditëve, prindërit e Muhametit janë kthyer në shtëpi. Në oborr, te stalla, kanë gjetur gjurmë të gjakut, por trupat e tyre nuk kanë qenë aty. Në listën e KNKK, zhdukja e Muhametit është evidencuar nën shenjën BLG-800959-01, kurse ajo e Xhevdetit nën shenjën BLG-801128-01.  

 

Policët në uniforma të bardha e kanë ndaluar në shtëpinë e  Gani Azemit, atë vet, djemtë e tij Shaip dhe Faton Azemin, kushëririn Emrullah Azemin  dhe fqinjin Halim Gucatin, i cili kishte shkuar te ata kur në mëngjes nga dritarja ka parë se në lagje kishin hyrë persona të armatosur në uniforma të bardha. Nëna e Ganiut, para se të dëbohet me nuset dhe me fëmijët, e ka parë që Ganiu, djemtë dhe Halimi janë futur në një dhomë. Ajo, pas dy javësh, është kthyer, e ka gjetur shtëpinë gjysmë të djegur, dhe në dhomën në të cilën ishin futur bashkëshorti i saj, djemtë dhe fqinji Halimi, ka gjetur gjurmët e gjakut, por trupat e tyre nuk kanë qenë aty. Në listën e KNKK, zhdukja e Ganiut është evidencuar nën shenjën BLG-802803-03, ajo e Shaipit nën shenjën BLG-802803-01, e Fatonit nën shenjën BLG-802803-02, e Emrullahut nën shenjën BLG-803014-01, kurse ajo e Halimit nën shenjën BLG-802595-01. 

 

Muhamet Fazliu dhe djali i mixhës së tij, Musli Fazliu, kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së. Ata, në datën 19.3.1999, kanë shkuar në Skënderaj/Srbica, te Xhavit Berisha, te i cili kanë banuar familjet e tyre. Rreth orës 10, në datën 20.3.1999, dy burra në uniforma të bardha kanë hyrë në oborrin e Xhavitit. Nga objekti, në të cilin dikur ka qenë shitorja, i kanë dëbuar të gjithë burrat, i kanë lëshuar burrat e vjetër, kurse pastaj kanë shtënë, së pari, në Muhamet Fazliun, e pastaj në Musli Fazliun dhe kanë dalë nga oborri. Motra e Musliut, Nexhda ka parë se policët në uniforma të bardha, i kanë tërhequr trupat nga rruga dhe i kanë hedhur në kamionin e tipit „TAM“ dhe i kanë dërguar në një drejtim të panjohur. Në listën e KNKK, zhdukja e Musliut është evidencuar nën shenjën  BLG-803902-01, kurse ajo e Muhametit nën shenjën BLG-803903-01. 

 

 

This website was created and maintained with the financial support of the European Union. Its contents are the sole responsibility of the RECOM Reconciliation Network and do not necessarily reflect the views of the European Union.